14.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kushtrim Hoxha: Në Kosovë ka vdekur ideali për artin

Kushtrim HoxhaAi është tashmë 36 vjeçar, dhe sapo ka përfunduar magjistraturën për teatër, në një Universitet të San Diegos, i cili i mundësoi që përgjatë këtyre studimeve tre vjeçare ta angazhoj Kushtrim Hoxhën në 12 shfaqje, 10 prej tyre të Shekspirit. Hoxha ka zgjedhur që këtë pjesë të pushimit ta shijoj në Kosovë. Por, në një intervistë për KultPlus ai ka shpjeguar se këtë pesimizëm që po e sheh te koleget e tij në Kosovë, nuk e kishte parë asnjëherë më parë. Ai ka folur edhe për kapërcimin e tanishëm në New York dhe për nënshkrimin me dy agjensi, njërin për televizion, film e teatër, e tjetri për reklama, sikurse që ka folur edhe për të drejtën e Kosovës për të nominuar filmat për çmimin Oscar. Por, sipas tij, para çmimit, më e rëndësishme është që filmi kosovar fillimisht të krijoj identitet ashtu sikurse kanë krijuar disa shtete që janë treguar të suksesshëm me filmin
Ardianë Pajaziti

KultPlus: Të bësh aktorin në Kosovë dhe të bësh aktorin në Amerikë, çfarë përballje mund të jetë për shpirtin e një artisti?
Kushtrim Hoxha: Unë Amerikën e kam parë në aspektin e mundësisë, atje të jepet mundësia më shumë se sa këtu. Ka aktorë shumë të mirë edhe këtu, ka regjisorë, ka producentë, por mundësitë i kanë të vogla. Ka dramaturg që shkruajnë drama, por dramat e tyre kurrë nuk i kanë dalë në skenë, sepse nuk i është dhënë mundësia. E në Amerikë është ndryshe, më ka dhënë mundësinë edhe përkundër faktit se isha i huaj, më dha mundësi që të luaj shfaqje atje. Ndoshta vazhdon të tingëllojë si klishe, mirëpo me të vërtetë Amerika është një vend i mundësive. Në këtë rast, Kosova as që mund të krahasohet me Amerikën, por edhe nëse do të bënim një krahasim me vendet e rajonit, përsëri Kosova është shumë prapa. Mirëpo, është edhe një detaj tjetër, se aktorët e rinj në Kosovë, akoma pa thith dijen mendojnë se janë të gatshëm që të japin për të tjerët, të ngjiten në skenë, të dalin në seri të ndryshme, u mungon dëshira që të marrin dije. E unë vazhdoj akoma të marr dije. Tash jam 36 vjeçar dhe prapë jam i interesuar të marr dije, ashtu sikurse bëjnë shumica e aktorëve në Amerikë.

KultPlus.com: Ju tashmë pos shkollimit që keni ndjekur në San Diego, jeni të angazhuar edhe në njërin prej teatrove të këtij vendi, më thjeshtë, si është ecja juaj artistike deri më tashti në Amerikë?
Kushtrim Hoxha: Unë në vitin 2012 kam aplikuar për një program në San Diego, një program tre vjeçar për magjistraturë që kryesisht është i lidhur me një teatër profesionist, e në rastin tim është ai i “Old Globe”, që është një teatër 100 vjeçar i vjetër. Universiteti për çdo vit përzgjedhë 7 aktorë, vende këto që synohen prej 2 mijë kandidatëve. Dhe përgjatë këtyre viteve, ne paradite kemi mësuar në Universitet e pasdite kemi qenë në prova të “OldGlobe”, faktikisht isha i punësuar nëpërmjet këtij programi. Aty realizohen 12 shfaqje në vit, e unë kam luajtur në 12 shfaqje për dy vite e gjysmë, 10 prej tyre që janë vepra të Shekspirit pasi që ky teatër ka qasje klasike. Dhe pikërisht përgjatë këtyre viteve unë shijova tri skenat e këtij teatri, që përfshijnë skenën kryesore, skenën e vogël dhe atë verore, e në këtë të fundit kam luajtur gjashtë vepra të Shekspirit. Dhe pas gjithë kësaj përvoje, më 10 nëntor kam përfunduar magjistraturën në këtë universitet, kam diplomuar.

KultPlus: Ndalemi te Shekspiri. Për faktin se ju keni luajtur tashmë kaq shumë shfaqje të këtij autori, si e vlerëson afrinë tuaj me këtë autor sa ishe në Kosovë, dhe tashti kur ke luajtur kaq shumë shfaqje po të këtij autori?
Kushtrim Hoxha: Unë e kam dashur gjithmonë Shekspirin, por nuk e kam kuptuar në këtë aspekt, nuk kam qenë në këtë thelb. Sa kam qenë këtu nuk kemi hyrë thellë, dhe tashti teknikisht e kam mësuar në thelb Sheksprin. Edhe pse, ende është diapazon shumë i gjerë, mirëpo është kënaqësi që të luash në këso shfaqje, me aktorë veteranë që kanë luajtur për 40 deri në 50 vjet në shfaqjet e Shekspirit, në atë mënyrë e mëson më mirë, për këtë fakt ishte kënaqësi që të hyja në këtë botë.

KultPlus: Pas kësaj përvoje në lojën e karaktereve të ndryshme në veprat e Shekspirit, sa do të doje të shihje një shfaqje të këtij autori në Kosovë?
Kushtrim Hoxha: Duhet me pas parasysh që vendet si Anglia dhe Amerika kanë një ndjesi ndryshe ndaj Shekspirit. Këtu nuk bëhen shumë shfaqje të Shekspirtit. Tash është përvjetori i tij dhe nuk kam dëgjuar se është duke punuar dikush dhe as që ka ide për të punuar. Ju kisha sugjeruar që të mendojnë në këtë aspekt, sepse është një ndër dramaturgët kryesorë të botës që e ka ndryshuar teatrin.

KultPlus: Flasim për ndjesinë e skenës atje, të jep të njëjtën ndjenjë çfarë e ke pasur në Kosovë, apo ka diçka më ndryshe?

Kushtrim Hoxha: Normalisht është më ndryshe kur prezantohesh para një audience të vendit tënd, por është kënaqësi edhe kur të prezantohesh jashtë, publiku të mirëpret, thjeshtë je pjesë e asaj bote. Unë mendoj se duhet të adaptohesh në çdo pjesë të botës, këtë jam munduar që ta aplikoj edhe në vetvete. Unë fillimisht e kam pas problem gjuhën, e kam fjalën për shfaqjet e Shekspirit, po të njëjtin problem e kanë edhe aktorët amerikanë, po me kalimin e kohës është përvetësuar.

KultPlus: Ndoshta është herët të flitet për parashikimin e karrierës tuaj. Ju jeni shkolluar për teatër, mirëpo sa jeni duke e synuar edhe filmin në Amerikë?

Kushtrim Hoxha: Gjithsesi, unë tash kam kaluar në Neë York, gjithkund në botë ekziston problemi në kufizimin e punës vetëm në teatër, sepse nuk mund ta mbash vetën vetëm me rolet në teatër. Kështu që jam i koncentruar edhe për televizion dhe për filma. Momentalisht kam nënshkruar për dy agjensione, njëra është për televizion, film e teatër e tjetra është për reklama. Po duhet të kaloj këtë faz pa stres duhet ti jap vetës pak kohë deri në depërtim. Me punë arrihen të gjitha, sikurse që i kam arritë deri më tashti.

KultPlus: Me kolegët, çfarë flitet për Kosovën, e dinin se ku është para se të takoheshin me ty, dhe pos asaj, njihnin ndonjë emër nga arti i Kosovës?
Kushtrim Hoxha: Në këtë program ku kam studiuar unë, kam qenë njeriu i parë që është pranuar e që nuk ka lindur në Amerikë. Ky ka qenë një lloj eksperimenti që e kanë bërë ata me mua. Përndryshe nuk kanë pas asnjë njohuri për Kosovë, sikurse që shumë prej tyre nuk e kanë ditur as se ku është Kosova. Konsideroj se unë jam një lloj përfaqësimi në atë mes.

KultPlus: Flasim për një pjesë tjetër, që ke një ndjesi të madhe, për këngën. Vazhdon të mbetet si paraqitje e kohëpaskohshme, apo mund të ketë një përkushtim më të thellë në këtë drejtim?
Kushtrim Hoxha: Muzikën e kam si pasion, kryesisht kur e bëj një këngë e bëj rrallë, i dedikohem për qejf, e bëj me shumë instrumentistë, por nuk e shoh vetën si këngëtarë. Për fat të mirë disave ju ka pëlqyer ajo çfarë e kam ofruar me këngë, por nuk kam ambicie që të jem një këngëtarë. Muzikën e bëj për vete. Muzikën e bëj për një ikje momentale, çlodhje nga puna që bëj në teatër. E vetmja punë që e bëj mirë mendoj që është aktrimi.

KultPlus: Ju tashmë jeni në Kosovë për momentin, dhe për këtë kohë sa jeni këtu, patë ndonjë projekt të kolegëve tuaj?

Kushtrim Hoxha: Jo nuk kam arrite të shoh asnjë projekt, do të shkoj këto ditë.

KultPlus: A vazhdon interesimi për punën artistike në Kosovë?
Kushtrim Hoxha: Gjithsesi, vazhdon të më interesoj, mirëpo po vërej një lloj pesimizmi shumë të madh, me krejt atë çfarë është duke ndodhur, si në teatër, film e televizion, kurrë nuk e kam vërejte më shumë se sa tashti këtë pesimizëm. Ende nuk e di ku është arsyeja, por e vërej një degradim dhe pesimizëm shumë të thellë.

KultPlus: Nëse do të kishe fuqinë që të flasësh nga brendësia e thellë, çfarë mendon sinqerisht për artin e realizuar në Kosovë, konkretisht për punën në teatro?
Kushtrim Hoxha: Është shumë vështirë të flasësh prej jashtë. E di që nuk janë gjërat e rregulluara me ligj. Këtu duhet gjithsesi që arti me qenë jashtë politikës, nuk duhet që aktori, regjisori të jetë i detyruar që të jetë pjesë e organizmave të shtetit, ose pjesë e një lloj sistemi shtetërorë, ose në momentin që drejtorët po zgjidhen në mënyrë jo normale, atëherë nuk mund të ketë as krijim të shëndoshë. Nuk ka drama të reja, nuk i jepet shansi dramaturgëve të rinj,mendoj se duhet tu jepet mundësi artistëve, jo të ketë monopol, jo të ketë kontroll. Gjithashtu buxheti i TKK-së është qesharak, tjetra është se nuk ka strategji të kulturës, mungon zhvillimi kulturor i këtij vendi. Unë ato nuk i shoh, ka zhvillime të përmasave të shkurta, por jo me strategji afatgjata.

KultPlus: Krejt këto rrethana që i përmende, sa mundëson Kosova që artistët të ndihen si artistë?
Kushtrim Hoxha: Aktori duhet të ndihet aktorë gjithkund, nëse ke një ëndërr. Unë kam qenë aktor në Kosovë, mësimet i kam ndjekë në kafiteri, por i kemi pas ambiciet, kemi pas një dashuri për punën, ajo tashmë nuk ekziston. Në Amerikë puna e artistit shihet si profesion e këtu…, nuk mundem me shpjegu se sa është e rëndë. Në Kosovë kish vdekur ideali për artin. Nuk ka më njerëz që thonë se do ta bëjmë një shfaqje të mirë, gjithkush e shikon se si me marë një rrogë. Luajnë nëpër seriale, ashtë si kam luajtur edhe unë dhe shumë të tjerë, që nuk them se janë të këqija, por as ai angazhim nuk rregullohet as me pagë e as me asgjë, dhe natyrisht puna komprometohet.

KultPlus: Kur jemi te serialet, a e kishe luajtur prapë rolin e Fitës

Kushtrim Hoxha: Po more pse jo, me qenë pjesë e e këtij sistemi në Kosovë kisha bërë njëjtë sikur që po bëjnë krejt aktorët. Mirëpo unë gjithmonë e kam pas një ambicie për ndryshim, kurrë nuk jam pajtuar me atë cfarë kam pas, gjitmonë kam luftuar për më shumë. Kam dëshirë që të jap shumë më shumë për këtë profesion, vazhdoj të hulumtoj, sepse, aktrimi është burim i pashterrshëm. Jam i kënaqur me atë që e di por po hulumtoj më shumë dhe për atë vazhdoj të jetoj në Amerikë.

KultPlus: Kjo lë të kuptohet që e ardhmja e jote është Amerika?
Kushtrim Hoxha: E ardhmja ime është ku ka një mundësi dhe një ofertë. Amerika ma ka qelë një dritare ku mund ta gjejë vetën. Mirëpo edhe pse jam në Amerikë unë do ti isha përgjigjur pozitivisht ndodnjë ftesë për ndonjë film në Kosovë. Nuk jam shkëputur nga këtu, por momentalisht jam duke e sprovuar vetën jashtë, atje ku nuk më njeh askush.

KultPlus: Kosova ka marrë dritën jeshile për nominimin e filmit në kategorinë e filmave të huaj, për çmimin “Oscar”. Kur e sheh Kosovën e vlerësuar me një çmim të tillë?

Kushtrim Hoxha: Çmimet, i shoh pak njerëzit që janë të opsesionuar te çmimet. Çmimet nuk vlejnë asgjë nëse brenda nuk je duke u zhvilluar, nëse nuk je duke krijuar identitet kulturor. Unë them se para çmimeve, filmbërësit duhet të koncentrohen që të bëjnë një lloj sistemi, të krijojnë një identitet të filmit të Kosovës, sikurse që ka krijuar: Rumania, Çekia,Bullgaria…, me shumë pak para bëjnë shumë filma të mirë dhe konkurrojnë gjithkah në botë. Çmimet janë të mirëseardhura, por filmi duhet të jetë i mirë edhe pa një çmim, ka shumë filma të mirë në botë që nuk kanë çmime . Sa i përket nominimit të Kosovës është shumë mirë, për faktin se po tregohet se edhe ne jemi pjesë e botës.

KultPlus: Dhe për fund, me apo pa çmime, si janë filmat e Kosovës?
Kushtrim Hoxha: Nuk kam parë filmat e fundit, se nuk kam qenë këtu. Mirëpo filmat që i kam parë më herët më kanë bërë të kuptoj se filmi në Kosovë ka edhe shumë punë./KultPlus.com

Më Shumë

U tha se u nda me të dashurën pasi flirtoj më njërën nga vajzat në ‘’Ferma Vip’’, reagon Robert Berisha

Robert Berisha është njëri nga meshkujt shqiptar, që përmendet më së shumti për lidhjet e tij të dashurisë. Së fundmi ai ishte pjesë e Reality...

Rrëzohen propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të...

Lajmet e Fundit