Dhjetëra qytetarë kaluan mbi trupin e saj javën që shkoi, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Një shkrepje, që doli të jetë nga armë me gas, bëri që turma në panik të shkel mbi 40 veta në festën e birrës që për pak sa nuk u kthye në tragjedi.
Njëra nga ta ishte edhe Besa.
Të enjten në mesnatë ajo pësoi shok.
Dikush nga afër banesës së saj sulmoi me mina edhe ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u alarmuan të gjitha institucionet.
“Mendja menjëherë më shkoi te ISIS. Thash na goditën edhe neve pasi krejt botën e terrorizuan”, thotë ajo.
“Qytetarëve u ka hyrë frika”, thonë ekspertët e sigurisë një ditë pas tronditjes edhe më të rëndë në kryeqytet.
E kjo po rritet edhe më shumë derisa kryesit e veprave nuk po arrihen të kapen nga policia.
Që nga viti i kaluar kur cak ishin veturat zyrtare të institucioneve të Kosovës pasiguria e qytetarëve vetëm se është shtuar.
Fajin për një pasiguri të tillë qytetarët ua hedhin vet atyre të cilët po sulmohen.
“Aspak, siguri nuk ka askund, sidomos pas këtyre rasteve që ndodhin dhe që nuk na sherbejnë për asgjë. Këto raste janë shumë të dëmshme dhe duhet gjykuar të gjithë që i bëjnë. Qeveria gjithëhere ka faj, sepse duhet me ju parapri gjërave në mënyrë që me i parandalu veprat e këtilla”, është shprehur një qytetar i Komunës së Prishtinës.
Njësoj sikur ky i fundit, edhe një qytetar, nga Komuna e Lipjanit, fajtor kryesor për pasiguri e lë Qeverinë, derisa për të nuk ka shpëtim nga kjo situatë nëse turma prej 100 mijë njerëzve nuk proteston në shesh.
“Megjithatë, barrën kryesore e mban Qeveria, sepse krejt këto vijnë nga shkaqe si shpëlarja e parave dhe mbi të gjitha krimi sistematik që nga pas lufta. Ne nuk meritojmë më shumë, sepse pa dal në rrugë 50 mijëshi, 100 mijëshi, me javë, me muaj, kurrë kjo qeveri nuk rrëzohet. Në mënyrë institucionale nuk ka shancë”, ka thënë Isa Bahtiri nga Lipjani.
Por ka edhe nga ata që mendojnë se nuk duhet shqetësuar për një gjendje e tillë.
Për Rexhep Murturin nga Klina, nuk janë aspak tragjike sulmet e tilla, derisa, thotë se nëse ka qenë një organizim u takon organeve të merren me këtë punë.
“Këto raste ndodhin gjithëkund dhe nuk duhet m’i marr me i ba tragjike këto se çka u ba. Nëse dikush ka qenë i organizuar, atëhere duhet që organet të merren me këto punë. Këto po ndodhin gjithkund, por nuk duhet bërë alaramane këtë punë”, ka thënë për Gazetën Fjala, Murturi.
Njohësit e sigurisë: Mozbulimi i rasteve liri për keqbërësit
Se siguria në Kosovë, është sfiduar mendojnë edhe njohësit e çështjeve të sigurisë.
Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë thotë se sulmi në objektin e Kuvendit të Kosovës është tregues i qartë i situatës vërtetë të sfiduar dhe të rënduar të sigurisë.
“Thjesht, siguria në Kosovë është thellësisht e sfiduar nga faktorë të ndryshëm. Normalisht, është sulm kriminal dhe i papranueshëm për secilin që ka logjikë institucionale dhe shtet-ndërtuese. Është rrezikim i shtetit dhe i të ardhmes sonë të përbashkët”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij, moszbulimi i këtyre akteve u ka dhënë lirinë për të vepruar personave të tillë.
Derisa për të mbetet tëjet e rëndësishme që përveç dënimit deklarativ, autorët e sulmit të kapen me forcën e ligjit në mënyrë që të parandalojnë sulmet e tilla.
E në anën tjetër edhe Blerim Burjani njohës i këtyre çështjeve, thotë se sulmi ndaj Kuvendit, është një krim kundër shtetit .
“Mund të ketë shumë motive por të gjitha këto e kanë një emërues të përbashkët. Jane krime itë drejtuara kundër shtetit dhe qytetarëve e pasurisë publike . Këto akte shëmtuese i japin pasqyrë të keqe demokracisë dhe të ardhmes së Kosovës. Targeti i sulmit mbi kuvendin është krim mbi shtetin e Kosovës”, ka thënë për Gazetën Fjala, Burjani. /GazetaFjala/