Lamtumirë Skënder Sallaku, vepra jote mbetet e paharruar! Me këto fjale, familjarë, të afërm, miq të cilët janë shumica artistë, artdashës janë drejtuar në heshtje sot rreth ores 11:00 drejt hollit në Teatrin Kombëtar, atu ku është vendosur trupi i pajetë i Mjeshtrit të Madh të humorit, “Artistit të Popullit”, Skënder Sallaku.
Tufa dhe kurora me lule mbushen arkëmortin ndërsa mbi të janë foto e të madhit Skënder Sallaku. Një foto e madhe ku Skënderi u buzëqesh të gjithëve qëndron mbi arkëmort. Dhe miqtë më zë të ulët, thonë ‘kështu do të mbajmë mend gjithmonë Skënder”.
Homazhet po organizohen nga Bashkia e Tiranës. Më pas trupi i pajetë i ‘Artistit të Popullit’, do të përcillet për në banesën e fundit në Varrezat e Tufinës në Tiranë.
Skënder Sallaku ndërroi jetë dje pas një sëmundje të rëndë ne moshen 79-vjecare. Ai la pas nje karriere te pasur duke u renditur si njëri nga aktorët tanë më të mirë të humorit, autor skeçesh e parodish, etj. Është i njohur për interpretimin e tij brilant në estradë dhe cirk.
Parodistët e Vlorës: (Afrimi) Mjeshtrat e artit shqiptar. Është Mjeshtri më i madh i humorit shqiptar. Jeta kështu e ka, por ai mbajti një peshë kaq të madhe në kohën e komunizmit, e kanë mirëpritur të gjithë. Që nga Tropoja deri në jug, sa dilte Skënderi në skenë e donin. U shua ylli më i shndritshëm i skenës së humorit. Lamtumirë Skënder.
(Agroi) Zoti lart rrëmbeu për ta cuar në një vend më të mirë. Ai ishte një ndër artistët më të pasur sepse rrëmbeu duartrokitje për më shumë se gjysëm shekulli. Artist dhe njeri, ishin binjakë këto të dyja tëk Skënderi. Ka qenë model, ne kemi fatin që jemi brenda familjes së tij. Pa Skënderin nuk imagjinoj dot me festat, do na mungojë.
E bija, Denisa Sallaku: Ju rrëfej ditët e fundit të tim eti
E bija e Skënder Sallakut, Denisa, rrëfen kujtimet me të atin, në 11 ditët e fundit të jetës. Krejt e papërgatitur për humbjen, ajo kujton se sëmundja u shfaq dhe e mori në mënyrë të menjëhershme.
“Babai ishte shumë mirë. Para 11 ditësh, erdhi të më shihte mua në shtëpi. Kishte tri ditë pa më parë dhe ngaqë kishim marrëdhënie shumë të mira, erdhi të më takonte. Nuk rrinim larg njëri-tjetrit më shumë se tri ditë”, – tregon Denisa (Bilali). Ajo kujton se atë ditë e pa të zbehtë. “Ishte pak i zbehur në fytyrë dhe i thashë: ‘baba, ti nuk je mirë’, por ai mohoi të kishte probleme. ‘Jam shkëlqyeshëm, – më tha. – Erdha të të takoja’. Më pas, është kthyer në shtëpi, ka ngrënë drekë dhe është shtrirë për të fjetur. Kur është zgjuar, qe ndjerë keq. Ka pasur hemorragji të brendshme”, – kujton ajo. Mbasi e dërguan menjëherë në Urgjencë dhe në spital, Denisa nuk harron të vlerësojë stafin mjekësor, që treguan vëmendje maksimale, duke filluar nga mjekët e deri tek infermierët e sanitaret.
“Vëmendja e tyre ishte maksimale, dashuria e tyre ishte maksimale, ashtu sikundër ishte edhe profesionalizmi i tyre”, – falënderon ajo. Në fund, veçon mbase edhe një peng, kur tregon këtë bisedë: “Para se të futej në sallën e operacionit, u shpjegonte infermierëve e mjekëve që ai qe propozuar edhe për titullin ‘Nderi i Kombit’. Infermierja që e shoqëronte, por edhe unë, i thamë: “Ti, je Nderi i Kombit!”. Ndërsa vitet kalojnë e artistët mbeten mbase disi të harruar, hera-herës, ne harrojmë se nëse për ta nuk ka mbështetje financiare, ajo morale, nuk duhet të mungojë.
Jetëshkrimi, rolet dhe titujt
I lindur më 25 janar 1935 në Tiranë, ai është konsideruar si një nga aktorët më të mirë të humorit, me skeçe dhe parodi të ndryshme. Njihet dhe si ish-kampion kombëtar në mundjen klasike.
Fillimet në artin e cirkut janë në lëvizjen amatore, pranë Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”. Në vitet 1954-1955, aktivizohet me grupin e Estradës së Kufirit si aktor.
Më 1957 u bë aktor në Estradën e Shtetit, ku u aktivizua deri në fund të vitit 1990, kur doli në pension. Ka meritën e të qenit klouni i parë, ndërsa ka interpretuar si pantonimist tek “Karrigia”, “I vdekuri”, “Busti”, Boksi”, “Kuzhinieri”, “Pjatat”, “Bojaxhiu”, “Pija”, “Ariu”, “Valixhja”, “Kovat” e mjaft të tjera.
Ka kryer një kualifikim njëvjeçar në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Si aktor, Skënderi shkëlqeu në disa role, “Oreksi i madh”, “Revolja e humbur”, “Gjuetia e fundit”, “Cirku në fshat”, “Kur hiqen maskat”, “Estrada në ekran”. Në vitet 1959-1960, ai ka dalë kampion kombëtar në mundje. Është vlerësuar me titujt: “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”./bw/