2.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Limaj nuk po lihet i qetë

TomeGashi5-31Tomë Gashi, avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, ka thënë se ende nuk e kanë pranuar aktakuzën e re të cilën prokurori i EULEX-it ka njoftuar se e ka ngritur kundër Limajt.

“Prokurori i EULEX-it ka ngritur një aktakuzë të re kundër Fatmir Limajt për periudhën kohore kur ka qenë ministër i MTPT-së. Sipas prokurorit, veprimet që kanë mundur të kryhen janë të vitit 2008, ndërsa hetimet kanë filluar në vitin 2011. Mbrojtja e Limajt ka konsideruar se për këtë rast, të ashtuquajtur të ri, mund të jetë eventualisht një pikë e hetimit që është bërë për rastin e MTPT-së dhe nëse prokurori ka prova, duhet të përfshihet në aktakuzën e cila tanimë gjendet në Gjykatën e Apelit. Meqenëse kryetarja e trupit gjykues i ka konfirmuar vetëm katër pika të aktakuzës, ndërsa katër të tjera i ka hedhur poshtë si të pabaza. Nuk mund të ketë rast të ri për periudhën kohore për të cilën Limaj ka qenë nën hetime, por prokurori ka menduar ndryshe”, është shprehur Gashi për “Epokën e re”.

Në këtë kontekst, avokati Gashi ka thënë se në momentin që do ta pranojnë këtë aktakuzë pala mbrojtëse do të kërkojë t’i bashkohet të ashtuquajturit rasti i MTPT-së. “Kur neve të na dorëzohet aktakuza, prokurori është i obliguar të na dërgojë provat në të cilën e mbështet aktakuzën. Në momentin që do ta marrim aktakuzën do të propozojmë që ky rast t’i bashkohet aktakuzës së ashtuquajtur rasti i MTPT-së dhe të gjykohet si rast i përbashkët e jo i veçantë. Prokurori ka mundur t’i zgjerojë hetimet në kohën kur e ka hetuar Fatmir Limajn dhe nuk ka pasur nevojë të ngritë një aktakuzë të re”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se do të ishte normale sikurse prokurori të vendoste që fillimisht t’ia dorëzonte aktakuzën palës mbrojtëse e pastaj ta shpërndante lajmin nëpër medie. “Prokurori thirret në atë, se gjykata është e obliguar të na dorëzojë aktakuzën sepse, sipas tij, këtë aktakuzë ia ka dorëzuar gjykatës. Do të ishte më normale sikur prokurori të na njoftonte paraprakisht se mos kemi ne ndonjë provë të cilën do ta propozonim gjatë hetimeve, mirëpo prokurori ka zgjedhur rrugë tjetër, duke ngritur aktakuzë të cilën e ka bërë publike nëpërmjet medieve”, ka deklaruar Gashi.

Gashi: E pandershme të ngritet aktakuzë, kur Limaj ka paralajmëruar formimin e partisë së re

Avokati i Fatmir Limajt, Tomë Gashi, ka thënë se kjo aktakuzë është ngritur në një kohë të papërshtatshme. “Edhe pse EULEX-i nuk e zgjedh kohën, mendoj se kjo aktakuzë është ngritur në kohë të papërshtatshme. Pavarësisht kësaj, nuk besoj se do të mund ta dëmtojë shumë kredibilitetin e Fatmir Limajt për shkak se ai është një person i cili ka kaluar nëpër ngjarje të tilla të ngjashme. Nuk ka asnjë masë që të aplikohet kundër tij. Për askënd nuk është lajm i mirë ngritja e aktakuzës, sidomos për një politikan i cili ka qenë një për ish-ministrave më të suksesshëm, por besoj se mekanizmat për ta zbutur situatën janë në duart e Fatmir Limajt”, ka thënë Gashi, duke shtuar se është e pandershme që kjo aktakuzë të ngritet, sidomos kur Limaj ka paralajmëruar se do ta formojë një parti të re. “Mendoj se momenti kur Fatmir Limaj veçse ka shfaqur publikisht formimin e një partie të re, me siguri se politikisht mund të dëmtohet dhe është çështje e tij, se si do ta vlerësojë, si rast të motivuar politikisht apo si rast ku ka prova të mjaftueshme për ta mohuar këtë aktakuzë”, ka deklaruar Gashi. Ai ka thënë se Fatmir Limaj nuk është duke u lënë i qetë nga drejtësia. “Unë kam qenë avokat i Fatmir Limajt në të gjitha rastet, duke përshirë Hagën, Kleçkën, rastin e MTPT-së dhe tani rastin e fundit. Që nga përfundimi i luftës drejtësia ndërkombëtare është marrë me Fatmir Limajn. Sido që të jetë, vlerësoj se nuk mund t’i ikim faktit se Fatmir Limaj asnjëherë nuk është lënë i qetë nga organet e drejtësisë që nga viti 1999”, ka thënë Gashi.

Limaj mund ta drejtojë partinë dhe të garojë në zgjedhje

Avokati Tomë Gashi ka thënë se, pavarësisht ngritjes së kësaj aktakuze, Fatmir Limajn nuk mund ta pengojë askush ta drejtojë një parti politike ose të marrë pjesë në zgjedhje parlamentare të cilat do të mbahen sivjet. “Askush nuk ia ndalon Limajt të udhëheqë një parti politike dhe të garojë në zgjedhjet nacionale. Ju e dini se kemi pasur edhe kryetarë të partive të tjera të cilët kanë pasur probleme juridike dhe i kanë zgjedhur ato. Kështu që, me ligjet e aplikueshme në Kosovës askush nuk e ka të ndaluar të merret me udhëheqjen e një subjekti politik apo të ketë çfarëdo posti shtetëror, pavarësisht se është nën hetime apo nën akuzë. Fatmir Limaj konsiderohet i pafajshëm si çdokush tjetër përderisa të vendosë ndryshe me një aktgjykim të plotfuqishëm”, është shprehur Gashi.

Më Shumë

Sot vranët dhe intervale me diell

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. IHK njofton se në mëngjes...

Në Prizren u përurua videoklipi `Romani Sofra-Sofra Rome`, projekt i gazetarit Galushi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), njofton se në Doku Kino në Prizren, u promovua videoklipi "Romani Sofra - Sofra Rome", projekt i...

Lajmet e Fundit