24.6 C
Prizren
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Manifestimi “Nata e bardhë” sot në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka,  së bashku me drejtoreshën e Aleancës Franceze, Anne-Sophie Veyrier dhe koordinatoren e projektit, Blerta Hoçia, mbajtën konferencë për shtyp në hapësirat e Komunës së Prizrenit, për të sqaruar detajet lidhur me organizimin e manifestimit kulturor, Nuit Blanche Prizren (Nata e Bardhë), e cila do të organizohet të shtunën më 14 shtator dhe do të jetë hera e parë që do të mbahet në një qytet të Ballkanit.

Kryetari Haskuka, fillimisht duke i falënderuar partnerët e këtij bashkëpunimi, tha se me këtë organizim Prizreni i është bashkuar mbi 30 qyteteve anembanë botës si Parisi, Roma, Montreali, Toronto e Madridi, të cilët po ashtu organizojnë këtë ngjarje.

Haskuka theks të veçantë i dha edhe hapësirave ku do të mbahen aktivitetet, pasi që disa rrugë të qytetit do të jenë të bllokuara përkohësisht për qarkullim të veturave dhe do të jenë ekskluzivisht të hapura vetëm për këtë ngjarje.

“Kështu, dy rrugët kryesore të qytetit, rruga “Remzi Ademaj” dhe rruga “Adem Jashari”, do të jenë pjesërisht të bllokuar për qarkullim të veturave. Për më konkret, rruga do të jetë e bllokuar nga kthesa që lidhet me rrugën Faik Emrush (te ish-qebaptorja Sarajeva) deri tek udhëkryqi përballë PTK-së. Ky segment rrugor do të jetë i mbyllur vetëm ditën e shtunë nga ora 17:00 e deri në ora 07:00 në mëngjes”, thuhet në njoftimin për media.

Lidhur me këtë, Haskuka kërkoi mirëkuptim nga qytetarët dhe ftoi ata që t’i përdorin rrugët alternative, duke mundësuar kështu më shumë hapësira publike për këmbësorët.

Kurse drejtoresha e Aleancës Franceze, Anne-Sophie Veyrier, duke folur për historinë e Natës së Bardhë dhe bashkëpunimin me Komunën e Prizrenit, tha se ky aktivitet artistik organizohet çdo vjet nga Komuna e Parisit, ndërsa ideja është që një natë e vetme t’i dedikohet kulturës dhe performancave artistike.

Ajo shtoi se Nata e Bardhë është iniciuar nga nënkryetari i Parisit, Christopher Gerard në vitin 2001 dhe më pas u zgjerua në shumë vende të tjera të botës. Me organizimin e kësaj ngjarjeje kulturore ajo tha se është rritur edhe afërsia mes Kosovës dhe Francës.

Ndërkaq koordinatorja e projektit, Blerta Hoçia, tha se tema e këtij edicioni është “Qyteti i hapur” dhe sqaroi në detaje aktivitetet e ndryshme artistike që do të organizohen.

Në këtë edicion do të jenë gjithsej 16 aktivitete në lokacione të ndryshme brenda Qendrës Historike të qytetit, ku do të performojnë mbi 20 artistë. Ceremonia e hapjes do të jetë në ora 19:00 pranë Urës së Gurit, për të vazhduar më pas me itinerarin sipas programit.

Nata e bardhë organizohet në partneritet mes Komunës së Prizrenit, Komunës së Parisit, Ambasadës Franceze, Aleancës Franceze, Institutit Francez, Bashkimit Europian dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Më Shumë

Eris Abedini largohet nga Ballkani

Ballkani ka njoftuar zyrtarisht largimin e mesfushorit Eris Abedini nga skuadra. Klubi suharekas ka falënderuar Abedinin për kontributin e tij gjatë kohës sa ishte...

Totaj nderon dëshmorët Reshat Çoçaj dhe Muharrem Samahodaj në përvjetorin e 26-të të rënies së tyre

Në përvjetorin e 26-të të rënies heroike të dëshmorëve Reshat Çoçaj dhe Muharrem Samahodaj, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë homazhe...

Lajmet e Fundit