14.7 C
Prizren
E shtunë, 27 Shtator, 2025

Limaj ankohet për vonesën e procesverbaleve

Fatmir Limaj dhe avokati i tij Tahir Rrecaj janë ankuar ndaj vonesës së procesverbalit të seancës së kaluar, i cili u është dorëzuar dje.

Të njëjtën ankesë e kishte edhe Arianit Koci, avokati i Endrit Shalës, i akuzuari tjetër në rastin e njohur si MTPT.

“Fatmirësisht që vëllimi nuk ishte i madh sepse përndryshe nuk do të kishim asnjë mundësi të përgatiteshim për seancë”, tha Limaj sot duke iu referuar procesverbalit nga seanca e kaluar ku dëshmoi Zukri Qarolli.

Kryetarja e trupit gjykues, Maria Tuma, tha se e kupton shqetësimin e Limajt dhe tregoi se këto vonesa janë për shkak të disa çështjeve të brendshme që lidhen me përkthyesit.

Tuma madje e sugjeroi mbrojtjen e Limajt të mbajë shënime gjatë seancës, duke thënë se ashtu mund të përgatiten.

Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj duke ju përgjigjur gjyqtares tha se vonesa në dorëzimin e procesverbaleve mbrojtjes bie ndesh me të drejtat e garantuara të mbrojtjes që sanksionohen me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe konventat e tjera për gjykim të drejtë.

Shqetësim lidhur me vonesën e procesverbaleve paraqiti edhe avokati Arianit Koci.

“Unë nuk e kuptoj se pse procesverbalet nuk na dorëzohen ditën kur mbahet seanca”, tha Koci.

Në seancën e sotme ishte paraparë që avokatët e të akuzuarve t’i bënin pyetje dëshmitarit të Prokurorisë, Zukri Qarolli, por asnjëri prej tyre nuk e pa të nevojshme një gjë të tillë.

Seanca e radhës do të vazhdojë nesër kur do të dëshmojë Enver Demolli, i cili sipas prokurorit Charles Hardaway është marrë me hetimin e pretendimeve të Mehmet Shkodrës që i kishte paraqitur në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në këtë gjykim të akuzuar për krim të organizuar janë Fatmir LImaj, Endrit Shala dhe Nexhat Krasniqi.

Pjesë e aktakuzës janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Në seancën e kaluar, dëshmitari Qarolli foli për atë që i kishte thënë Mehmet Shkodra në lidhje me njerëzit e njohur që kishte në Qeveri, duke përfshirë kryeshefin e saj, Hashim Thaçin.

Raportin nga dëshmia e tij dhe raportimet e tjera rreth këtij rasti mund t’i gjeni në linkun e mëposhtëm. /Kallxo.com

Më Shumë

Largohet shtylla elektrike rreth 25 metra e lartë nga “Transiti i ri” në Prizren

Në rrugën “Transiti i Ri” në Prizren, është larguar një trafo elektrike rreth 25 metra e gjatë. https://prizrenpress.com/423343-2ly/ “Ka qenë një projekt i madh që ka...

Kurti kërkon votën për Abrashin në lagjjen ‘Bajram Curri’ të Prizrenit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kandidatin për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e LVV-së, Artan Abrashi, kanë...

Lajmet e Fundit