10.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Lame: U raportova Nanos dhe Ramizit për të vrarët e Shkodrës

Qemal LameQemal Lame vijon rrëfimin për vitin 1991. Si vijuan ngjarjet pas vrasjes së katër demonstruesve në Shkodër dhe si i priste rezultatet e hetimeve Ramiz Alia president dhe Fatos Nano kryeministër. Rrëfimet e mëposhtme janë shkëputur nga libri i tij me kujtime “Kur shembeshin themelet”, botuar nga “Onufri”.Mbledhja e Qeverisë vazhdoi me pikën e tretë, për buxhetin. Gjendja e rezervave valutore ishte shumë kritike, skandaloze. Buxheti ishte rritur dhe po shkonte drejt 200 milionë dollarë. Bankat e huaja nuk jepnin kredi, pa garanci të rezervave valutore që Shqipëria duhet të kishte në bankat e njohura ndërkombëtare dhe pa shlyer detyrimet që kishte.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Shkëlqim Cani, parashtroi disa masa.
Gjendja financiare tregonte për katastrofën e afërt që do të vinte shpejt, me falimentimin e ekonomisë, të financave dhe të vetë shtetit. Stabilizimi politik dhe ekonomik do të krijonin kushtet e nevojshme që të rritej besimi te shtetet perëndimore dhe të vinin investitorët e huaj.
NJOFTIMI I HETUESISË DHE PROKURORISË
Thirra zëdhënësin, Beqir Kokoshin, që kisha caktuar disa ditë më parë. I dhashë tekstin e njoftimit, me porosi që ta shikonte edhe Rrapi Mino. Biseduam në telefon dhe vendosëm që një kopje të dërgohej në Këshillin e Ministrave dhe një në Radio Televizion.
NJOFTIM
Për ngjarjen e rëndë të datës 2 prill 1991, në qytetin e Shkodrës, janë marrë masa për hetimin e plotë, të gjithanshëm dhe të shpejtë të çështjes. Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes që lidhen me aktet kriminale të vrasjeve e të plagosjeve, të shkatërrimit me anë të zjarrit e të lëndëve plasëse të ndërtesës së Komitetit të Partisë së Punës, të djegieve të automjeteve, vjedhjes së armëve e të tjera vepra penale të kësaj natyre, si dhe shkaqet e tyre e personat fajtorë, është e domosdoshme që Hetuesisë të mos i krijohen vështirësi për të kryer hetimet. Deri tani është arritur të bëhet një këqyrje e pjesshme e vendit të ngjarjes dhe e kufomave, të cilat ishin marrë nga spitali dhe nuk u lejuan të bëhej autopsia e tyre sipas kërkesave të ligjit. Pengesa u krijuan edhe për pyetjen e të plagosurve e të dëmtuarve, ndërsa në godinën e Komitetit të Partisë së Punës nuk mund të bëhej në kohë këqyrja e plotë, pasi vazhdohet të bëhen dëmtime dhe djegie.
Organet e Hetuesisë dhe të Prokurorisë kërkojnë nga organet e ruajtjes së rendit e organet e tjera shtetërore, që të zbatojnë me konsekuencë ligjet, partitë politike të ndikojnë për të ulur gjendjen e tensionuar e të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe shtetasit të dëshmojnë sipas kërkesave të ligjit me qëllim që të zbulohet deri në fund e vërteta e të vihen para përgjegjësisë ligjore fajtorët.
Për hetimin në kohë dhe me objektivitet të çështjes, Hetuesia dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë marrë masat përkatëse dhe bashkë me organet e rrethit po punojnë intensivisht. Është krijuar një grup i posaçëm hetimi. (PROKURORIA dhe HETUESIA, Tiranë, më 04.04.1991)
NJOFTIMI I KËSHILLIT
TË MINISTRAVE
Pas pak mori në telefon Aleks Luarasi, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, dhe kërkoi të takoheshim, mundësisht në orën 9:00, për të bërë një njoftim të Këshillit të Ministrave për gjendjen në Shkodër.
Aleksi e mori dhe shkoi që ta lexonte e të jepte mendim edhe Fatos Nano. Fatosi kishte bërë disa ndryshime.
RRETH NGJARJEVE NË QYTETIN E SHKODRËS
Zëdhënësi i Këshillit të Ministrave, duke marrë parasysh shqetësimin që ka krijuar zhvillimi i ngjarjeve në qytetin e Shkodrës ditët e fundit, mori kontakt me dikastere të ndryshme, organet e pushtetit lokal dhe me Hetuesinë dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Ai mësoi se lidhur me ngjarjen e datës 02.04.1991 në qytetin e Shkodrës kanë filluar hetimet me një grup të posaçëm hetuesish nga qendra dhe në disa rrethe, nën kontrollin e Prokurorisë së Përgjithshme, për sqarimin e plotë e të gjithanshëm të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësisë ligjore të shkaktarëve të saj.
Ministria e Punëve të Brendshme ka konstatuar se këtë ditë në këtë qytet ka pasur grumbullime të paligjshme qytetarësh, të shtëna me armë nga qytetarë dhe nga forcat e ruajtjes së rendit, përdorim eksplozivi kundër objekteve publike, të vrarë e të plagosur, midis personave të grumbulluar, punonjësve të policisë dhe funksionarëve të Komitetit të Partisë së Punës së rrethit, si dhe djegie e shkatërrim thuajse të plotë të mjediseve e të pajisjeve të godinës së këtij komiteti.
Nga data 02.04.1991 deri më 04.04.1991 organet hetimore e patën të vështirë për të kryer veprimet e nevojshme për shkak të situatës së tensionuar. Në kushtet e kësaj situate, personat janë penguar për të kryer ekspertizën ligjore dhe hetimin e gjithanshëm të fakteve në mjediset e ngjarjeve, takimet me njerëzit e ndryshëm etj. Për këto arsye, ka qenë e pamundur pyetja e të plagosurve, e të dëmtuarve, e dëshmitarëve dhe marrja e provave të tjera siç parashikon ligji. Ndërkohë ndërtesa e Komitetit të Partisë së Punës së rrethit, deri në orët e vona të datës 04.04.1991, ka vazhduar të digjet…
Tiranë më 04.04.1991
KËRKESË E KRYEMINISTRIT PËR NJOFTIM NGA HETUESIA PËR MEDIAN
Isha në zyrë duke punuar, kur në orën 20.30, pas revistës televizive me ngjarjet kryesore të ditës, mori në telefon Fatos Nano.
– Pse nuk jepni njoftim në RTV? – pyeti.
– Kemi dhënë njoftim dy ditë më parë. Nuk kemi gjë tjetër për të informuar. Të bëhen hetime, të administrojmë të dhëna të reja dhe të japim njoftim të ri.
– Pse, ne do të plotësojmë të metat tuaja?!
– Çfarë të metash, shoku Fatos? Për çfarë mendoni?
– Ja për njoftimin.
– Fatos! Unë dhashë një sqarim për t’u mirëkuptuar. Edhe një herë e përsëris. Ne e dhamë njoftimin në RTV dhe në shtypin e përditshëm. Nuk kemi për të dhënë tjetër, pa bërë hetime.
– Ai është njoftimi që bëra unë, – tha Fatosi.
Dihej se, në atë orë, Fatosi ishte në shtëpinë e Ramizit, ku takoheshin për konkluzionet e ditës. Ky fakt përforcohej edhe nga biseda me telefonin sekret. Në shtëpinë ku vazhdonte të banonte akoma, ai nuk kishte telefon me dy numra. Kuptohej se fliste në praninë e Ramizit dhe i jepte më shumë rëndësi pozicionit të tij. Megjithatë, duhej t’i përgjigjesha.
– Ne bashkë me Prokurorinë kishim bërë njoftimin. Ju kërkuat të bëhej i përbashkët.
– Jo! Njoftimin e bëra unë.
– Njoftimin që ju korrigjuat dhe firmosët, e përgatitëm në zyrën e Aleks Luarasit, me një grup pune të përbashkët. Ju bëtë plotësime, pasi ishte bërë formulimi. Në bazë të atij formulimi u vendos qëndrimi në njoftimin e përgatitur më parë nga unë dhe Rrapi.
Pas këtij sqarimi, Fatosi nuk e zgjati më tej.
– Veproni më shpejt. Duhet një njoftim për opinionin publik.
Me kaq e përfundoi bisedën telefonike.
PËR SHKODËR
Ora ishte 15.45. E mora në telefon.
– Shoku Qemal. Duhet të shkoni në Shkodër! Sonte!
– Ka ndodhur ndonjë ngjarje tjetër?
– Është një problem me rëndësi.
– Të nisem tani menjëherë për në Shkodër?! Tani po shkon ora 16.00. A e keni parasysh se çfarë do të thotë të nisesh tani nga Fieri dhe të vesh në Shkodër kur të jetë natë!
– Ç’të them, shoku Qemal. Nesër do të jetë një takim me partitë politike në rreth. Kam porosi që të jeni edhe ju në atë takim.
– Kush e ka organizuar? Përse do të marr pjesë edhe unë në këtë takim të partive politike?
– Do të analizohet çështja e Shkodrës. Do të raportojnë grupi i hetuesve dhe i prokurorëve. Ne, disa shokë nga qendra, do të vemi në atë mbledhje.
– Është menduar drejt dhe është mirë që është arritur marrëveshje për këtë mbledhje. Atëherë do të ishte e nevojshme të marrë pjesë edhe Prokurori i Përgjithshëm dhe ministri i Punëve të Brendshme.
– Ke të drejtë. Prokurorin e Përgjithshëm do ta njoftoj tani. Nga Ministria e Punëve të Brendshme do të vijë zëvendësministri për policinë, Aredin Shyti. Unë do të jem pasdite në zyrë. Hajde të bisedojmë. Të pres.
– I lashë porosi Reshatit që të nesërmen të komunikojë shpërblimin për Llambin, 1000 lekë, për Petrit Lulën, 500 lekë, si dhe vetë ai të merrte shpërblimin prej 500 lekësh. Të jepen lekët në dorë në prani të hetuesve të tjerë. Të realizohet hetimi i plotë sa më parë dhe të jepet njoftim për këtë zbulim me rëndësi të tri vrasjeve shqetësuese për rrethin e Fierit dhe qetësimin e opinionit publik.
Vajtëm për drekë te pallati i kinezëve (ndërtesa që ishte vënë në shërbim të specialistëve kinezë që kontribuuan për azotikun dhe përpunimin e thellë të naftës). Erdhi edhe prokurori i rrethit, Kiço Nano.
U ktheva në Tiranë rreth orës 19.30. Ndalova te Këshilli i Ministrave. Aleksin e gjeta në zyrë duke punuar. Ishte bashkë me Rrapi Minon. Biseduam për mbledhjen dhe e lamë të niseshim të nesërmen, në orën 7.00, pasi mbledhja ishte caktuar në orën 9:00.
Në orën 22.30, kur isha akoma në zyrë, mori në telefon Aleksi.
– Shoku Qemal! Nesër, në orën 8.00 ju pret në zyrën e tij shefi i madh (me këtë emërtim nënkuptohej Ramiz Alia)…
Mora në telefon në Shkodër për t’u interesuar për raportin që duhej të përgatiste zëvendësi, Feriti, për hetimet e zhvilluara. Nuk gjeta njeri në zyrë.
Në mëngjes, në orën 7.00, vajta në zyrë. Mora në telefon në Shkodër. Zëvendësi, Feriti, më raportoi se kishte përgatitur raportin për mbledhjen me partitë politike.
TAKIMI ME RAMIZ ALINË PËR ÇËSHTJEN E SHKODRËS
Në orën 7.30, vajta te sekretari i përgjithshëm, Aleksi, në zyrën e tij.
Rrapi priste në zyrën e vet.
Bashkë me Aleksin shkuam në Komitetin Qendror për t’u takuar me Ramiz Alinë. Ishte një zgjidhje e mirë emërimi i Aleksit në këtë post të lartë në kryeministri. Ai ishte njeri i drejtë, me karakter, mbante marrëdhënie të mira me secilin, ndërmjetësonte dhe pritej me kënaqësi mendimi i tij, si një nga juristët më të mirë. Bashkë ruanim marrëdhëniet e mira që nga Fakulteti Juridik, ku ai vetë u interesua që të bëhesha anëtar i katedrës së teorisë së shtetit dhe të së drejtës që drejtonte.
Pritëm në paradhomë, pasi nuk kishte ardhur akoma në zyrë.
– Pas pak do të vijë, – na tha ndihmësi, Nexhmedin Dumani.
Pas orës 8.00, erdhi Ramiz Alia. U përshëndetëm dhe hymë në zyrë.
– Çfarë keni menduar për të thënë në Shkodër? – pyeti.
– Do të dëgjohet raporti i Hetuesisë dhe i Prokurorisë, – u përgjigj Aleksi. Do të vijë edhe Prokurori i Përgjithshëm, veç dy ministrave që u bisedua.
Ndërkohë erdhi Fatos Nano dhe u ul në karrigen përballë. Unë isha majtas dhe Aleksi djathtas, në tavolinën e Ramizit.
– Ndërkohë hyri në zyrë ndihmësi, Nexhmedini, dhe tha se:
– Shoku Rrapi Mino pyet për shokun Aleks, se kur do të nisemi për në Shkodër.
– Ku e di Rrapi që ti Aleks je këtu! – pyeti Ramizi.
– Nuk e di. Do të ketë pyetur ndoshta.

Më Shumë

Universiteti “Ukshin Hoti” arrin marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Karamanoglu Mehmetbey nga Turqia

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universiteti Karamano?lu Mehmetbey nga Turqia, sot kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi. Siç bëhet e ditur sipas njoftimit, marrëveshja është...

Kurti vazhdon ta mbajë banesën 67 metërshe, deklaron 1.551 euro në bankë e kredinë deri në 2052-në

  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kreu i qeverisë ka deklaruar se pasuri të...

Lajmet e Fundit