5.7 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Liberalizimi i vizave po ecën mirë

Vlora CitakuuMinistrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka thënë të martën se nuk ka ngecje në procesin e liberalizimit të vizave për shtetin e Kosovës, përkundrazi ka thënë se ky proces është duke ecur me dinamikën e paraparë.

“Procesi i liberalizimit të vizave është duke ecur sipas dinamikës që e kemi paraparë dhe misionet vlerësuese janë ato që do ta vlerësojnë progresin në zbatimin e kritereve”, ka thënë Çitaku në këtë intervistë për “Epokën e re”. Në këtë kontekst, ministrja Çitaku e ka quajtur befasuese deklaratën e eurodeputetes Ulrike Lunaçek se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën edhe dy apo tre vjet. “Nuk e quaj goditje, më shumë befasi, pasi pikë së pari mendoj se është nxjerr jashtë kontekstit deklarata e znj. Lunaçek. Po ashtu, mendoj se ka qenë befasuese, pasi kësi vlerësimi nuk ka dhënë Komisioni Evropian, i cili është kompetent për ta vlerësuar progresin e arritur”, është shprehur Çitaku. Ajo ka thënë deklarata e Lunaçekut nuk e paraqet gjendjen faktike. “Jo, nuk besoj se e paraqet gjendjen faktike, pasi vlerësimet tona janë të rregullta dhe ato tregojnë progres në të gjitha blloqet dhe fushat për liberalizim të vizave. Unë nuk dua të flas me data, por datat që janë përmendur nga deklarata e znj. Lunaçek nuk besoj se qëndrojnë edhe pse, siç thashë më herët, jam e sigurt se janë nxjerrë nga konteksti dhe këtë do ta qartësoj edhe me znj. Lunaçek në takimin e radhës që do ta kem në ditët në vijim”, ka deklaruar Çitaku.

Ministrja Çitaku ka folur edhe për ecurinë e procesit të negocimit të MSA-së, duke bërë me dije se takimi i tretë i kryenegociatorëve do të mbahet në pranverë. “Presim që takimi i tretë i kryenegociatorëve të mbahet në pranverë të vitit 2014. Kjo do ta shënojë edhe përfundimin e procesit negociator dhe inicializimin e MSA-së. Pas përfundimit të procesit negociator dhe inicializimit të MSA-së, teksti i MSA-së do ta fillojë procesin zyrtar të miratimit në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Bashkimit Evropian”, ka theksuar Çitaku. Pavarësisht kritikave të fundit, Çitaku ka thënë se nuk ka rrezik të prishjes së konsensusit sa i përket agjendës evropiane. “Agjenda evropiane është agjenda më konsensuale në Kosovë dhe nuk shoh asnjë arsye mos të mbetet e tillë”, ka vlerësuar Çitaku.

“Epoka e re”: Znj. Çitaku, çfarë është duke ndodhur me çështjen e raportit të misionit faktmbledhës? Pse nuk ju ka ardhur ende?
Çitaku: Në princip kjo është pyetje të cilën duhet bërë Komisionit Evropian, pasi raportet mbi zbatimin e kritereve të liberalizimit të vizave janë përgjegjësi e Komisionit Evropian. Atë që unë mund t’ju them është se tashmë kemi marrë raportet individuale të ekspertëve, të cilat jemi duke i analizuar dhe komentet e të cilave do t’i dërgojmë shumë shpejt.

“Epoka e re”: Si është duke ecur procesi liberalizimit të vizave? Ka mjaft kritika nga opozita?
Çitaku: Procesi i liberalizimit të vizave është duke ecur sipas dinamikës që e kemi paraparë dhe misionet vlerësuese janë ato që do ta vlerësojnë progresin në zbatimin e kritereve. Në dhjetor të vitit të kaluar kemi pasur një vlerësim të pjesshëm të blloqeve për liberalizim të vizave, ndërsa në muajt në vijim presim vlerësimin e blloqeve të mbetura. Sidoqoftë, kemi kërkuar më shumë interaksion gjatë këtij procesi dhe këtë kërkesë e ka pasur edhe Parlamenti Evropian në rezolutën e sponsorizuar nga miqtë e Kosovës, një ndër të cilat është edhe eurodeputetja Ulrike Lunaçek.

“Epoka e re”: A ka qenë goditje për institucionet e Kosovës deklarata e eurodeputetes Ulrike Lunaçek, që s’do të ketë liberalizim të vizave edhe dy apo tre vjet?
Çitaku: Nuk e quaj goditje, më shumë befasi, pasi pikë së pari mendoj se është nxjerr jashtë kontekstit deklarata e znj. Lunaçek. Po ashtu, mendoj se ka qenë befasuese, pasi kësi vlerësimi nuk ka dhënë Komisioni Evropian, i cili është kompetent për ta vlerësuar progresin e arritur. Deklaratat politike të tilla mund të kenë ndikim negativ, kështu që kjo nuk është në interes të askujt, pasi jo vetëm për vendin tonë, por edhe për zonjën Lunaçek është shumë i rëndësishëm zbatimi i reformave me kohë sa më të shpejtë dhe mendoj se në këtë aspekt kemi qëllim të përbashkët.

“Epoka e re”: Paraqet kjo deklaratë gjendjen faktike në Kosovë?
Çitaku: Jo, nuk besoj se e paraqet gjendjen faktike, pasi vlerësimet tona janë të rregullta dhe ato tregojnë progres në të gjitha blloqet dhe fushat për liberalizim të vizave. Unë nuk dua të flas me data, por datat që janë përmendur nga deklarata e znj. Lunaçek nuk besoj se qëndrojnë edhe, pse siç thashë më herët, jam e sigurt se janë nxjerrë nga konteksti dhe këtë do ta qartësoj edhe me znj. Lunaçek në takimin e radhës që do ta kem në ditët në vijim.

“Epoka e re”: Sa jeni të përgatitur për raundin e tretë të negociatave për MSA-në dhe a është caktuar data?
Çitaku: Më 28 tetor 2013 është mbajtur takimi i parë zyrtar në nivel të kryenegociatorëve. Kjo ka shënuar fillimin e negocimit të MSA-së. Negociatat kanë filluar me hapjen e titujve më kompleks të MSA-së, gjegjësisht titujt IV, V dhe VI. Raundi i dytë i negociatave ka vazhduar me takimin e dytë të kryenegociatorëve që është mbajtur më 27 nëntor 2013. Gjatë takimit janë hapur për negocim neni 1, titujt I, III, VII, VIII, IX dhe X. Gjatë muajit dhjetor 2013 janë mbajtur takimet e para të grupeve punuese teknike për negocimin e MSA-së. Gjatë muajit shkurt do të mbahen takimet e radhës të grupeve punuese teknike, me ç’rast presim dakordimin e të gjitha detajeve teknike të MSA-së. Në këtë drejtim presim që takimi i tretë i kryenegociatorëve të mbahet në pranverë të vitit 2014. Kjo do të shënojë edhe përfundimin e procesit negociator dhe inicializimin e MSA-së. Pas përfundimit të procesit negociator dhe inicializimit të MSA-së, teksti i MSA-së do ta fillojë procesin zyrtar të miratimit në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Bashkimit Evropian.

“Epoka e re”: Ka pasur kritika nga opozita ditën kur e keni prezantuar raportin qeveritar për ecurinë e negociatave për MSA-në. Opozita ka thënë se MSA-ja ka ardhur si rezultat i kompromisit në dialog?
Çitaku: Kemi filluar negociatat për MSA-në, pas një pune të palodhshme të të gjithë institucioneve të vendit në adresimin e kritereve afatshkurta që kanë qenë të lidhura me hapjen e negociatave për MSA-në. Më lejoni t’ju rikujtoj se më 12 dhjetor 2012 Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së ka marrë parasysh Studimin e Fizibilitetit për MSA-në në mes të BE-së dhe Kosovës dhe qëllimin e Komisionit për t’i propozuar direktivat negociuese për MSA-në, pasi Kosova t’i ketë përmbushur prioritetet afatshkurtra, të cilat janë identifikuar në Studimin e Fizibilitetit. Në këtë kontekst, në muajin prill 2013 Komisioni Evropian publikoi raportin monitorues për zbatimin e kritereve afatshkurta dhe konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret afatshkurta për nisjen e negociatave për MSA-në. Duke marrë për bazë raportin e prillit të Komisionit Evropian, më 28 qershor 2013, Këshilli Evropian mori vendim për nisjen e negociatave për MSA-në ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Negociatat për MSA-në kanë filluar më 28 tetor 2013 në takimin e parë në nivel të kryenegociatorëve. Negociatat pritet të përfundojnë në pranverë të vitit 2014.

“Epoka e re”: Znj. Çitaku, sa ka rrezik të prishet konsensusi i arritur në Kosovë sa i përket agjendës evropiane?
Çitaku: Agjenda evropiane është agjenda më konsensuale në Kosovë dhe nuk shoh asnjë arsye mos të mbetet e tillë.

Më Shumë

AKB viziton fabrikën e këpucëve në Suharekë, Shahini: ‘Solid’ është eksportuesi me i madh i këpucëve në Kosovë

Ne kuadër të Javës të Biznesit Kosovar 2024 një delegacion i bizneseve kosovare dhe të atyre të diasporës i udhëhequr nga Agim Shahini kryetar...

Vetëvendosje në Prizren organizon sot ndejë me mërgimtarët

Lëvizja Vetëvendosje  në Prizren do të organizojë sot  një ndejë me mërgimtarët e Prizrenit, në Hotel "Adler". Ngjarja do të fillojë në orën 18:00 dhe...

Lajmet e Fundit