Kosova mund të mbyllet sërish pas shtimit rekord të rasteve me COVID 19 dhe të personave që kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit. Rrjedhimisht, institucionet do të lajmërojnë sot qytetarët për mbylljen totale. Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti do të flasë për masat e reja në një konferencë për media.
Institucionet e vendit kanë vendosur për votimin e masave të reja në Qeveri të Kosovës, vendim ky që pason shtimin e rasteve me COVID 19 në nivel të vendit, sidomos në javët e fundit.
Qeveria ka njoftuar se kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti do të flasë sot në një konferencë për media para gazetarëve për të njoftuar lidhur me masat e reja anti Covid.
Kjo paraqitje e Hotit vjen vetëm një ditë pasi që ai paralajmëroi se vendi po shkon sërish drejt mbylljes totale pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike.
Megjithatë, një vendim i tillë po kundërshtohet sidomos nga bizneset, kur dihet që Qeveria nuk e ka kaluar ende në lexim të dytë Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Një gjë e tillë pritet të ndodhë sot gjatë ditës.
Gazeta Express ka raportuar se Ministria e Shëndetësisë do të ndërmarrë masa të reja kufizuese për qytetet varësisht numrit të rasteve pozitive që kanë. Qytetet ndahen në tri zona të rrezikshmërisë: zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë.
Në bazë të rasteve të fundit, MSh do të publikojë edhe renditjen e komunave në secilën zonë të rrezikshmërisë së përhapjes së COVID-19.
Gazeta Express mëson se në komunat që renditen në zonën e gjelbër, me rrezik më të ulët të përhapjes së infeksionit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 19:00.
Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.
Taksitë do të lejohen të punojnë me 1 pasagjer prapa, ndërkaq lejohen tre pasagjerë nëse ata janë anëtarë të një familjeje.
Qendrat tregtare në këto komuna do të lejohen të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 7 të pasdites, ndërkaq edhe gastronomisë e hotelerisë i ndalohet puna pas orës 19:00, përveç shërbimit “merr me vete”.
Masa restriktive do të ketë edhe për komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë. Në këto komuna, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 06:00 deri në orën 18:00.
Transporti publik do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve, derisa taksitë do të lejohen të punojnë me një pasagjer prapa, përveç në rastet kur janë anëtarë të një familjeje, lejohet të jenë deri në pesë pasagjerë.
Qendrat tregtare në komunat që bëjnë pjesë në zonën e gjelbër do të lejohen të punojnë nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 6 të mbrëmjes, derisa edhe hotelerisë e gastronomisë i ndalohet veprimtaria pas orës 18:00.
Komunat që janë në zonën e kuqe, në atë të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së koronavirusit do të kenë masa më të rrepta.
Në ato komuna do të ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve përveç personelit shëndetësor, personelit të sigurisë, drejtësisë dhe studentëve.
Hyrja do të ju lejohet edhe qytetarëve që kanë nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale të ushqimit dhe barnave për njerëz dhe kafshë.
Po ashtu, do të lejohet hyrja e operatorëve ekonomikë dhe transportit të lirë të mallrave apo shërbimeve që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit. Kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike do të lejohen po ashtu.
Gastronomisë do t’i ndalohet puna, përveç shërbimit “merr me vete”, “porosi me dërgesë” dhe “shërbimit për mysafirët e hotelit”. Edhe qendrave tregtare do të ju ndalohet veprimtaria.
Institucionet publike dhe private do të punojnë vetëm me stafin esencial. Taksitë do të lejohen të punojnë vetëm me një pasagjer, ndërkaq nëse janë anëtarë të familjes do të lejohen tre pasagjerë.
Në qytetet që janë në zonën e lartë të rrezikshmërisë së përhapjes së koronavirusit do të ndalohen aktivitetet kulturore. Po ashtu, do të ndalohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, përveç garave të ligës kombëtare dhe ndeshjeve për kualifikime ndërkombëtare.
Puna do të ju ndalohet edhe fitneseve e pishinave të mbyllura.
Komunat në zonën e kuqe kanë qenë: Prishtina, Fushë Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Podujeva dhe Shtimja. Në zonën e gjelbër kanë qenë: Prizreni, Dragashi, Klina, Istogu, Malisheva etj. Në zonën e verdhë kanë qenë: Ferizaj, Kamenica, Skenderaj, Vushtrria, Mitrovica, Drenasi, Mitrovica e Veriut, etj. Këto të dhëna kanë ndryshuar dhe do të përditësohen pas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë./GazetaExpress/