Ndonëse LDK dhe PDK kanë një marrëveshje për ta bërë Hashim Thaçin president, si duket kryesia e nëndegës së LDK-së në Solothurn nuk është fare e pajtimit.
Ata përmes një komunikate kanë bërë të ditur se janë kundër zgjedhjes së liderit të PDK-së në krye të shtetit.
Nëndega e LDK-së në Solothurn është kundër Thaçit mirëpo është edhe kundër dhunës që bëhet nga opozita, sikurse që është kundër sjelljes nënçmuese, injoruese dhe teknokrate që sipas tyre po bënë pozita kundër opozitës.
Ata kanë shprehur shqetësimin se nëse kjo gjendje do të vazhdoj atëherë do të mund që situata të përkeqësohet dhe kjo të sjëllë vendin në gjendje anarkie.
Por për këtë situatë të krijuar ata shprehen se përgjegjësinë e kanë pozita e opozita.
Kjo nëndegë u ka bërë ftesë elektoratit të LDK-së që të kthjellohet në mënyrë që të parandaloj këtë kob që dikush po e ndjell në Kosovë.
Sipas tyre verbëria e klasës politike që udhëhiqet nga Qeveria Mustafa, u shpërfaq me të gjitha nuancat e errëta, që për prioritet kanë grabitjen, hajninë, korrupsionin, postet dhe pasurinë e jo funksionimin e shtetit ligjor.
Ata e fajsojnë edhe liderin e LDK-së, Isa Mustafa, njëherësh kryeministrin e Kosovës që ka vepruar njëjtë sikurse kryeministrat e tjerë dhe ka rehabilituar klanet politike nëpër institucione shtetërore.
Kjo nëndegë u ka bërë thirrje publike deputetëve të LDK-së për ta ndryshuar komplet kursin e veprimit dhe që në asnjë mënyrë të mos e votojnë Hashim Thaçin për President të Kosovës.