25.8 C
Prizren
E hënë, 15 Gusht, 2022

Kosova e vogël për një “Republika Srpska”

DusanJanjicDusan Janjic thotë se zgjedhjet në Veri janë bërë apostafat për të fituar serbët. Kjo nuk i duket demokraci, por mendon se bëhet për arsye sigurie. Sa për Bashkësinë e Komunave Serbe, është i sigurt se ajo do të funksionojë në përputhje me Ligjet e Kosovës.

Përsëritja e zgjedhjeve në 3 qendra votimi në Veri të Mitrovicës, përveç që do të legjitimojnë udhëheqjen e 4 komunave me shumicë serbe, do të prodhojë edhe diçka tjetër.

Rivotimi do të krijojë një asociacion komunash që u jep lidhje speciale me Serbinë, falë marrëveshjes në mes Kryeministrave Thaçi-Dacic.

E ky asociacion mund të jetë gjithçka tjetër, por jo një ‘Republika Srpska’, thotë analisti beogradas Dusan Janjic, në një intervistë për lajmi.net.

Janjic tha të shtunën për lajmi.net se përsëritja e votimeve në Veri të Mitrovicës, do të përcillet me një atmosferë të qetë, pasi që, sipas tij, për një gjë të tillë janë angazhuar të gjitha strukturat e sigurisë.

“Zgjedhjet janë përsëritur për të pasur sukses. Për këtë ka edhe një pajtim të përbashkët politik në mes të Qeverisë së Serbisë, Grupit të Quint’it, dhe prezencës ndërkombëtare në teren, por po e shoh që as Prishtina nuk ka asgjë kundër. Kur them se do të kenë sukses, kam parasysh mobilizimin e KFOR’it dhe EULEX’it për të mos lejuar pengimin dhe dhunën”.

Sipas Janjic, këto zgjedhje janë të destinuara për të nxjerrë një kryetar serb në Mitrovicën e Veriut. Kjo, thotë ai, nuk ka të bëjë aspak me një proces demokratik, përveç që premton një ambient më të qetë atje.

“Sa u përket zgjedhjeve, mendoj se ato janë bërë apostafat që të fitojnë serbët, ndoshta edhe në raundin e parë. Mund të them se kjo nuk është demokraci, por me sa duket kjo po bëhet më shumë për arsye të sigurisë, sesa në favor të një procesi fer dhe demokratik”.

“Kjo është bërë për të mos pasur ndarje, pasi që dihet se këto janë zgjedhjet e para. Edhe faktori ndërkombëtar, por edhe Prishtina e Beogradi, kanë si synim që serbët të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës, pasi që është më mirë që të rregullohet çështja tyre në mënyrë institucionale sesa përmes rrugës, duke krijuar barrikada dhe gjëra të ngjashme”.

Gjatë një vizite të bërë në kohën e fushatës parazgjedhore në Kosovë, Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic pati thënë se Bashkësia e Komunave Serbe do të jetë një pjesë e Serbisë brenda Kosovës. Lidhur me këtë, Janjic shpreh brengën se në rast se Serbia dëshiron që përmes kësaj bashkësie të përzihet në politikat e Prishtinës, atëherë kjo mund të dërgojë deri te krijimi i një konflikti të ri.

“Ka interpretime të zyrtarëve serbë që pas krijimit të Bashkësisë së Komunave Serbe do të ketë legalizim të institucioneve paralele serbe, dhe nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë kjo mund të konsiderohet si dështim i bashkësisë ndërkombëtare”.

“Por, unë mendoj se kjo është një propagandë politike. Unë mendoj se ky institucion do të funksionojë në përputhje me statutin dhe ligjet e Kosovës”.

“Në rast se nuk do të funksiononte si i tillë, atëherë do të kemi një konflikt të ri, ku Bashkimi Europian do të shfrytëzonte mekanizma të tjerë që të bëjë ndryshime në politikën e Beogradit”.

Janjic është i bindur që kjo bashkësi komunash do të funksionojë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe se nuk do të lejohet krijimi i një Republika Srpska brenda Kosovës.

“Në rast se do të ketë konflikt, atëherë do të mund që në të, të përfshihen të gjitha komunat e kësaj bashkësie, përfshirë edhe ato në qendër të Kosovës. Por, mendoj se një gjë e tillë do të mund të evitohej përmes politikës dhe jo përmes krijimit të një Republika Srpska të re”.

“Nuk ka mundësi që të krijohet një Republika Srpska në Kosovë, pasi që bashkësia ndërkombëtare është duke u munduar që të krijojë institucione të përbashkëta, e dyta se Republika Srpska ka qenë si derivat i luftës dhe dëbimit etnik, dhe arsyeja e tretë është se pjesa veriore është e përbërë me rreth 30 për qind banorë shqiptarë, por ka edhe komuna që janë 50 me 50. Pra, ndarja është absolutisht e parealizueshme”.

“Mbi të gjitha, një shtet i cili ka rreth 2 milionë banorë nuk mund ta përballojë edhe një shtet të ri brenda vetes. As komuniteti serb nuk ka kapacitet që ta përballojë formimin e një shteti të ri”.

“Është e vështirë të thuhet se si do të funksionojë kjo bashkësi komunash serbe, pasi nuk ka një statut të dalë nga bisedimet. Por, unë mendoj se kjo do të jetë një autonomi funksionale, por jo autonomi regjionale. Në këtë bashkësi, mendoj se do të ketë autonomi në aspektin e arsimit, kulturës, rregullimit të ambientit, siç është mirëmbajtja e rrugëve rajonale”, thotë Dusan Janjic.

Më Shumë

Shtylla e ndriçimit publik rrezikon qytetarët afër Stacionit të Policisë në Prizren

Një shtyllë elektrike e dëmtuar e vendosur në skaj të rrugës në Prizren afër Shadërvanit, po rrezikon qytetarët që jetojnë aty si dhe kalimtarët...

Ukrainasit arrestojnë 400 të dyshuar si bashkëpunëtorë të rusëve

Qindra persona janë arrestuar në rajonin Mykolaiv në jug të Ukrainë nga 5 deri më 8 gusht – nën akuzën se po bashkëpunojnë me...

Lajmet e Fundit