Dikush e ka quajtur politikën një organizim sistematik të urrejtjeve. Ndofta sepse në betejën politike, pushteti nukYlli Pango I RI bz mund të arrihet, pa arritur ta paraqesësh e po munde ta bësh sa më të urryer kundërshtarin, për njerëzit. Madje duke e filluar këtë përpjekje që ditën e parë të pushtetit të tij. Është ndofta mësimi i parë që merr politikani i ri që rishtaz bën opozitë. Le të thuhet nga njerëzit a nga mediat proqeveritare, e le të tingëllojë sado logjike se qeveria sapo ka filluar punën dhe nuk mund të gjykohet as për një ditë, as për një muaj madje as edhe për një vit. Sulmi kundër saj për opozitën fillon e duhet të fillojë që ditën e parë të uljes në kolltuqe të ministrave të partisë kundërshtare në pushtet. Mundësisht edhe me shpifje, me ndonjë sebep a lapsus sado të pafajshëm që u shpëton liderëve kundërshtarë. Një nga mënyrat a mjetet më të njohura e më rezultative, të ngjalljes e mbajtjes gjallë të kësaj urrejtje të amplifikuar, është përdorimi i mediave. Kjo natyrisht është një barrë jo e lehtë dhe politika aty ku media nuk i shërben asaj, përdor për këtë të gjitha mjetet, paranë, shantazhin, blerjen e mediave, krijimin e mediave të reja në shërbim të saj etj. Tek ne urrejtja politike dhe shprehja e saj në forma nga më të ashprat, është tashmë mënyrë tipike e formë bazë e funksionimit të politikës.
Ka pothuajse 24 vjet që kjo vazhdon gjithnjë me tone të ashpra, pa asnjë tolerancë e në disa raste me forma madje nga më primitivet, sidomos në majat më të larta të saj. Faktori i parë është natyrisht mungesa e kulturës politike pluraliste, e traditës së saj, mungesa madje edhe e kulturës së dialogut, komunikimit madje edhe mes njerëzve jashtë politikës, duke mos i lënë radhë njëri-tjetrit për të folur e shprehur deri në fund mendimet a idetë. Nganjëherë pretendohet se kjo është e përgjithshme dhe sherret e grindjet deri me grushte janë të zakonshme edhe në parlamente të vendeve të tjera më të zhvilluara. Por këtu duhet bërë dallimi: kjo formë përplasje deri në konfrontime fizike mund të shfaqet vërtet disi e ngjashme në vendet e lindjes e ato të dala nga sistemi komunist, në vendet e botës së tretë, të ngjashme deri diku me ne por përsëri më të pasur në kulturë e traditë pluralizmi e demokracie se ne. Por edhe atje nuk ka atë vijimësi shumëvjeçare e urrejtje permanente deri në ekstrem mes kundërshtarëve si tek ne. Kurse sherret e debatet në parlamentet perëndimore janë ku e ku të ndryshme e natyrisht nuk ngjasojnë kërrkund me sherret e zgjatura, shpesh shumëvjeçare që ngjasojnë shumë me ato mes gjaksave, aq sa mund të flitet edhe për gjaksa e gjakmarrje në politikë a mes politikanësh.
Kjo edhe për një arsye tjetër: Mund të thuhet se tek ne kjo urrejtje e zgjatur me puntata katërvjeçare, mes politikanëve e sidomos kryepolitikanëve të dy kampeve më të mëdha politike, deri në gjaksi jo vetëm figurativisht por edhe realisht, e ka edhe një bazë historike: ndarjen në pjesën e saj më të madhe të politikës shqiptare, në dy grupime të mëdha, në një grupim antikomunist apo të deklaruar si të tillë që në fillimet e ndryshimeve demokratike e në një tjetër të konsideruar si pasardhës i Partisë Komuniste e i përbërë kryesisht nga pinjollë a pasardhës të ish-drejtuesve të qeverisjes, e sistemit ideologjik të asaj kohe. Shpesh urrejtjet kësisoj, janë të trashëguara dhe lidhen me haqe të vjetra, hakmarrje a amanete të lëna nga paraardhësit e kërleshur keqas në luftëra, sherre, ndasi, vëllavrasje a gjakderdhje të lidhura me rrëzimin e një sistemi e ardhjen në një fuqi të një tjetri që mbyti në gjak çdo tendencë për një sistem më të lirë e më demokratik. Këto urrejtje shpesh e kalojnë cakun e debatit politik dhe denigrojnë në fyerje personale e familjare që nuk lenë shkas për asnjë lloj marrëveshje e mirëkuptim mes palëve të ndërsyera në përplasje pa kompromis.
Problemi më i madh që lind së këtejmi nuk është vetëm krijimi i imazhit të keq për politikën e këtij vendi dhe edukimin me modele negative të njerëzve me shumicë që i ndjekin mediatikisht këto modele, por edhe largimi për shkak të tyre nga zgjidhja e problemeve reale dhe fokusimi në sulme e denigrime personale që veç të tjerash na largojnë nga mundësia e një integrimi jo vetëm formal, por edhe real në Europën ku duam të integrohemi.
Nga ana tjetër kemi dhe një faqe tjetër të medaljes që madje edhe njerëzve të thjeshtë u ka rënë në sy. Veç marrëdhënieve miqësore që disa herë lidhin edhe politikanë të kampeve kundërshtare, marrëdhënie që shkojnë deri në raportin e kafesë e bisedave rreth filxhanit të saj, ka edhe marrëdhëniet okulte mes politikanëve tyre, që lidhen me interesa korruptive a ekonomike të përbashkëta. Në këto raste ata bashkëpunojnë në heshtje mes tyre e jo rrallë janë më të avancuar në aspektin e flakjes tej të paragjykimeve për kundërshtarin, për interes të përfitimit personal e atij familjar.
Një raport tjetër interesant tjetër është ai mes politikanëve të të njëjtit lloj, të së njëjtës parti a grupimi politik. Thuhet shpesh se marrëdhënia brenda llojit është ndër më të vështirat e lufta mes vedi, më të egrat. Në një aspekt lufta në ekip për të arritur fitoren ndaj ekipit kundërshtar, ashtu si në sportet kolektive, është kusht sinequanon i suksesit, i arritjes së pushtetit, i fitores në zgjedhje e i mbajtjes së pushtetit kur ai arrihet e duhet të mbahet sa më gjatë. Nga ana tjetër nuk duhet harruar se meqenëse qëllimi kryesor i politikës është pushteti, dhe ky është i lakmuar nga të gjithë, rezulton për rrjedhojë se edhe lufta mes vedi, natyrshëm është gjithaq një nga llojet jo vetëm më të egra, por edhe madje më frikshëm e shpesh të fshehura të jetës politike. Sa e sa shembuj njeh a ka treguar më vonë pas vitesh, historia jo vetëm e partive komuniste e pushteteve të tyre gjakatare, por edhe të partive e sistemeve më demokratike të Europës Perëndimore etj., kur liderët madje edhe ata me famën më të papërlyer, liderë historikë madje, kanë asgjësuar a eliminuar (në rastin më të mirë vetëm politikisht, e në më të keqin edhe fizikisht) bashkëpunëtorë të tyre më të afërt, politikanët më të aftë e për rrjedhojë më konkurrues e më të rrezikshëm për pushtetin e tyre personal, brenda familjes së tyre politike.
Duke filluar nga Mehmet Shehu e të tjerë tek ne, Lin Biao në Kinë, e duke vazhduar veç këtyre diktaturave edhe me figura si Beregovoy në Francën demokratike, vetëvrasja e të cilit mendohet se rezultoi efekt i luftës së egër politike brenda llojit, etj. Në të gjitha këto raste një vend të veçantë zë beteja mes njëshit e dyshit në udhëheqjet partiake a ekzekutive. Beteja brenda llojit zë fill që në opozitë apo që në fillimet e formimit a aktivitetit të një partie a grupimi politik, ku lufta për zënien e vendit të kreut partiak është lufta për lavdinë, suksesin e më tej për pushtetin ekzekutiv, për postin e kryeministrit, presidentit, ministrit etj. Dhe këtu lufta shfaqet ndër më të egrat. Lufta brenda llojit në pushtet, ku qeveria luftohet edhe nga të vetët, është ndër më të ashprat dhe shoqërohet me ambicie nga më të egrat, sabotime, luftëra grupimesh e në disa raste ka çuar deri në krijim grupimesh a fraksionesh që përsëri për arsye pakënaqësie në ndarjen tortës në pushtet, shpien deri në shkëputje a deri në krijim partish të reja.
Raste të tilla sidomos tek ne, ku demokracia është në stadet e saj primitive, kanë zënë fill që nga fillimet e pluralizmit demokratik para 23 vjetësh me krijimin e partisë Aleanca Demokratike e shumë të tjera pas saj, si pjesë të shkëputura nga Partia Demokratike, më pas me krijimin e shkëputjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga Partia Socialiste, e deri në prishjen e aleancave mes partive të të njëjtave bindje a të të njëjtit krah politik, si ajo mes Demokristianëve e PD në fund të viteve 2000, e deri në ditët e sotme kur është bërë modë shkëputja a kërcënimi për shkëputje nga partia, a nga aleancat, me rastin më të parë të mosplotësimit të dëshirave a orekseve të tyre për poste ministrore a drejtuese të të gjitha llojeve. Maska e bindjeve të ndryshme ideologjike, idealeve, rrugëve të drejta në interes të popullit, ka pak gjasë të jetë e besueshme në cilindo prej këtyre rasteve.
Konkluzioni mbi raportet mes politikanëve, del më i qartë nëse kuptohet se në thelb, ky është raporti mes njerëzve në majë, mes njerëzve që arrijnë a mund të arrijnë përmes politikës kulmin e mirëqenies, lavdisë, pushtetit, autoritetit; në një aspekt metaforik ky është raporti i perëndive në Olimp që synojnë të gremisin mes njerëzve e ca më keq poshtë tyre, nën ta në terr, njëri tjetrin, e akoma më keq edhe vetë Zeusët, kur këtyre u vjen fundi a kur u thuren komplote për t’i rrëzuar para kohe. Në ca raste të tjera përbetimet e më pas betejat e egra për rrëzimin e etërve ideologjikë a politikë partiakë nga bijtë e tyre më besnikë a kreaturat e tyre u përngjet atyre të vetë Zeusit të ri ndaj të atit Kronosit.
Në përgjithësi lufta politike për pushtetin, është një luftë që nis me betejën me bërryla e shkelma për arritjen në majë, dhe më pas me betejën për t’u mbajtur atje me thonj e me dhëmbë, me çdo kusht e me çdo mjet, duke goditur e rrëzuar përgjakshëm këdo që synon të të rrëzojë, duke u orvatur për të qëndruar atje deri në rrokullimën përfundimtare të gjasave fatkëqija a të fundit të jetës.
A është ky më sipër i vetmi qëllim i politikës? A ka edhe idealizëm në politikë? A ka politikanë të inspiruar për t’u bërë mirë njerëzve qoftë edhe për arritjen mes kësaj të lavdisë së tyre, mirëqenies a mirëndjerjes së tyre? Politikanë që në luftën e tyre kundër njëri-tjetrit për t’u ngjitur sa më lart, sakrifikohen për njerëzit a thjesht për lavdinë, të palidhur me interesat materiale a në rastin më të keq lidhur minimalisht me to? Dhe përse megjithatë angazhimi në politikë lakmohet, kërkohet, për të luftohet madje edhe duke u kacafytur siç e pamë deri në gjakderdhje me njëri- tjetrin, duke rrezikuar jetën, e duke e humbur edhe atë si në rastin e mjaft politikanëve e të mëdhenj si Kenedi, Linkolni, Aldo Moro etj. Përse? Çfarë është ky paradoks në dukje? Kjo është një temë më vete a nëntemë e kësaj teme që vijon më tej.