20.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Krisje e madhe në koalicionin e elefantëve

“Kjo gjë po faktohet ditaditës e më shumë, ku shihet se çfarë bëhet në Kuvend, duke bllokuar projektligje për interesa personale e partiake apo edhe për prestigj. Njëkohësisht në Kosovë vota e popullit ka kohë që nuk ka vlerë. Një pjesë prej votuesve manipulohen financiarisht, disa të tjerë e aplikojnë votimin familjar në bazë të akronimeve dhe pjesa tjetër janë ata, që votojnë për arsye se janë të punësuar nëpër institucionet shtetërore të politizuara”, thekson analisti Albrim Badallaj, shkruan Gazeta Kosova Sot

Seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës, që vijoi punimet në dy ditët e fundjavës së kaluar, dhe do të vazhdojë në disa pika të mbetura edhe sot, po dëshmon më së miri se koalicioni i madh PDK-LDK, sado i fuqishëm që është numerikisht me numrin e deputetëve, nuk është aspak funksional në interesin e qytetarit, se nga çarjet e brendshme që po hetohen herë pas here, kësaj lidhjeje politike të të ashtuquajturve “elefantë”, shumë shpejt mundë t’i vijë fundi.

Analistët politikë këtë bindje e kanë përfituar pikërisht nga çarja e madhe që ndodhi në koalicionin qeverisës, me rastin e votimit për Ligjin për investimet strategjike, i cili mori vetëm votat e LDK-së, derisa jo vetëm që nuk u votua nga PDK-ja, por edhe u kritikua e u kundërshtua fuqishëm nga shumica e deputetëve të PDK-së. Sipas analistëve, seanca e fundit e Kuvendit ishte një nga pasqyrat më të qarta që flasin se ky koalicion nuk e ka gjatë, dhe se secili partner i koalicionit lufton për interesat e veta personale, klanore e grupore në pushtet.

Ndryshe sa i takon votës së dhënë nga qytetarët për përmirësimin e jetës së tyre, sjelljet e atyre që e kanë pushtetin po tregojnë se në Kosovë vota qytetare bëhet e parëndësishme dhe e pavlefshme, pavarësisht që qytetari voton me shpresë se pushtetarët do të punojnë ashtu siç premtojnë, derisa ata pasi rehatohen në pushtet, gënjejnë e mashtrojnë, e në fakt gjithmonë ndodh e kundërta.

“Mosmarrëveshjet dhe acarimi i fundit në mes të kryeministrit të Kosovës, Mustafa, dhe kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Veseli, tregojnë së koalicionit i ka ardhur fundi dhe janë rritur kundërshtimet brendapërbrenda tij. Koalicioni qeverisës e ka harruar qëllimin e tij, të cilin e ka marrë mbi supet e veta, premtimet gjatë fushatës zgjedhore, për përmirësimin e mirëqenies sociale, ku kanë krijuar një atmosferë, e cila Kosovën e ka bërë të pavlefshme për qytetarët saj. Ky koalicion, kjo klasë politike, po lufton për interesat e veta personale, klanore e grupore, kur është në pyetje vendimmarrja për çështjet kyçe të kontrollit të planeve strategjike ata shikojnë vetëm apo u luan ndonjë send për interesin e grupit klientelist, siç ishte edhe deklarata e Mustafës se hartat demografike dhe ushtarake janë të pavlefshme për Qeverinë e Kosovës dhe ne e njohim vetëm vlerësimin e komisionit aktual, që do të thotë se biznesi është me i rëndësishëm sesa kufijtë shtetërorë”, është shprehur analisti Islam Krasniqi për Kosova Sot.

Politologu Arsim Haziri vlerëson se koalicioni i oligarkëve përfundimisht po shkon drejt përçarjes, dhe është çështje kohe se kur do të ndodhë shkurorëzimi i lidhjes së panatyrshme, që është bërë për interesa personale dhe klienteliste.

“Ky fenomen i thellimit të përçarjes, ta quajmë ashtu, është në vazhdën e kundërshtimeve që janë duke i shprehur partnerët e koalicionit. Ka pritshmëri rreth thellimit akoma edhe më të madh dhe përçarja është e pashmangshme. Injorimet, kundërshtimet që ndodhën në seancën e fundit, shpërfaqin dëshminë më të qartë se ky partneritet i ndërtuar mbi bazën e pakë- naqësive dhe kundërshtimeve edhe për pak kohë do të jetë krejtësisht jofunksional”, shprehet Haziri.

Koalicionin e sheh jofunksional dhe para shpërbërjes edhe analisti politik, Blerim Burjani.

“Ky koalicion po shihet ashiqare që nuk e ka shumë gjatë, por do të qëndrojë në mënyrë të brishtë. Me rëndësi është që tani ky koalicion në mënyrë dinamike dhe sistematike t’i përmbushë disa nevoja personale e partiake dhe të gjitha të tjerat së bashku aq sa do të arrijnë, ngase të dy palët vazhdojnë të dërgojnë akoma njerëz gati, në mënyrë dhe masë të barabartë nëpër të gjitha institucionet e pavarura, nëpër borde madje edhe në ambasada. Sa i takon teatrit me Ligjin për investime strategjike ai nuk u kalua, dhe është e pritshme që të mos kalojë, derisa kemi një pushtet ku akoma kontrollon pamëshirshëm pasurinë publike e që shtrihet deri në disa segmente të sektorit privat. Askush nuk merr përgjegjësi pse dështoi ‘Brezovica’ dhe askush nuk brengoset pse dështon Ligji për investimet strategjike, sepse gjithç- ka sot po i nënshtrohet kontrollit direkt të politikës. Tani ky kuvend nuk e ndien fare përgjegjësinë që ka para sovranit, që i ka zgjedhur ata deputetë. Deputetët e kanë bërë një lloj rutinë shkuarjen në seancë vetëm hyrje- dalje e regjistrim sa për mëditje, nuk shkojnë në seancë në funksion të përgjegjësisë për qytetarin që i ka votuar, sepse shumë nga ata kanë edhe pakënaqësitë ndaj shefave të tyre”, spikat Burjani. Ai tutje shton: Tani ata nuk kanë edhe shumë presion nga shefat e tyre, prandaj po shihet që është bërë praktikë të mos shkojnë fare në Kuvend për të adresuar përgjegjësinë në funksion të votimit për vendime serioze”, thotë Blerim Burjani për Kosova Sot.

Më Shumë

Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren – Tetovë

Marrëveshja për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, ka nxitur debat të ashpër mes deputetit të PDK-së Ferat Shala dhe...

Ndërron jetë veterani i arsimit prof. Sahit Sahitaj

Ndërroi jetë veterani i arsimit Prof. Sahit Sahitaj, njeriu që kontribuoi në arsimim të brezave të shumtë. I ndjeri ka qenë i padeshiruar për ish...

Lajmet e Fundit