Kryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj tha sot në Malishevë se ndryshimet e mëdha politike kanë filluar pikërisht në këtë vend.
Në hapje të fushatës zgjedhore në vendlindjen e tij Limaj tha se projekti i Nismës nuk ka nisur vetëm për Malishevë, por për krejt Kosovën.
Sipas tij, tash pas katër vitesh Nisma është në Prishtinë, Parlament dhe Qeveri.
Limaj tha se ndihet krenar për atë që bashkë me qytetarët ka bërë për katër vjet.
Për këto katër vjet, sipas tij Nisma ka luajtur një rol të rëndësishëm në politikën kosovare.
Kryetari i Nismës përmendi faktin se për gjithë ata muaj është Nisma që arriti ta mbajë opozitën e bashkuar, ndërsa shoti se nuk do të jenë pjesë e një Qeverie që nuk punon.
Duke falënderuar bashkëvendësit e tij për mbështetjen që i kanë dhënë Limaj tha se ky vend ka qenë i izoluar dhe i bllokuar nga njerëzit që nuk mendojnë si ata.
“Malisheva ishte e izoluar për disa vite, e keqtrajtuar, e shantazhuar, njëfarë mënyre ishte e bllokuar nga të tjerët sepse nuk mendonte si ata, dhe pasi që nuk mendonte si ata, ata u munduan ta ndëshkojnë dhe ta dënojnë. Por ata gabuan fort sepse nuk e kanë njohur mentalitetin e Llapushës. Llapushën nuk mund e gjunjëzon as e shantazhojnë, sepse këta njerëz janë vet punëtorë. Se po vinë ndryshimet u kuptua në vitin 2013. Dhe ja pas katër viteve ku është Kosova. Ku janë forcat politike atëherë e ku janë sot, askush nuk ka besuar, dhe unë iu them sot që ndryshimet e mëdha politike kanë filluar në Malishevë”, tha Limaj.
Kryetari i Nismës ka porositur bashkëvendasit e tij që mos t’i injorojnë tjerët por mos të bëhen si ata.
Në Malishevë ka folur edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi, i cili e përgëzoi kryetarin aktual dhe kandidatin për kryetar Ragip Begaj për punën që ka bërë gjatë këtyre viteve.
“Nga prezantimi që bëri të gjithë pamë që kryetari me ekipin e tij kanë zbatuar pikë për pikë , programin politik të Nismës për Kosovën. Kjo është fitore. Kjo do të jetë një shembull i mirë për gjitha komunat që në të ardhmen do të qeverisen edhe nga Nisma por edhe nga partitë tjera se si qeveria e Komunës kryetari dhe gjithë bashkëpunëtoret e tij janë në shërbim të qytetarëve “, tha Krasniqi.
Sipas tij me këtë punë që ka bërë Nisma në Malishevë është dëshmi që Nisma do të fitojë prapë pa balotazh.
Kryetari aktual i Malishevës Ragip Begah i cili synon edhëe një mandat në zgjedhjet e 22 tetorit tha se qytetarët janë në dijeni se çka ka bërë Nisma mandatin e kaluar.
Ai premtoi se do të ndërtojnë shkolla dhe çerdhe të reja, ndërsa ka përmendur investimet që janë bërë gjatë kohës sa ka udhëhequr me Malishevën.
“Nisma i ka përfunduar 9 shkolla, i ka 4 shkolla në ndërtim e sipër e ka përfunduar çerdhen e fëmijëve me 15 shkolla gati të përfunduar po e përfundojmë këtë mandat. Nuk besoj që në të gjitha komunat e Kosovës i kanë bërë ndërtimin 15 shkollave gjatë mandatit. Plus asaj edhe 2 shkolla i kemi rinovuar bëjnë 17 shkolla.I kemi dhënë 300 bursa për nxënës edhe tash premtimet tona për arsimin do të jenë këto. Do të ndërtojmë edhe 3 shkolla do të ndërtojmë edhe 1 çerdhe në Malishevë për arsye se ajo çerdhe është stërmbushur i ka 18 fëmijë e kemi nevojë edhe për 18 fëmijë….Na janë krijuar mundësit do të kemi kabinete nëpër shkolla.Renovim i shkollave ku do të ketë nevojë rregullimi i oborreve të shkollave . Do të premtojmë që do ti japim gjatë mandatit të ardhshme 400 bursa për studentët tanë”, tha Begaj.
Ai po ashtu ka treguar se për katër vjet kanë ndërtuar 120 kilometra rrugë , 130 metra kanalizime, 35 kilometra trotuar , ndërtim të ujësjellësit, në bujqësi kanë ndërtuar 10 stalla, ndërtimin e serave e tjera.
Begaj para qytetarëve të Malishevës premtoi se fëmijët më nuk do të jenë në rrezik nga qentë endacak si dhe u shpreh i lumtur që gjatë mandatit të tij nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes së ndonjë qytetari nga ethet hemoragjike.
Begaj premtoi se në mandatin e ardhshëm do të ndërtojnë 20 shtëpi për kategoritë e dala nga lufta.