17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Mamusha shpenzoi afër 15 mijë euro për Festivalin e Domates

Elmedina baxhaku ,ec ma ndrysheNë kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Mamushës, “EC Ma Ndryshe” gjatë muajit nëntor ka shqyrtuar çështjen e shpenzimeve të qeverisë komunale në lidhje me organizimin e Festivalit të Domates.

Në saje të dhënave zyrtare del se Komuna e Mamushës për organizimin e Festivalit të Domates në vitin 2013 ka shpenzuar afër 15 mijë euro. Shuma e njëjtë e mjeteve është harxhuar edhe për edicionin e vitit 2012.

“Bazuar në faturat e shpenzimeve për vitin 2013, 5.210 euro janë paguar për transportin me aeroplan nga Stambolli në Prishtinë, pastaj transportin me autobusë në relacionet Prishtinë-Mamushë dhe Mamushë-Prizren, si dhe rregullimin e binës, ndriçimit dhe zërimit. Ndërsa 3.294 euro ka kushtuar akomodimi i mysafirëve, derisa ushqimi dhe materialet promovuese kanë kushtuar 6.485 euro”, theksoi Elmedina Baxhaku, monitoruese OJQ “EC Ma Ndryshe”.

“EC Ma Ndryshe” është në dijeni se Festivali i Domates është njëra nga ngjarjet kryesore në këtë komunë, ku bujqësia është njëra nga veprimtaritë më të rëndësishme ekonomike. Prandaj, përshëndet dhe inkurajon autoritetet komunale që të ndërmarrin aktivitete që promovojnë produktet bujqësore të kësaj ane, por edhe vet imazhin e komunës së re.

“Mirëpo, duke marrë parasysh shumën e mjeteve të harxhuara, pra 15 mijë euro, që përputhet me shifrën që Komuna e Prizrenit i ndan për “Dokufestin”, si një ngjarje kulturore e nivelit ndërkombëtar, atëherë “EC Ma Ndryshe” konsideron se Komuna e Mamushës duhet të bëj përpjekje më të mëdha që për këtë shumë të parave të siguroj vlerë më të shtuar për publikun”, theksoi Bazhaku.

Ky konstatim bazohet edhe në faktin se të hyrat komunale të Mamushës në vitin e kaluar kanë qenë të kufizuara, pra rreth 43 mijë euro, që nënkupton se shpenzimet për organizimin e këtij festivali kalojnë një të tretën e të hyrave vetanake.

Bazuar në këto të gjetura, “EC Ma Ndryshe” rekomandon komunën e Mamushës që të:
-Sigurohet se paratë e harxhuara do të sjellin vlerë të shtuar për Komunën dhe banorët e Mamushës, duke promovuar lokalitetin dhe produktet bujqësore me aktivitete cilësore dhe gjithëpërfshirëse që do të ndikonin edhe në lidhjen e marrëveshjeve respektivisht rritjen e shitjes së domateve dhe produkteve tjera bujqësore;
-Bashkëpunoj me Shoqërinë Civile dhe Ministrinë e Bujqësisë rreth organizimit të Festivalit; dhe
-Publikoj thirrje për propozime për konceptin dhe organizimin e Festivalit, për çdo edicion. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit