8.8 C
Prizren
E mërkurë, 5 Tetor, 2022

Minoritetet s’do ta pengojnë rritën e FSK-së

FSK12-16Minoritetet në Kuvendin e Kosovës nuk do të paraqesin pengesë në rrugëtimin e FSK-së drejt ndryshimit të misionit të saj. Këtë e kanë konfirmuar për “Epokën e re” ministri i FSK-së, Agim Çeku dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq.

Pavarësisht vazhdimit apo jo të ulëseve të rezervuara për minoritetet, ministri i FSK-së, Agim Çeku, nuk pret të ketë kundërshtime të pakicave rreth kësaj çështjeje. Edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka deklaruar se nëse do të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës minoritetet do të kenë qasje konstruktive ndaj kësaj çështje sikurse ka ndodhur deri më tash.

Ministri i FSK-së, Agim Çeku, ka deklaruar për “Epokën e re” se çështja e mandateve të rezervuara dhe ndryshimi i misionit të FSK-së janë të ndara, duke shtuar se kjo forcë ka në gjirin e saj pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. “Mendoj se këto janë dy procese të ndara. Minoritetet nuk kanë asnjë arsye të veprojnë në mënyrë të tillë, sepse të gjitha komunitetet pakicë janë pjesë e FSK-së. Tanimë FSK-ja edhe me punën e vetë ka dëshmuar se është në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe asnjë pakicë, përfshirë këtu edhe pakicën serbe, nuk ka arsye ta kundërshtojë çfarëdo zhvillimi që dërgon përpara FSK-në”, ka thënë Çeku. Ai ka treguar se deri më tani kjo forcë ka dëshmuar se është e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe e përbërë nga të gjitha minoritetet, andaj në rrugën e avancimit të saj nuk pret asnjë pengesë nga pjesëtarët e komuniteteve pakicë.

Çeku ka sqaruar se ngarkimi i FSK-së me detyra mbrojtëse për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të paqes e stabilitetit në rajon. “Është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, por edhe në interesin e të gjitha vendeve të rajonit. Gjithashtu, është në interes të paqes dhe të stabilitetit në rajon dhe në interes të rritjes së sigurt të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Nuk jemi duke ndërtuar forcë kundër dikujt. Ne jemi duke ndërtuar forcë për mbrojtjen e vendit, qytetarëve dhe mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës”, është shprehur Çeku.

Ndër të tjera, ai ka treguar se tani është në dorën e kryeministrit Hashim Thaçi të vendosë për të ardhmen e kësaj force. “Rishikimi strategjik ka përfunduar. Tani jemi në fazën e formulimit të rekomandimeve. Pra, jemi duke i harmonizuar rekomandimet brenda qeverisë së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kryeministri është ai i cili vendos nëse rekomandimet i plotësojnë kërkesat e qytetarëve dhe të qeverisë. Pra, kryeministri është vendimmarrës dhe krejt varet prej tij”, ka thënë Çeku.

Ndërsa ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka bërë me dije për “Epokën e re” se nëse komunitetet nuk do t’i braktisin institucionet shtetërore për shkak të vazhdimit të mandateve të rezervuara nuk do të kenë qasje selektive ndaj çështjeve të caktuara. Ai ka treguar se do të jenë parimorë dhe konstruktivë për çdo çështje. “Në qoftë se eventualisht nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit deputetët e komuniteteve, kjo nuk ka asgjë të bëjë me ndonjë projekt apo institucion të veçantë. Nëse komunitetet nuk participojnë në punën e parlamentit kjo do të ndodhë për të gjitha ligjet eventuale. Pra, nuk do të ketë për qëllim ta pengojë ndonjë projektligj të caktuar apo ndonjë strategji për ndryshmin e strukturës apo ndryshimin e misionit të FSK-së”, ka thënë Rashiq.

Derisa nuk vendosin ndryshe, sipas tij, komunitetet çdo çështje do ta trajtojnë në mënyrë të barabartë. “Ne e kemi trajtuar në nivel të barabartë çdo çështje që ka ardhur qoftë në parlament, qoftë në ministri apo institucione të tjera. Pra, nuk do të kemi qasje selektive. Do të kemi veprim kolektiv për të gjitha çështjet”, ka thënë ai.

Rashiq ka deklaruar se kërkesa e tyre për vendet e rezervuara ka të bëjë me krijimin e hapësirës në Kuvendin e Kosovës. “Pra, të mos keqkuptohemi, iniciativa e komuniteteve ka qenë në radhë të parë për të krijuar hapësirë për përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Kosovës, por kurrsesi kundër një ideje të posaçme. Do të participojmë në Kuvend derisa të vendosim ndryshe”, është shprehur Rashiq, duke shtuar se komuniteti serb, sikurse në institucionet e tjera, edhe në FSK i ka pjesëtarët e vet.

Më Shumë

Meriton Korenica fiton çmimin ‘Ylli i javës’ në Albi Mall Superligë

Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall , vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje...

Liria shënon fitore

Në kuadër të javës së VII-të të Ligës së Parë të Kosovës në futboll, skuadra e Lirisë para shikuesve të vet në “ Përparim...

Vranët dhe me shi

Lajmet e Fundit