12 C
Prizren
E hënë, 17 Mars, 2025

Kushtetuta me gjithë sfidat, ka filluar të gjejë zbatueshmëri edhe në veri

KushtetusjaE formësuar dy muaj pasi vendi shpalli pavarësinë, Kushtetuta e Kosovës radhitet ndër dokumentet e disenjuara në mënyrën më unike. Ajo është vlerësuar si inspirim për ata që mund të kenë rastin për të draftuar kushtetuta në rrethana të ngjashme, ndërsa në anën tjetër – në kushte të tjera, vështirë se mund të merret si model.

Në strukturën e saj Kushtetuta e Kosovës garanton standardet bazë për një vend demokratik e paqedashës, ku sundimi i ligjit, stabiliteti, liritë dhe të drejtat e njeriut përbëjnë bazamentin e materies. Me shumë veçanti dhe plotë elemente skadence, dokumenti suprem juridik i shtetit të Kosovës ka mbushur 6 vjet të miratimit të tij. Hartuesit e saj, protagonistët e këtij procesi dhe vëzhguesit e paanshëm, japin dy nuanca në sfondin e zbatimit të kushtetutshmërisë së Kosovës. Njëra flet për ambicien dhe përpjekjen për të zhvilluar kornizën ligjore që forcon demokracinë dhe sovranitetin e shtetit, dhe në anën tjetër, pamundësinë për të zbatuar atë në tërë territorin e vendit, por, edhe nivel ende të lartë të shkeljeve kushtetuese nga vetë institucionet.

Por, cila është ndjesia e kosovarëve ndaj Kushtetutës së tyre?
Për Lah Hetemin, një banor shqiptar i veriut të Kosovës, Kushtetuta është një dokument gjysmë i zbatueshëm. Ai tregon se as në 6 vitet e fundit nuk e ka ndierë të jetë përmirësuar liria e lëvizjes së tij.

“Në çdo moment këtu i kemi strukturat paralele të Serbisë, ajo që quhet Mbrojtja Civile. Këtu nuk bëhet fjalë për liri të lëvizjes së qytetarëve, si një nga të drejtat elementare. Unë, për të shkuar te shtëpia ime, përdori rrugë alternative, jo rrugës që duhet shkuar. Si rezultat nuk ka liri të plotë dhe as zbatim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thotë Hetemi.

Fatmir Sejdiu, ishte president i Kosovës në kohën kur u miratua Kushtetua e vendit. Ai thotë se ishte një mobilizim kombëtar me një ndihmë tejet të madhe të faktorit ndërkombëtar.

“Në Kushtetutën e Kosovës gjendet bazë e bollshme për një funksionim të denjë. Por, problemi është se paralelisht ka shumëçka që është zvarritur në proceset e deritashme. Ka edhe çështje të tjera që i gjen tek institucione të caktuara me plotë gojën Kushtetutë, por që mungon fryma e zbatimit të saj. Paralelisht ekziston një nga pengesat më të mëdha, që është mosrealizmi i shtetit ligjor të Kosovës. Dhe shteti ligjor nuk nënkupton vetëm korpusin e ligjeve të caktuara në fuqi, por ka të bëjë me bazën e tyre – Kushtetutën e vendit”, thotë Sejdiu për Radio Kosovën.

Fatmir Sejdiu ishte presidenti i parë i vendit që ka dhënë dorëheqje, pasi Gjykata Kushtetuese e gjeti se ai ka bërë shkelje kushtetuese duke mbajtur postin e presidentit dhe kreut të partisë, Lidhjes Demokratike njëkohësisht. Por, në fakt çfarë sipas Sejdiut e ka prekur palcën e Kushtetutës deri më tani.

“Ka pasur ndërhyrje të politikës, ka ndërhyrë tek institucionet që janë pjesë e pushteteve të ndara. Flas në relacionet që kanë ndikuar drejtpërdrejtë edhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta e Kosovës nuk është ndër ato dokumente të ngurta. Ka shumë elemente që mund të zhvillohen më tej, sidomos sa i përket reformës kushtetuese të nevojshme. E fundit është ajo që ka të bëjë me marrëdhëniet ndërkombëtare. E kam thënë më herët edhe tani se në aspektin formalo juridik kushtetues, çështja e Kosovës është e përfunduar. Por, shoh në disa raste ndërhyrje të caktuara që bëhen, sidomos në dialogun me Serbinë dhe që e atakojnë Kushtetutën”, thotë Sejdiu.

Ndërsa, kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, 6 vjet pas, duket më pak entuziast dhe më shumë kritik sa i përket peshës së Kushtetutës në funksionimin e shtetit. Ai thotë se masa më e mirë për ta vlerësuar respektimin e Kushtetutës është ajo se sa respektohen ligjet që derivojnë nga Kushtetuta. Sipas Krasniqit, zbatimi i ligjeve në Kosovë nuk është aspak i kënaqshëm.

“Nuk është e lehtë të matet zbatueshmëria e Kushtetutës. Për të parë se sa respektohet Kushtetuta mund të flasim për nivelin e zbatimit të ligjeve në Kosovë dhe dihet se zbatimi i rendit dhe i ligjit në Kosovë lë shumë për t’u dëshiruar”, thotë Krasniqi për Radio Kosovën.

Për kryeministrin, Hashim Thaçi, çështja e moszbatimit të plotë të Kushtetutës në veri dhe Marrëveshja e Brukselit, është një perde e vogël në zemër të sovranitetit, që i detyron institucionet – së pari, e mbase edhe të tjerët – të sillen në një mënyrë më të butë, në mënyrë që gjërat të funksionojnë.

Njohësit e lëmisë kushtetuese, sidomos ata që kanë marrë pjesë në krijimin e materies së kësaj kushtetute flasin me një gjuhë që përshkruan një proces evoluimi. Arsim Bajrami nga Partia Demokratike e Kosovës është njëri ndër hartuesit e Kushtetutës. Ai thekson se Kushtetuta e vendit, me gjithë sfidat e saj, ka filluar që pas gjashtë viteve të gjejë zbatueshmëri edhe në veri të vendit.

“Për fat të mirë, në vitin e gjashtë të saj, ajo ka filluar të zbatohet edhe në veri, me mbajtjen e zgjedhjeve lokale, që ka qenë e meta kryesore e shtetndërtimit. Janë shenjat e para që fuqia e Kushtetutës do të shtrihet edhe në pjesën veriore të Kosovës. Përgjithësisht mendoj se kjo Kushtetutë ka arritur të afirmohet si një dokument i kompromisit ndërkombëtar. Gjuha e Kushtetutës sonë është një gjuhë evropiane dhe e respektit maksimal për pakicat, respektit për të drejtat e njeriut”, thotë ai.

Sipas Bajramit, edhe pse Kushtetuta është produkt i kompromiseve politike, ajo e ka realizuar misionin e vet, megjithëse ka pasur momente kur është sfiduar rëndë.

“Ka pasur disa raste të shkeljes së Kushtetutës të niveleve shumë të larta dhe kjo është shqetësuese. Pikërisht ata që duhet të kujdesën për mbrojtjen e Kushtetutës, nganjëherë bëjnë edhe shkelje. Kjo në Kosovë ka ndodhur nga dy presidentë – për çfarë edhe ata janë penalizuar me largim nga detyra . Jo rrallë kjo ka ndodhur edhe në Parlament kur janë sjell ligje antikushtetuese. Kjo tregon se niveli i edukimit dhe standardit kushtetues është ende i ulët. Nuk do të bëhemi asnjëherë shoqëri evropiane nëse nuk e kuptojmë se sundimi i ligjit është parakusht për të ndërtuar një demokraci kushtetuese të cilën e pretendojmë ”, shpjegon Bajrami.

E veçanta e kësaj Kushtetute, sipas Bajramit, është mbrojtja e jashtëzakonshme për pakicat, që cilat nganjëherë po e keqpërdorin pozitën e tyre.

“Kjo qasje gjeneroze e Kushtetutës nganjëherë po bëhet objekt me të cilën pakica po tenton ta bllokojë shumicën. Shumica e dyfishtë dhe vendet e garantuara nuk po përdorën për mbrojtën e pakicave po nganjëherë edhe për shantazhimin e shumicës për bllokimin e shtetit dhe vendimmarrjes kushtetuese. Tani e kemi kërkesën e tyre për vendet e rezervuara që është një kërkesë plotësisht e pabazuar plotësisht antikushtetuese, por edhe kërkesën e bllokimit të ligjeve sistemore që lidhen me transformonim e FSK-së që lidhen me ligjin për zgjedhje dhe veprime tjera. Dhe mendojë se ne duhet të gjejmë mekanizma kushtetues të debllokimit të situatave në të cilat për motive politike mund të vijë Kosova”, thotë Bajrami.

Arsim Bajrami, thotë se reforma kushtetuese e Kosovës veç sa ka filluar. Kushtetuta deri më tani ka pësuar 23 amendamente. 22 nga ato i përkasin përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe një amendament me të i cilin është futur institucioni i amnistisë. Gjithashtu, janë 10 amendamente sa i përket reformës së zgjedhjes së drejtpërdrejtë të Presidentit, të cilat ende nuk janë miratuar.

Një tjetër njohës i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, profesor i së Drejtës Kushtetuese dhe njëri ndër hartuesit e Kushtetutës, flet më tepër për shkeljet që i janë bërë Kushtetutës.

“Kam qenë një ndër hartuesit edhe të kësaj Kushtetute, me shpresë së Kushtetuta do të jetë ligji suprem i vendit tonë. Suprem do të thotë dominant, që në bazë të saj do të bëhen akte ligjore, akte nënligjore dhe se ato do të përfillen ashtu si duhet në nj shtet demokratik të së drejtës. Nuk mohohet fakti se në masë të konsiderueshme përfillet Kushtetuta, por në një masë të madhe edhe shkelet. Kjo, madje, nga institucionet më të larta të vendit, të thirrura për zbatimin e saj”, ka thënë Smaka.

Profesor Smaka përmend shkeljet që janë bërë nga institucionet, ndër to zgjedhjen e gjykatësve për Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, kandidatët nuk i kanë plotësuar kushtet e kërkuara me ligj, mungesën e vullnetit politik për ta përfillur ligjin në shumë raste, mungesa e transparencës në negociatat Kosovë-Serbi, pasurimet e zyrtarëve pa baza ligjore.

Por, si shihen 6 vjet të kushtetutshmërisë së Kosovës tek vëzhguesit e paanshëm të këtij procesi? Naim Rashti përmend dy dimensione të rëndësishme ku theksohet nuanca pozitive.

“Kosova ka treguar një shembull shumë më të mirë sesa e vendet e tjera të rajonit sa i përket respektimit të Kushtetutës. Fakti që vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë rrëzuar dy presidentë – ka treguar një pjekuri të madhe. E dyta – që duhet theksuar, dhe që është krejtësisht ndryshe nga rajoni, është se përkundër formës dhe adaptimit si dhe hyrjes në fuqi, institucionet dhe politika kanë gjetur formën, rrugën… dhe ka pasur guximin politik që ta hap Kushtetutën, ta prek, ta amendamentoj, gjë që nuk ka ndodhë me vendet tjera. P.sh. Bosnja pas 16 vjetësh të amendamentimit final të Kushtetutës, nuk ka mundur ta ndryshojë Kushtetutën pas periudhës së marrëveshjes së Dejatonit, për shkak të konstelacioneve politike në vend”, i ka thënë Rashiti, Radio Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si garantuese e respektimit të kushtetutshmërisë, deri më tani ka marrë në përgjithësi vlerësime pozitive. Megjithëse në shumë raste po kritikohet për vendime që nuk kanë fare të bëjnë me fushëveprimin e saj.
Veton Dula, zëdhënës i Gjykatës Kushtetuese, megjithatë flet vetëm për atë çfarë ka trajtuar deri më tani gardiani i Kushtetutës.

“Vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti (periudha: 1 janar – 31 mars 2014), në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës janë trajtuar 98 kërkesa. Ndërkaq, që nga themelimi i Gjykatës Kushtetuese e deri më 31 mars 2014, janë trajtuar gjithsejtë 743 kërkesa. Mund të them se të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese deri tani janë respektuar dhe zbatuar, apo janë në proces të zbatimit nga autoritetet publike”, ka thënë Dula.

Për përfaqësuesit e subjekteve opozitare Kushtetuta e Kosovës është ndër kushtetutat më të avancuara, megjithëse vazhdon të ketë probleme në implementimin e saj.

Armend Zemaj nga subjekti opozitar – Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se sfida kryesore e zbatimit të Kushtetutës mbetet shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës. Ai thotë se shkelësi më i madh i Kushtetutës është Qeveria e vendit.

“Kushtetuta e Kosovës i ka pasur edhe sfidat e veta në implementimin e saj të plotë. E para – është aspekti territorial, apo ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit. Kjo nuk është arritur dhe është pengesë edhe pas 6 vjetësh. Ka edhe elemente të tjera të devijimit institucional, të cilat e kanë zbehë fuqinë e Kushtetutës karshi interesave të përgjithshme të qytetarëve të Kosovës. Mendoj se Qeveria prin si shkelësja më e madhe e Kushtetutës, duke filluar nga aspekti i bisedimeve jotransparente dhe legjislacioni i cili është tentuar që të inkorporohet përmes këtyre marrëveshjeve të arritura”, ka thënë Zemaj.

Megjithëkëtë, Zemaj vlerëson se Kushtetuta e Kosovës dallon shumë nga vendet e rajonit, pasi është shumë demokratike. Por, thekson nevojën e amendamentimit të saj.

“Në përgjithësi, ne mund të krenohemi se kemi një Kushtetutë që është shumë demokratike dhe na bënë të dallueshëm me kushtetutat e vendeve të rajonit. Kjo është gjëja më pozitive, sepse janë të inkorporuara edhe aktet ndërkombëtare, që, për fat, na bëjnë një shtet demokratik që synon të jetë në familjen evropiane. Mendoj se Kushtetuta duhet të rishikohet në shumë elemente të saj, të cilat e venë në funksion shtetin e ri të Kosovës, si tërësi territoriale, si nga aspekti i funksionimit të brendshëm, por edhe nga ajo që është demografia e zhvillimit të vendit në tërësi”, ka thënë Zemaj.

Midis kritikave të ashpra, Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmend se shkelësit më të mëdhenj janë vetë institucionet. Ndërsa, sfidë, edhe më tej, sipas tij, mbetet shtrirja e kushtetutshmërisë edhe në pjesën veriore të vendit.

“Absolutisht po! Kosova e ka këtë sfidë, e cila mendoj se do të vazhdojë edhe për një kohë, por është obligim yni që edhe ata qytetarë të Kosovës ta pranojnë këtë marrëveshje apo kontratë që e kemi, që e quajmë Kushtetutë, ta pranojë si të vetën”, ka thënë Gjini.

Edhe në pikëvështrimin e Naim Rashitit, jo krejt piktura e zbatimit të Kushtetutës, është pozitive.
“Shpirti i Kushtetutës nuk ka qenë i implementuar, dhe ende vazhdon të ketë pengesa në implementimin e saj në tërë territorin e vendit, jo vetëm në veri, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës për faktin se institucionet e një shteti tjetër sovran. Këto janë shkelje thelbësore të Kushtetutës që duhet të zgjidhen me një marrëveshje politike. Por, kemi parë elemente tjera që në vazhdimësi janë në proces dhe në shërbim të ruajtjes së sovranitetit dhe rritjes së ambicieve të ndërtimit të shtetit. E rëndësishme është që Kushtetuta të mos bëhet shërbim i politikës dhe të hapet për nevoja të individëve apo grupeve të caktuara kur dikush ka nevoje. Ajo duhet të përfshijë, gjithashtu, edhe referendumin në materien e saj”, ka thënë Rashiti.

Ekspertët vazhdojnë të gërmojnë te specifikat në interpretimin e Kushtetutës, duke argumentuar me orë se çfarë ka funksionuar e çfarë jo, apo çfarë duhet të ndryshojë. Vende të tjera, në mënyrë rutinore, ndryshojnë kushtetuat e tyre, mesatarisht në çdo 20 vjet. Sidoqoftë, i pakontestueshëm është fakti se Kushtetuta e Kosovës, në shumë gjëra, mund të mos jetë perfekte, por është unike dhe mishëron kompromiset. Kjo mund të jetë ajo që tregon se si kjo Kushtetutë do të evoluoj dhe formësohet bashkë me shtetin dhe shoqërinë.

 

Më Shumë

TikTok mbyllet në Shqipëri sot

TikTok do të mbyllet në Shqipëri sot, ndërsa sipas shifrave, përdoruesit shqiptarë në këtë aplikacion, llogariten në 1.5 milion. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në...

Kush e rrëmbeu Zelenskyn dhe Hashim Thaçin

Nga Ben Blushi Rrëmbmi i Zelenskyt nga Evropa i ngjan shumë rrëmbimit që ju bë Hashim Thaçit në kohën kur po shkonte të firmoste një...

Lajmet e Fundit