14.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Kush e djeg librin…

Faton mehmetiShkruan: Faton Mehmeti

Figura e diktatorit Enver Hoxha në Kosovë, gjatë kohës kur ai ishte gjallë, ishte e pranueshme në një masë të madhe. Ndërsa pas rënies së komunizmit në Shqipëri, dolën në pah vuajtjet e vërteta, që kishin përjetuar për gjysmëshekulli shqiptarët. Duhet theksuar se Enver Hoxha tregonte se e njihte mirë gjendjen në Kosovë, kur bënte përgjegjës kryesor të politikave antishqiptare klanin serb, të përfaqësuar nga Dushan Mugosha. Pra, Hoxha i përcillte me vëmendje zhvillimet në Kosovë, edhe pse nuk bëri politikë kombëtare, por vetëm ideologjike. Për figurën e Hoxhës janë shkruar shumë libra, por e para biografi e bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën, është një libër i botuar në vitin 2011 nga një gazetar. Një libër që sjell fakte mbi krimet e tij të pashlyera ndaj kundërshtarëve politikë. Hoxha e dinte se nuk do të jetonte përjetësisht, ndaj donte që të bënte hi e pluhur gjithçka, pasi ai të ikte nga ajo jetë.

S’do mend se pjesa e atyre që urrejnë figurën e tij e pëlqyen këtë libër. Në pamundësi që të pranonin faktet e vërteta, se Hoxha ishte një kriminel dhe sadist, që mbi kurriz të gjakut të të tjerëve po jetësonte dinastinë e tij shtypëse ndaj popullit shqiptar, më 29 dhjetor 2011, përkrahësit e Frontit Popullor për Kultivimin e Veprës Revolucionare të Enver Hoxhës në Ferizaj, dogjën librin në fjalë. Ata vlerësuan se ky libër përfaqëson një propagandë të egër kundër kësaj figure, që tashmë po e bën një grup i caktuar në Shqipëri, sikurse është nipi i Esat Pashës. Enveristët e arsyetuan djegien e librit me bindjen se ai “është i falsifikuar fund e krye”. Bashkë me të, dogjën edhe një botim të vitit 1981. Ndonëse çdo njeri ka të drejtën e tij të admirojë apo jo dikë, djegia e një libri në Ferizaj më sjell ndërmend se, pikërisht në qytetin tim, publikisht me vendim gjyqësor, është djegur libri me titull “Katërmbëdhjetë autorë”. Ky libër është një antologji poetike, e botuar në vitin 1985, nga katërmbëdhjetë autorë nga Ferizaj. Ai është i pari libër në Kosovë, i djegur me vendim gjyqësor nga organet serbe. Ky libër u dogj me motivacionin “se ishte kundër frymës jugosllave”.

Paralelizmi vë në pah një të vërtetë të pakontestueshme, se njerëzit që djegin libra, qoftë individualisht apo në grup, janë njerëz që nuk e pranojnë të vërtetën dhe fshihen pas gënjeshtrës. Bindjet refraktare janë të tepërta për shoqërinë. Parime të demokracisë janë toleranca dhe respektimi i bindjes së tjetrit, ndaj kujtoj se, do të ishte e udhës që autori i librit të Hoxhës të vinte në Ferizaj dhe të debatonte me qytetarët, qofshin këta enveristë ose jo. Ferizaj është qytet i vlerave të vërteta kombëtare dhe një grup i vogël njerëzish nuk mund të merret si bazë përgjithësuese se Ferizaj është qytet që ende ruan kujtimin për diktatorin Hoxha. Për mbi 95 për qind të popullit shqiptar, si në Shqipëri edhe në Kosovë, diktatori Enver Hoxha është figurë djallëzore dhe pavarësisht disave, ai s’mund të ngrihet lart, pasi biografinë e tij e ka nxirë vetë me veprimet e tij kriminale, duke vrarë popullin e tij dhe duke e izoluar nga bota për gjysmë shekulli!

Më Shumë

Diell dhe vranësira, priten edhe reshje shiu

Për të mërkurën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku lokalisht pritet të ketë reshje shiu, kryesisht në sasi të pakta. Sipas MeteoKosova...

Aksion simbolik në Prizren: Mbillen 30 fidanë në shenjë të Ditës së Tokës

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prizren, ka organizuar sot një aksion simbolik për mbjelljen e 30 fidanëve për shënimin e Ditës së Tokës dhe...

Lajmet e Fundit