10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Kosova me perspektivë të qartë euroatlantike

Konstantina AthanassiadouShefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadorja Konstantina Athanassiadou, gjatë një ligjëratë të mbajtur për studentët e Universitetit AAB, ka folur për proceset politike dhe ekonomike në vend, për mosnjohjen e Kosovës nga Greqia dhe për ndihmën që shteti i saj ka thënë në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërqeveritare.

Ajo ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që shteti i saj ta njohë pavarësinë e Kosovës “Ne nuk e kemi njohur Pavarësinë e Kosovës, por kemi thënë që nuk e përjashtojmë mundësinë që ta njohim. Kjo është pikë që duhet ta kemi si referencë. Në mesin e pesë vendeve anëtare të BE-së, ne jemi më fleksibil. Unë nuk hezitoj të them që ne, ofrojmë ndihmë teknike për çdo gjë që nevojitet. Fjalët që janë përdorur dhe po përdoren në marrëveshje e dhe kompromise sa i përket vendimeve të organizmave ndërkombëtarë janë kontribut i Greqisë. Ne nuk i përfaqësojmë pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, por ndihmojmë në gjetjen e kompromiseve”, ka theksuar ambasadorja greke, Konstantina Athanassiadou.

Ajo ka përmendur edhe ndihmat konkrete që Greqia i ka bërë Kosovës në anëtarësimin e saj në organizatat ndërqeveritare. “Në vitin 2009, ne kemi votuar që Kosova të futet në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Në vitin 2011, kemi votuar që Kosova të jetë anëtare e Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZH). Po ashtu, në vitin 2013 e kemi përkrahur Kosovën në Komisionin e Venecias të Këshillit Evropian”, është shprehur Athanassiadou.

Ambasadorja greke ka thënë se që nga prilli, në misionin diplomatik në Prishtinë e kanë edhe sistemin e plotë të vizave Shengen, që sipas saj, kjo gjë tregon edhe një qëndrim të Greqisë ndaj Kosovës. “Kosova ka një perspektivë të qartë euroatlantike, ne e përkrahim perspektivën evropiane të saj. Kosova është vend fqinj i yni dhe jeni të mirëseardhur edhe si turistë”, ka thënë diplomatja greke.

Lidhur me atë se çfarë e pengon Greqinë që ta njohë Kosovë, diplomatja greke ka thënë se nuk flasin për pengesën, por për rrugën që do ta ndjekin. “Në një moment të duhur do të marrim vendimin e duhur. Kjo është një çështje që kërkon një momentum të duhur politik. Janë shumë faktorë që kanë të bëjnë me këtë punë, situata e brendshme politike, rajoni, konstituimi i Qeverisë, e shumë faktorë të tjerë që imponojnë një proces që nuk është shumë i thjeshtë. Kemi një qark të mbyllur në politikën greke, është një çështje që unë do ta diskutoj me qeverinë e ardhshme greke”, u tha studentëve të Universitetit AAB, ambasadorja Konstantina Athanassiadou.

Në këtë ligjëratë me temën “Politika e jashtme e Greqisë”, Athanassiadou, ka folur edhe për historikun e themelimit të kombit modern grek, i cili me vitin 2021 do të festojë 200 vjetorin e lindjes./Epoka e re/

Më Shumë

Rikthehet Superliga, vëmendja tek Malisheva–Drita

Pas pushimit për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve, këtë vikend rikthehet Superliga me xhiron e 27-të. Këtë javë na presin dy ndeshje shumë interesante....

Dhimbja

Skënder Berisha Nganjëherë më ngjan se nuk e njoh Pas bredhjeve vjen në tjetër trajtë E lyer me tjera ngjyra Si blerim i shkrryer Si dritë e errësuar Që përvidhet...

Lajmet e Fundit