18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kosovës i duhet drejtësi dhe zhvillim ekonomik

Korab_Sejdiu-avokat“Rezultati i AKR-së në këto zgjedhje varet nga ajo se sa mund t’ua shpjegojmë qytetarëve të Kosovës zgjidhjet që ne i ofrojmë për problemet kyçe me të cilat ballafaqohet Kosova sot, veçanërisht në kontekstin e sundimit të së drejtës dhe zhvillimit ekonomik”, ka thënë Sejdiu

Ka vendosur që për shkaqe familjare të mos jetë në listën e kandidatëve që AKR-ja i ofron për deputet të Kuvendit të Kosovës. Por, avokati Korab Sejdiu nuk e ka ndërmend të mbetet krejt pasiv në këto zgjedhje. Kandidati i kësaj partie në zgjedhjet e kaluara lokale për kryetar të Prishtinës, ka thënë në një intervistë për gazetën Tribuna se do të mbështesë kandidatët e AKR-së në zgjedhje nacionale.
Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për sundim të ligjit dhe zhvillim ekonomik, të dy këto sfera që AKR i ka të profilizuara më mirë se sa të gjitha partitë tjera politike. Sipas tij, rezultati i AKR-së varet krejtësisht nga aftësia e partisë për t`ua shpjeguar qytetarëve këto dy qëllime të subjektit.

Tribuna: Pse vendoset të mos i hyni garës për deputet?

Sejdiu: Kësaj radhe kam vendosur që të mos i hyj garës për deputet për arsye të natyrës personale. Unë falënderoj shumë z. Pacolli dhe subjektin politik AKR për mundësinë që ma ofruan që të jam pjesë e ekipit të shkëlqyeshëm të AKR-së për deputet, mirëpo, siç edhe e ceka, rrethanat personale nuk më lejuan që kësaj radhe t’i nënshtrohem këtij procesi.
Pavarësisht, unë jam i angazhuar jashtëzakonisht shumë për të mbështetur AKR-në në këto zgjedhje në dy aspekte. Fillimisht, ka muaj që kam hulumtuar problemet rrënjësore të drejtësisë në Kosovë dhe rrjedhimisht kam përgatitur planin qeverisës për sektorin e drejtësisë. Dhe së dyti, po mundohem që AKR-së dhe kandidatëve tanë t’ua jap mbështetjen time të pa rezervë në elektorat, pra në teren.

Tribuna: Si mendoni se do të jetë rezultati i AKR-se në zgjedhjet e 8 qershorit?

Sejdiu: Rezultati i AKR-së në këto zgjedhje varet nga ajo se sa mund t’ua shpjegojmë qytetarëve të Kosovës zgjidhjet që ne i ofrojmë për problemet kyçe me të cilat ballafaqohet Kosova sot, veçanërisht në kontekstin e sundimit të së drejtës dhe zhvillimit ekonomik. Në krahasim me të gjithë të tjerët, ne kemi planet më konkrete në këto dy sfera jetike për Kosovën, dhe neve na mbetet që këto zgjidhje t’ua shpjegojmë edhe qytetarëve. Pra, suksesi ynë varet nga ajo se sa mund t’ia komunikojmë qytetarëve këto zgjidhje dhe t’i bindim ata që të na e japin mundësinë që të punojmë për të mirën e tyre. Nëse ne arrijmë për ta përçuar porosinë tonë tek qytetarët, nuk ka arsye pse mos të jemi ndër partitë me rezultatet më të mira në këto zgjedhje.

Tribuna: Çfarë porosie ke për ata që do donin ta votonin Korab Sejdiun?

Sejdiu: Edhe pse aktualisht nuk ekziston mundësia që të votohet Korab Sejdiu drejtpërdrejtë, sepse nuk jam kandidat, vota për AKR-në është votë për Korab Sejdiun dhe të gjithë kuadrat e tjera që ofron AKR, qofshin në listë për deputetë apo që veprojnë në prapavijë si unë. Pra, të gjithë ata që dëshirojnë të votojnë për zgjidhjen e problemeve me të cilat po i sfidon gjendja aktuale, do duhej votuar për AKR-në, si një subjekt që gjithmonë do t’i ofrojë vendit kuadrat më të mira të mundshme, përherë për t’i shërbyer qytetarit.

Tribuna: Cilat janë arsyet se pse duhet votuar AKR?

Sejdiu: Disa nga arsyet veç i preka. Mirëpo, më konkretisht, AKR ka paraqitur një program për zgjidhjen e debaklit në drejtësinë Kosovare, që ka shndërruar pothuajse të gjithë qytetarët e Kosovës në viktima. AKR është e vetmja që ka kuptuar që sundimi i së drejtës është parakusht jo vetëm për zhvillim ekonomik, por edhe për përmirësimin e të gjithë sektorëve të tjerë. Dhe është e vetmja që ka vullnetin politik për ta ndryshuar gjendjen e pakënaqshme aktuale. Prandaj, ne ofrojmë zgjidhje teknike për drejtësinë kosovare, të hulumtuara mirë me vite, të studiuara thellë dhe të përgatitura enkas për rrethanat e drejtësisë kosovare. Plani ynë parasheh zgjidhje për të gjithë sektorët e drejtësisë, përfshirë këtu ndër të tjera, gjykatat e rregullta, prokurorinë, Gjykatën Kushtetuese, arsimimin ligjor, korrupsionin, eliminimin e lëndëve të vjetra, e kështu me radhë. Pa dashur që t’i shpalosim të gjitha në këtë intervistë, mund t’ju them se nëse ne na besohet qeverisja mbi sektorin e drejtësisë, deri në fund të mandatit, qytetarët do të jenë dëshmitarë të ndryshimeve të dukshme në këtë sektor.
E tërë kjo, tregon për seriozitetin që AKR i ka kushtuar sundimit të së drejtës. E kjo, përpos planit ekonomik, që siç është cilësuar nga ekspertë ekonomikë vendorë dhe të huaj si i vetmi që është i zbatueshëm në Kosovë dhe që i garanton qytetarëve të Kosovës mirëqenie.

Tribuna: A prisni proces të rregullt zgjedhor më 8 qershor, duke pasur parasysh afatet e shkurtra për organizimin e tyre?

Sejdiu: Mund të them se shpresoj për proces të rregullt, edhe pse rregullsia e procesit varet nga organet e rendit dhe nga vet qytetarët. Kam thënë gjithmonë se parregullsitë në zgjedhje nuk rezultojnë nga ligje të këqija, mirëpo nga njerëz të ligë që keqpërdorin ligjet dhe tërë procesin. Prandaj, për të evituar parregullsi të tilla që kemi parë në të kaluarën, unë shpresoj dhe bazohem në kryerjen e detyrave nga ana e organeve të rendit dhe ndjekjes, por edhe në vigjilencën e të gjithë qytetarëve.

Tribuna: Si i shihni koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve?

Sejdiu: Besoj se është herët të flitet për koalicione pas-zgjedhore, duke pasur parasysh se ende nuk dihen përqindjet që qytetarët e Kosovës do t’ua besojnë partive politike. Mirëpo, sa i përket AKR-së, ne jemi të hapur për koalicione me të gjithë ata që ia duan të mirën vendit dhe që kanë programe me të cilat programe unë mund të ketë sinergji, por definitivisht jo me ata që e kanë sjellë vendin në gjendjen aktuale të mjerë.

Tribuna: A mendoni se AKR nuk rrezikon të mbetet nën pragun elektoral të nevojshëm për të bërë grup parlamentar?

Sejdiu: Sipas asaj se çka po shohim në terren, besoj se AKR qëndron mjaft larg këtij rreziku, përkundër dëshirës apo predikimeve të disave që po e shfaqin këtë drojë. Mirëpo, zgjedhjet e fundit na treguan se qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar shumë dhe kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet e tyre të përditshme. Duke pasur parasysh se ne i ofrojmë këto zgjidhje, dhe ndoshta jemi të vetmit që po e bëjmë këtë, atëherë, mund të kuptohet se edhe besimi i qytetarëve do të vije tek ne, jo vetëm për të kaluar pragun, por edhe për të korrur rezultate shumë më të kënaqshme për AKR-në, dhe rrjedhimisht, për qytetarët e Kosovës. Unë shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj mijëra mbështetësit që ditët e kaluara më kanë kontaktuar dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre për zgjedhjet që na presin. Dhe njëkohësisht, shfrytëzoj këtë rast që t’i uroj qytetarëve të Kosovës zgjedhje të rregullta dhe të suksesshme, me shpresë se vota e tyre do t’i japë mundësi qeverisëse vetëm atyre që ia duan të mirën këtij vendi.

Më Shumë

Fitore e ngushtë: Liria mposht Prizrenin me gol të Bashës

Në një përballje miqësore në fushën e lojës, FC Liria doli fituese me rezultatin 1:0 kundër FC Prizrenit. Goli i vetëm dhe vendimtar për...

Merret vendimi: BE ua heq vizat serbëve të Kosovës me pasaportë të Serbisë

Këshilli Evropian ka vendosur që t’ua liberalizojë vizat serbëve të Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë që lëshohen nga Drejtoria Koordinuese e shtetit serb. “Këshilli...

Lajmet e Fundit