18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Malisheva kërkon ndryshim e jo stagnim!

Nga Valon Hoti

Po bëhen dy vite që kur qeverisja në Malishevë u ndërrua, por logjika qeverisëse e instaluar nga pushteti i mëparshëm  nuk po arrin të ndryshojë, me disa përjashtime. Secili qytetar i Malishevës i cili ka jetuar dhe vepruar këtu, e di mirë se çfarë qeverisje ka pasur në kohën e PDK-së dhe i di edhe të bëmat e saj. Nuk është e vështirë të bëhen krahasime apo të tërhiqen paralele mes pushtetit të kaluar dhe këtij aktual. Pushteti i kaluar ka qenë pushtet autoritar, me një kryetar despotik dhe të korruptuar i cili operonte përmes sekserëve dhe biznesmenëve partiak, të cilët për vite të tëra zhvatnin buxhetin e komunës dhe keqpërdornin pasurinë publike.

Qeverisja aktuale, ndonëse ka ardhur në pushtet me flamurin e ndryshimit për një qeverisje transparente, të përgjegjshme, profesionale e llogaridhënëse, ajo ende nuk ka arritur ta dëshmoj një gjë të tillë.

Malisheva edhe sot vazhdon të ballafaqohet me cilësi të ulët në arsim, me mungesë të një plani zhvillimor e ekonomik, përfshirë atë për zhvillimin e bujqësisë, me rritje të papunësisë, cilësi të dobët në infrastrukturë, jetë të varfër kulturore dhe sportive. Të gjitha këto janë shenja të qarta se kemi të bëjmë me një qeverisje pa vizion, pa planifikim dhe pa vullnet.

Arsimi, vazhdon të mbetet tema kryesore, në asamble, në debate publike, e kudo tjetër, fatkeqësisht si një nga dështimet, jo vetëm të pushtetit, por edhe të shoqërisë.

Për më keq, shkolla dhe arsimi, deri më tani mund të shihen  nga dy këndvështrime. Së pari, duke u reduktuar vetëm në infrastrukturë dhe objekte shkollore, të cilat kanë shërbyer si potencial për marrje tenderësh, dhe së dyti, si mundësi për rehatimin e militantëve partiak, në shumë raste pa i plotësuar kriteret ligjore, profesionale, etike e pedagogjike, gjatë rekrutimit të stafit edukativo arsimor. Ku, për pasojë, kemi degradimin e sektorit të arsimit, i cili përveçse nuk ofron dije dhe edukim për brezat, ai në shumë raste, ka përbërë edhe rrezik për gjeneratat e reja, duke i bërë viktima edhe të cenimit të integritetit dhe dinjitetit fizik dhe  moral.

Tjetërsimi i pronave publike, është fenomeni i radhës, i cili nxjerrë në pah lidhjen mafioze dhe ndërmarrjen kriminale në mes të zyrtarëve të lartë të nivelit lokal dhe qendrorë, sekserëve të pronave dhe organeve të drejtësisë, nga të cilët prona publike ka pësuar humbje në qindra hektarë dhe miliona euro, në formë të privatizimeve, shpronësime dhe kompenzimeve, kthimit të pronave nga publike në private, përmes dokumenteve të fabrikuara, si dhe dhënia në shfrytëzim të pronës publike pa kritere.  Edhe sot, janë të freskëta, rastet si: privatizimi i ndërmarrjes “Mirusha” ( pronat e fshatit Bellanicë dhe fshatrave përreth), mbyllja e tregut të gjelbërt dhe tjetërsimi i pronës së këtij tregu, pronat në Golesh, pronat përreth liqenit artificial të Mirushës, si dhe prona publike- shoqërore brenda qytetit të Malishevës. Nga tjetërsimi i këtyre  pronave publike, janë krijuar milionerë brenda natës, të  cilët, qeverisja lokale edhe sot e kësaj dite nuk ka guxim t’i denoncojë. Për më tepër, pikërisht këta uzurpator të pronave, vazhdojnë të sillen lirshëm dhe të gllabërojnë edhe ato pak prona publike që kanë mbetur.

Tash, kur qeverisjes Begaj i kanë mbetur më pak se dy vjet, disa nga premtimet e kësaj qeverisje, edhe pse të pakta, duket sheshit se nuk do të arrijnë të përmbushen dot, nëse vazhdohet me avazin e njëjtë. Ndonëse kishte premtuar transparencë dhe llogaridhënie, një gjë e tillë ende nuk po ndodhë. Transparencën dhe llogaridhënien, kjo qeverisje e ka tkurrur vetëm në disa takime formale me qytetarë dhe në disa publikime në webfaqe, duke   përjashtuar pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në planifikimin e projekteve dhe inkorporimin e nevojave dhe të kërkesave të tyre në planifikimin e investimeve publike. Investimet në infrastrukturë, ndonëse janë duke u realizuar si sasi, atyre ju mungon një planifikim profesional paraprakë, mbikëqyrja gjatë realizimit dhe të cilat në fund rezultojnë me cilësi të dobët, të përcjellura nga tenderomania.

Një mangësi tjetër e qeverisjes Begaj, është edhe paaftësia e saj për të absorbuar mendimin ndryshe, kritikat dhe sugjerimet, ndonëse ka pasur përjashtime, si në rastin e hartimit dhe të miratimit të buxhetit të vitit 2016, kur për herë të parë, falë presionit tonë, por edhe të reflektimit të tyre është arritur të kemi një buxhet më gjithëpërfshirës që e kemi pasur deri më tani. Këtu nuk duhet harruar edhe miratimin e deklaratës kundër ‘’Zajednicës”. Përmes së cilave u dëshmua, se kur ekziston gatishmëria dhe vullneti politik, ato sjellin vendime që janë në funksion të interesave të qytetarëve dhe jo në funksion të klientelizmit dhe të logjikës së bastioneve, ku qytetarët nuk shihen si votë dhe farefis, por shihen si qytetarë të barabartë të komunës.

Hija e qeverisjes Kilaj ende vazhdon ta përcjellë qeverisjen aktuale, e cila urgjent përveç se duhet të distancohet nga mendësia e qeverisjes së PDK-së, ajo duhet ta denoncoj atë.

Fjalët, tashmë nuk mjaftojnë, duhet vendime dhe veprime konkrete, për të cilat duhet vullnet, guxim dhe dije. Një gjë e tillë kërkon reformim të thellë në stafin politik dhe menaxherial të komunës, ku të papërgjegjshmëve, të paaftëve, keqpërdoruesve dhe keqmenaxhuesve duhet t’u tregohet vendi dhe bashkë me këtë duhet të ndryshojë edhe mendësia qeverisëse, e cila   qytetarin duhet ta ketë në qendër, e cila nuk amniston shkelësit, që udhëheq me politika të planifikuara dhe jo me mendësinë e “harrnimit”.

Komuna e Malishevës dhe qytetarët e saj nuk mund të mjaftohen më me justifikimin qeverisjes Begaj duke bërë me gisht dhe hedhur fajin kah keqqeverisja Isni Kilaj dhe PDK-së. Ata, duan dhe kërkojnë zgjidhjen e problemeve dhe përmbushjen e nevojave të tyre të përditshme dhe ekzistenciale. Ata, duan edukim cilësor dhe siguri për fëmijët e tyre, infrastrukturë kualitative dhe në përgjithësi një qeverisje që qëndron në anën dhe përkrah tyre dhe jo një qeverisje e shurdhër dhe përtace që qëndron karshi dhe kundrejt tyre.

Ka ardhur koha që të dalim përfundimisht nga mentaliteti provincial dhe t’i bashkohemi të resë!

Më Shumë

Askush përveç vetes sonë nuk mund të na lirojë mendjen

Thënie nga Bob Marley – “E vërteta është se çdo njeri do t’ju lëndojë; ju thjesht duhet ta gjeni personin për të cilin ia vlen...

Prizren, deklarohen rreth fajësisë dy të akuzuarit për rastin e aksidentit fatal nga gara në autostradë

Gjykata e Prizrenit ia ka ndëprerë paraburgimin Arlind Sylës, njërit prej të akuzuarëve për aksidentin tragjik në një garë automobilistike që ndodhi më 2023...

Lajmet e Fundit