10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

(K)urbanizimi i Prizrenit

harullah cekuShkruan:Hajrulla Çeku

Po bëhen 15 vjet prej se na është mohuar e drejta ta shijojmë qytetin në formën që e kemi trashëguar. Këto janë vitet e instalimit të një sistemi të frikës në mesin e qytetarëve nga grupe të forta interesi, të cilat po pasurohen në kurriz të vlerave të qytetit. Urbanizmi në Prizren është dëshmi e dështimit të shtetit dhe e uzurpimit të hapësirës publike në formën më të egër të mundshme. I gjithë ky aktivitet i egër ndërtimi po vazhdon të ndodhë në qendrën e qytetit, duke i sulmuar pamëshirshëm vlerat e trashëgimisë kulturore. Prizreni, një dekadë e gjysmë pas përfundimit të luftës është shembull i përkryer se si nuk duhet realizuar zhvillimin urban. Qyteti është kurban i interesave të ngushta të grupeve të biznesit dhe politikës, të cilat në sinkron të përkryer po e transformojnë strukturën urbane të qytetit.

Trekëndëshi themelor i urbanizmit brenda Qendrës Historike të Prizrenit përbëhet nga Drejtoria për Urbanizëm, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoria për Inspektorat. Derisa e para lëshon leje urbanistike, e dyta jep pëlqime për respektimin e parimeve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Ndërsa Inspektoratit i mbetet që të monitorojë procesin e ndërtimit bazuar në këto dy dokumente. Ajo që ndodh realisht brenda komunës së Prizrenit është kjo: zyrtarët e urbanizmit thonë që janë në rregull me dokumentet dhe lejet e lëshuara, ndërsa përgjegjësinë për tejkalime dhe ndërtime pa leje ia hedhin Inspektoratit. Këta të fundit thirren në buxhetin e pamjaftueshëm, numrin e vogël të inspektorëve dhe sidomos (ndonëse jo publikisht) në pamundësinë për t’ia ndalë punimet ndërtuesve, të cilët shpesh i përshkruajnë si “të fortë dhe të paprekshëm”. Në gjithë këtë situatë, ai që i ka emëruar drejtorët e këtyre dikastereve, kryetari i komunës, hesht, ndërsa e shumta, flet për kërkesat që ia ka drejtuar drejtorëve të tij për të vënë rregull urbanistik në qytet. Vetëm kaq. As Kuvendi i Komunës nuk mund të amnistohet nga kjo përgjegjësi, pasi që ky institucion e ka miratuar “Planin e Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit”, ndërsa asnjëherë nuk ka kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi i komunës për shkeljen me dy këmbë të këtij dokumenti.

Përgjegjësi direkte për mbrojtjen e qendrës historike të Prizrenit kanë edhe Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse, si dhe institucionet e gjyqësisë. Por, pothuaj asgjë konkrete nuk është ndërmarrë deri sot nga këto institucione. Për më tepër, janë pikërisht njerëzit e partive politike në pushtet e në opozitë që janë drejtpërdrejt të përfshirë në praktika degraduese urbane në Prizren. Dhe e gjithë kjo, për shkak të interesit të tyre të ngushtë për përfitim. Kjo gjendje ka shkuar aq larg, sa njerëzit tashmë edhe flasin për emra konkretë politikanësh të fuqishëm, të cilët qëndrojnë pas aktiviteteve degraduese afariste në qendër. Prandaj, thonë ata, askush nuk guxon t’ia rrënojë objektin. Më e keqja, ky lloj dorëzimi karshi njerëzve të fuqishëm është duke e legjitimuar këtë gjendje të degraduar të qytetit. Ky dorëzim po shndërrohet në normalizim dhe pranim të realitetit të ri e të degraduar të qytetit.

Qendra historike e qytetit nuk i ka shpëtuar viktimizimit nga sistemi i ri i “vlerave” pas lufte, që karakterizohet me mungesë totale të llogaridhënies e përgjegjësisë dhe me kulturë të mosndëshkimit. Në një mjedis të tillë, grupet e interesit kanë arritur që paratë e fituara në rrugë joformale t’i shpërlajnë përmes ndërtimeve të shumta, gjatë të cilit proces ata i kanë korruptuar edhe zyrtarët e qeverisë lokale. Esencialisht, problemi qëndron në mosndalimin dhe mosndëshkimin e veprimtarisë ekonomike joformale nga institucionet e shtetit. Rrjedhimisht, është pothuaj absurde të pritet që i njëjti shtet të vendosë rregull dhe të ndalojë aktivitete degraduese ndërtimore në qendrën historike të qytetit. Sektori i ndërtimeve në Kosovë vazhdon të jetë njëri ndër më të përfolurit për keqpërdorime dhe korrupsion. Konkretisht, disa zyrtarë të komunës së Prizrenit dhe disa kompani ndërtimi janë nën hetime nga Prokuroria Themelore për parregullsi urbanistike.

Gjendja nuk është aspak më e mirë në pjesët e tjera të qytetit. Nuk ekziston as edhe një plan rregullativ urban që është zbatuar në përpikëri. Në nivel të qytetit, rreth 80 për qind e aktiviteteve ndërtuese nuk i përmbahen planeve, lejeve dhe pëlqimeve përkatëse. Është pothuaj e pamundur të gjendet një ndërtesë e banimit kolektiv që nuk është ndërtuar me së paku një ose dy kate më shumë sesa parasheh leja e ndërtimit. Është pothuaj e pamundur të qëndrojnë më gjatë se një gjysmë dite shiritat rrethues të inspektorëve të komunës në objektet në ndërtim e sipër që kanë tejkalime. Gjithashtu është pothuaj e pamundur të gjendet ndonjë rast kur komuna ka larguar pjesën e jashtëligjshme të ndonjë objekti. Marifeti i fundit i zyrtarëve të komunës ka qenë miratimi me nguti i një rregulloreje që parasheh legalizimin e ndërtimeve pa leje, me shpresën që me këtë veprim do t’i zgjidhin të gjitha problemet urbanistike të qytetit. Përveç që është kopje e keqe e Prishtinës, kjo rregullore është edhe e kundërligjshme, pasi që Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka miratuar Ligjin për Legalizimin e Ndërtimeve pa Leje.

Edhe pse mund të jetë tepër vonë, qyteti e ka një mundësi shpëtimi. Hapi i parë është vendosja e moratoriumit dhe mosdhënia e pëlqimeve dhe lejeve të ndërtimit në qendrën historike për një periudhë dyvjeçare. Paralelisht, duhet bërë vlerësimin e dëmeve që i kanë shkaktuar qendrës historike gjatë gjithë këtyre viteve. Në anën tjetër, duhet filluar rrënimi i të gjitha objekteve (ose pjesëve të caktuara) që nuk i përmbahen lejeve të ndërtimit. Të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në krimin urbanistik të qytetit duhet të marrin dënimin e duhur. Qendra historike duhet të shndërrohet në shtyllën qendrore të planifikimit zhvillimor të qytetit. Restaurimi dhe menaxhimi i pronave të trashëgimisë kulturore duhet të jetë prioritet qendror i qeverisjes. Dhe mbi të gjitha, qytetarët e Prizrenit duhet të jenë pjesë esenciale të këtyre veprimeve. Mënjanimi i frikës nga ideja që të fuqishmit janë të paprekshëm është parakusht i aktivizimit qytetar në Prizren. Kjo është e vetmja mundësi që qyteti t’u kthehet përsëri qytetarëve.

Në të kundërt, dhe nëse degradimi do të vazhdojë të transformojë edhe më tej strukturën urbane të qytetit, atëherë nuk na mbetet tjetër veçse t’ia ndërrojmë edhe emrin qytetit dhe t’i ftojmë politikanët për prerjen e shiritit. Për hair qyteti i ri. A keni ndonjë ide për emër?

(Autori është drejtor ekzekutiv i OJQ-së “EC Ma Ndryshe”)

Më Shumë

Malishevë: Dorëzohen çelësat e 10-të shtëpive për familjet në nevojë

10 familje që jetojnë në kushte të rënda ekonomike në komunën e Malishevës, janë bërë me shtëpi banimi. Lajmi u bë i ditur nga kryetari...

Sot mot me diell e me vranësira

Të dielën mbrëma pati mot me shi, ndërkaq në disa zona ra edhe borë. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme pritet të mbajë mot me diell...

Lajmet e Fundit