22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Kompromis, zarf, zgjedhje

ShkelzenMaliqiTashmë kur vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për datën 12 shtator, ndërsa PDK dhe Blloku do të nisen drejt saj pa marrëveshje lidhur me zgjedhjen e Kryeparlamentarit, duket se ngërçi vetëm sa do të ngurtësohet.

Por, Shkëlzen Maliqi mendon se bllokada politike nuk mund të zgjasë shumë.Në një intervistë për Politiko.net, ai thotë se nëse Kandidati i PDK’së për Kryeparlamentar nuk votohet, do të duhej të propozohej një Kandidat i Bllokut Opozitar.

Maliqi shpjegon se LDK-AAK-Nisma nuk lëshojnë pe, sepse i kanë ndarë postet dhe pushtetin pa e pasur vetë kontrollin e shumicës.
“Kohezioni i saj varet nga zgjedhja e Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt në dy postet kyçe. Nëse ata nuk zgjidhen, bie krejt marrëveshja e tyre. Kështu që, ata janë ngujuar fort, nuk duan që të bisedojnë për kombinime dhe njerëz të tjerë në postet kyçe”.

“Duhet të shohim nëse Blloku arrin që të përbirohet disi me numra duke instaluar Haradinajn dhe Mustafën në pushtet. Kjo nuk përjashtohet. Por, nëse kjo dështon, atëherë do të shfaqej nevoja për ndonjë “zarf” me zgjidhje kompromise, ku askush nuk do të jetë fitues, por as humbës i madh. Alternativa është të shkohet në zgjedhje”.

Politiko: Ngërçi politik duket se nuk e ka ndërmend të zhbllokohet, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Kryeparlamentarin. Tentimi i Flora Brovinës që t’i takojë liderët për konsulta, dështoi, për shkak të refuzimit nga Blloku dhe VV. Kështu, drejt seancës po shkohet pa marrëveshje. Si po ju duket e gjithë kjo që po ndodh?

Shkëlzen Maliqi: Më duket se jemi në fazën e taktizimeve të fundit, kur palën ende bëjnë manovra duke u shtyrë për çështje procedurale, të cilat nuk janë të detajizuara dhe nuk ka as precedentë nga praktika parlamentare për këso situata bllokade.
Çështja është se Flora Brovinës i mohohet e drejta që të mbajë konsultat me partitë. Këtë mbase do të duhej ta bënte Presidentja, por ajo nuk po tregon se është e iniciativës, e ka druajtjen nga gabimet ose ulja e autoritetit që edhe ashtu është i vogël.
Por, kjo bllokadë nuk mund të zgjasë shumë.
Flora Brovina thirri vazhdimin e mbledhjes së 17 korrikut. Ajo tani e ka të qartë se cila është pika vijuese e rendit të ditës, propozimi i Kandidatit të PDK’së për Kryetar të Kuvendit, dhe votimi i tij. Nëse ky Kandidat nuk votohet, do të duhej të propozohej një Kandidat i Bllokut Opozitar.
Politiko: Blloku refuzon ta votojë Kryeparlamentarin e PDK’së dhe këmbëngul se Isa Mustafa është Kandidati, përkundër vendimit të Kushtetueses se kjo e drejtë i takon PDK’së. A është kjo mosnjohje e vendimit të Gjykatës?

Shkëlzen Maliqi: Blloku Opozitar nëse është i sigurt se i ka votat, nuk do të duhej t’i frikësohej Kandidatit të PDK’së. Ka qenë gabim edhe veprimi i 17 korrikut, kur i kishin votat për ta zëvendësuar Flora Brovinën, madje edhe e votuan Isa Mustafën, por proceduralisht i ngjante puçit të nxituar. Pasi që kishin dështuar me përkrahjen e Vetëvendosjes, sepse nuk mund t’i pranonin kushtet e saj, Bllokun e shpëtuan deputetet e pakicave, që nuk e lanë të digjet Isa Mustafa por dhe marrëveshja bazë e Bllokut. Në vend të Vetëvendosjes, në këtë rast, u faktorizua Lista Serbe, me votat të së cilës u shpëtua Isa Mustafa nga disfata e radhës.
Por, tash loja është kthyer në zero, prej fillimit, dhe nuk ka lëvizur pothuajse asgjë nga 17 korriku.
Blloku nuk e ka votën e Vetëvendosjes, kurse Lista Serbe dhe do deputetë të tjerë të partive të minoriteteve mund edhe të mos e votojnë Isën.

Politiko: LDK-AAK-Nisma thirren në pikën 127 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila, sipas tyre, ua lejon mundësinë që ta zgjedhin Kryeparlamentarin, në rast të dështimit të PDK’së. A kanë të drejtë, apo thjesht po gjejnë rrugë për të mos u dorëzuar nga marrëveshja e tyre fillestare?

Shkëlzen Maliqi: Kushtetuesja thotë se “Të gjithë deputetët duhet ta gjejnë mënyrën për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese në lidhje me Rregulloren relevante të Kuvendit dhe të bëjnë Kuvendin funksional”.
Nuk është krejtësisht e qartë, do të ketë tani interpretime të papajtueshme neneve shtesë dhe të Rregullores, por mendoj se fraza “ta gjejnë mënyrën… për ta bërë Kuvendin funksional” nënkupton kreativitetin i cili në Kuvend matet me votën e të gjithëve, e që pastaj nënkupton se do të vendosë vota e shumicës.Besoj se shumica do të jetë që nëse nuk kalon Kandidati i PDK’së, atëherë duhet të propozohet Kandidati i Bllokut. Alternativa tjetër është që të bisedohet për procedurën dhe të shkohet me ndonjë kandidat konsensual. Por, ky variant i dytë çon në prishjen e marrëveshjes LDK-AAK-Nisma.

Politiko: Pse nuk lëshon pe Blloku? Do të binte kështu marrëveshja e tyre?

Shkëlzen Maliqi: Nuk lëshon pe, sepse i ka ndarë postet dhe pushtetin pa e pasur vetë kontrollin e shumicës. Kohezioni i saj varet nga zgjedhja e Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt në dy postet kyçe. Nëse ata nuk zgjidhen, bie krejt marrëveshja e tyre. Kështu që, ata janë ngujuar fort, nuk duan që të bisedojnë për kombinime dhe njerëz të tjerë në postet kyçe, që p.sh. Kryeministër të jetë Blerim Shala (jo si preferenca ime, por si ide që ka qarkulluar), ose që edhe Isa Mustafa të tërhiqet në favor të ndonjë politikani tjetër të LDK’së, apo ndonjë personaliteti konsensual.
Nga ana tjetër, numrat realë të Blloku janë të brishtë. Është e qartë se qëndrojnë shumë më mirë se PDK, sepse kanë 10 deputet më shumë. Por 47 deputetë nuk mjaftojnë. Prandaj Blloku kërkon votën e 14 deputetëve të tjerë, të VV’së dhe të minoriteteve, që nuk janë aspak të sigurta, e lidhen edhe me kushtëzime të papranueshme. Kjo krijon situatën ngre-e-mos-e këput, të bllokadës së Bllokut.

Politiko: Ndërkohë që PDK nuk i ka numrat për ta zgjedhur Kryeparlamentarin, a do të duhej të tërhiqej?

Shkëlzen Maliqi: PDK e ka pasur për qëllim që ta fitojë betejën procedurale, që edhe e arriti, dhe në ndërkohë shpresonte se mund të sfidonte ndonjë përçarje të opozita, që deri më tash nuk ka ndodhur. Dhe opsioni tjetër ka qenë bllokimi i numrave të Haradinajt dhe Mustafës, për të shkuar në përsëritje të zgjedhjeve, ku shpresonte se do të ndryshojë raporti i forcave edhe për faktin se do të ftonte AKR’në në koalicion, dhe me këtë të barazoheshin numrat mes dy formacioneve që pretendojnë pushtetin. Me Pacollin, gjithnjë sipas disponimit të votuesve me 8 qershor, Thaçi do të kishte +5, pra 42 deputetë, kurse Blloku – 4, ose 43 deputetë, pra do të ishin praktikisht baras. Dhe nëse kësaj llogarie i shtohet një minus i VV, do të asgjësohej edhe faktori kryesor i bllokadës, kushtëzuar nga fakti se VV dhe Blloku kanë shumicën prej 63 deputetëve, kuptohet, nëse do të hynin në koalicion. Ndërkaq, në zgjedhjet e reja formacioni opozitar do të kishte 58 deputetë, pamjaftueshëm për shantazh. Për më shumë, kuptohet, në zgjedhjet mund të ndodhin edhe lëvizje tjera, që mazhorancën do ta lëviznin majtas, apo djathtas.

Politiko: A ka ardhur koha për ndërhyrjen ndërkombëtare, Z. Maliqi?

Shkëlzen Maliqi: Ndërhyrja tashmë ka ndodhur me 17 qershor, por jo e dukshme dhe e trumbetuar në publik. Nga ajo datë, Blloku nuk negocion më për kushtet e VV. Por, besoj se Bllokut i është tërhequr vërejtja të mos futet në pazare kushtëzuese as me Listën Serbe. Ndoshta këto nuk janë ndërhyrje, por këshilla. Duhet të shohim nëse Blloku arrin që të përbirohet disi me numra duke instaluar Haradinajn dhe Mustafën në pushtet. Kjo nuk përjashtohet. Por, nëse kjo dështon, atëherë do të shfaqej nevoja për ndonjë “zarf” me zgjidhje kompromise, ku askush nuk do të jetë fitues, por as humbës i madh. Alternativa është të shkohet në zgjedhje.

Politiko: Sa ka rrezik që situata të tensionohet edhe më tej dhe vendi të hyjë në një krizë edhe më të thellë?

Shkëlzen Maliqi: Tensionet, më sa shoh, janë në trekëndëshin Haradinaj, Mustafa dhe Thaçi. Procesin e krijimit të institucioneve nuk do ta quaja krizë, por është një lloj praktikimi dhe avancimi i procedurave të ndërtimit të pushtetit. Pastaj, po u shtensionua treshja, nuk ka më as “krizë të thellë”. Ne kemi një krizë tjetër, të vazhdueshme, që anglisht do ta quaja “Lost in transition”, që shqip i bie – të humbësh udhën në oborr. Problem është komplet kasta politike, por edhe vetëdija e ulët e votuesve që ua delegojnë pushtetin mu kësaj kaste. Është rreth vicioz që duhet t’i kërkohet dalja, por kjo nuk është diçka që mund të bëhet me nguti dhe dhunë.

Më Shumë

Dëmtohet vendpikniku në Nashecë

Fshati Nashec i Prizrenit, në vitin 2021  u pasurua me një hapësirë rekreative e gjelbëruese, duke plotësuar kështu kërkesën dhe dëshirën e banorëve të...

Fury – Usyk: Sonte meçi i gjigantëve të boksit/ Ja kur dalin në ring boksierët

Lufta unifikuese e shumëpritur për titullin botëror në peshën e rëndë midis Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk do të zhvillohet në Arabinë Saudite të...

Lajmet e Fundit