10.6 C
Prizren
E enjte, 1 Maj, 2025

Krasniqi: Dështimi i vizitës së Thaçit në Beograd, fitore e Kosovës

Analisti politik Milazim Krasniqi e ka komentuar anulimin e ftesës për pjesëmarrjen e ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçit, në konferencën për integrimet evropiane të Ballkanit Perëndimor me temën “Bashkërisht mundemi më mirë”, që mbahet më 24 prill në Beograd.

Krasniqi në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se gatishmëria e ministrit Thaçi për të shkuar në Beograd dhe kundërshtimi i Serbisë ndaj kësaj vizite është një fitore për Kosovën. Ai ka thënë se kjo tregon se Serbia është prapa Republikës së Kosovës në aspektin e frymës së integrimeve evropiane.

“I kam parë edhe opinionet e analistëve serbë dhe Dushan Janjiqin që është analist i njohur serb, duke u shprehur në gjuhën sportive, se kjo është fitore e Kosovës 3 me 0. Padyshim se gatishmëria e zëvendëskryeministrit Thaçi për të shkuar në Beograd dhe reagimi i ashpër i qeverisë serbe kundër kësaj vizite tregon se Kosova është një hap përpara në aspektin e realizimit të frymës së Brukselit, të frymës së integrimeve dhe bashkëpunimit rajonal, ndërsa Serbia ka ngecje serioze në këtë aspekt”, ka thënë Krasniqi.

Kundërshtimi i fuqishëm i institucioneve serbe ndaj kësaj vizite, sipas Krasniqit, ka treguar se tani për tani nuk ka kushte të realizohet një vizitë e tillë.

Ai ka bërë me dije se kjo mosgatishmëri e Beogradit për të realizuar këtë vizitë flet për dobësitë e shtetit serb dhe për joseriozitetin e qeverisë serbe për t’i përmbushur obligimet ndërkombëtare.

“Duke e parë reagimin e kryeministrit të Serbisë, ministrit të Brendshëm, prokurorit, të cilët janë deklaruar kundër vizitës së Thaçit, është kuptuar se nuk ka kushte për realizimin e kësaj vizite, sepse Serbia dhe opinioni serb nuk kanë qenë të gatshëm të ballafaqohen me këtë vizitë. Kjo flet për dobësitë e shtetit serb, flet për joseriozitetin e qeverisë serbe, e cila ende nuk është e aftë t’i përmbush plotësisht obligimet që ka marrë nga procesi i Brukselit. Pra, realiteti është se Serbia nuk është plotësisht e gatshme ta përballojë vizitën e Thaçit”, ka vlerësuar Krasniqi.

Ai ka deklaruar se qëllimi i procesit të Brukselit ka qenë dhe mbetet normalizimi i raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke shtuar se në këtë kontekst fryma e Brukselit nënkupton edhe zhvillimin e vizitave të ndërsjella në Beograd dhe në Prishtinë.

Sipas tij, me veprime të tilla Serbia po tregon se ende nuk është shkëputur nga mentaliteti i Millosheviqit.

“Serbia po dëshmon se nuk është çliruar plotësisht nga stereotipat e së kaluarës së kohës së regjimit të Millosheviqit. Thjesht, nuk është plotësisht e gatshme të përballet me të kaluarën. Në këtë rast, figura e Hashim Thaçit është si një lloj letre lakmuese që tregon qartë se në Serbi ende nuk ka vdekur fryma e Millosheviqit”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka vlerësuar se paralajmërimi i zyrtarëve të lartë të Serbisë për ta arrestuar Thaçin, me të cilin kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, tregon për mjerimin e politikës serbe.

“Kjo tregon mjerimin e politikës serbe, sepse në njërën anë qeveria serbe ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me Hashim Thaçin, ndërsa në anën tjetër thotë se ka ndjekje penale ndaj tij. Në fakt, kjo tregon mjerimin e politikës serb, tregon për hipokrizinë e saj, ngase po luan me dy fytyra ndaj Brukselit. Këtë politikë e quaj skizofrenike, sepse është e ndarë: është edhe me Brukselin, edhe kundër Brukselit. Si e tillë, kjo politikë në instanca të fundit tregon se ende nuk është shkëputur nga mentaliteti i vjetër dhe se rruga e saj drejtë integrimit evropian do të jetë ende e vështirë”, ka deklaruar analisti Milazim Krasniqi. /Epoka e re/

Më Shumë

Kuvendi i Dragashit anulon vendimin për kompensimin e shujtave për administratën

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Dragashit duke marrë për bazë rekomandimet e nivelit qendror kanë anuluar vendimin lidhur me kompensimin e shujtave për...

Përmes votës, banorët zgjedhin prioritetet në Hoçë të Qytetit dhe Mushnikovë

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se praktika e buxhetimit me pjesëmarrje ka vazhduar me takimet në fshatrat Hoçë e Qytetit dhe Mushnikovë, në të...

Lajmet e Fundit