18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Mbërrijnë albanologët

Fundi i muajit gusht, edhe këtë vit kthen vëmendjen te ngjarja më e madhe e albanologjisë në Kosovë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili në edicionin e tij të 34-të bën bashkë në kryeqytet 120 albanologë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa këtë vit atyre u janë bashkuar edhe arbëreshët e Zarës. Nga 17 deri më 28 gusht, në seminar do të diskutohet mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Në muajin gusht në fakultetin tonë, fillon ngjarja më e madhe ndërkombëtare e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, ka thënë Sedat Kuçi, dekan i Fakultetit të Filologjisë. Siç është shprehur ai, ky fakultet është me fat, është i nderuar dhe krenar që ka trashëguar nga të parët e vet, profesorët largpamës, një institucion aq të rëndësishëm arsimor, shkencor e kulturor të përmasave ndërkombëtare.

“Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare, përveç rolit arsimor, shkencor e kulturor vazhdon t’i përmbushë edhe 1. misionin e afirmimit të vlerave të kulturës shqiptare në botë, 2. misionin e përhapjes së mendimit intelektual shqiptar për probleme të caktuara gjuhësore, letrare e kulturore, 3. misionin e njohjes reciproke me rezultatet e studiuesve shqiptarë dhe të huaj në fusha të ndryshme të albanologjisë, 4. misionin e krijimit të mundësive të reja midis studiuesve shqiptarë dhe atyre të huaj që ka një rëndësi të madhe në aspektin e bashkëpunimit ndërnjerëzor dhe ndërkombëtar midis kulturave e popujve. Duhet të theksojmë se sivjet pjesëmarrës të Seminarit do të jenë edhe përfaqësuesit e arbneshëve të Zarës dhe 5. misionin e krijimit të mundësive të reja për mobilitet të studentëve, të pedagogëve dhe të hulumtuesve shkencorë”, ka thënë Kuçi.

Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës, është shprehur se Seminari është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore të Kosovës, dhe kjo si rezultat i vazhdimësisë kohore të organizimit, dimensionit të hulumtimeve shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe përmasave dhe pjesëmarrjes së studiuesve nga mbarë bota dhe të gjithë atyre që po e japin kontributin e tyre në këtë Seminar.

“Aktivitetet të cilat zhvillohen në këtë Seminar, aktualiteti i temave të prezantuara, si dhe karakteri gjithëpërfshirës i tyre, padyshim se e bëjnë Seminarin një ambient shumë të përshtatshëm që një gjuhë, letërsi dhe kulturë, në këtë rast shqiptare, të shtjellohet, dhe të vlerësohet nga këndvështrime të ndryshme të ndërlidhura ngushtë me gjuhët, kulturat dhe letërsinë e vendeve të cilat ju i përfaqësoni këtu dhe të vendeve të tjera”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se për të gjithë këto dekada të funksionimit të tij, Seminari ka promovuar shkencën dhe kulturën shqiptare, e së fundi është bërë një prej ambasadorëve shumë të rëndësishëm të komunikimit kulturor të Kosovës me gjithë botën.

“Gjuha shqipe ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në progresin tonë historik, politik dhe ekonomik, si dhe në atë social, prandaj një gjë është e sigurt, pa gjuhën shqipe të ruajtur dhe të kultivuar, kështu siç e kemi bërë, kombi ynë nuk do të mundë të qëndronte përballë valëve dhe historisë me të cilën ne jemi ballafaquar”, ka thënë kryeministri Mustafa, teksa ka shtuar se shumica kanë bartur për shumë vite organizimin e Seminarit, duke mos u dorëzuar përpara vështirësive, duke u vënë në kërkim të rrugëve dhe mënyrave për të mbajtur gjallë Seminarin.

Studiuesit me përkushtimin e tyre kanë bërë ç’është e mundur për të mbajtur gjallë amanetin e rilindësve, është shprehur Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë, teksa ka thënë se gjuha shqipe mbijetoi në një vend të okupuar për dekada.

“Për 40 vjet, katër dekada gjuha jo vetëm që ka mbijetuar, por është zhvilluar me një ritëm të shpejtë. Mungoi vetëm shtatë vjet që nuk është organizuar ky Seminar aq prestigjioz, që nuk ka vlerë vetëm për Kosovën, për rajonin, për shqiptarët, por ka një vlerë shumë të veçantë edhe për ndërkombëtarët”, ka thënë Minxhozi, duke shtuar se përgjegjësia për gjuhën shqipe, për kulturën shqipe nuk i takon Qeverisë, nuk i takon një brezi, por i takon çdo njeriu që i thotë vetes shqiptar.

“Është shumë e rëndësishme, që në kohë paqe, siç është Kosova sot duhet t’i shohim përpjekjet tona që të gjitha institucionet në Kosovë sidomos në bashkëpunim të plotë edhe me të gjitha institucionet shqiptare, të çojmë përpara punën e filluar para 4 dekadave nga i ndrituri Idriz Ajeti”, ka thënë Qemal Minxhozi.

Rrahman Paçarizi, drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare, ka thënë se bart mbi supe një institucion të rëndësishëm me një traditë kaq të gjatë e të suksesshme, me një mision kaq shkencor e racional, duke ditur që nëpër të kanë kaluar emrat më eminentë të shkencave të albanologjisë.

“Një ndjenjë të veçantë të bie edhe fakti që mijëra studentë nga vende të ndryshme të botës për gjatë katër dekadave të këtij Seminari kanë ardhur këtu për të mësuar shqipen, qindra prej tyre sot janë emra të njohur të albanologjisë, shumë prej tyre kanë kontribuar në hapjen e katedrës së shqipes në botë”, është shprehur Paçarizi, teksa ka treguar se në Seminar sivjet nis një sesion i veçantë për kulturën shqiptare në të gjitha dimensionet e saj. “Seminari është tubimi më i madh dhe më i rëndësishëm për shkencat albanologjike të cilat janë shumëdimensionale dhe multidisiplinare”, ka thënë Paçarizi, teksa ka kërkuar nga institucionet që të njohin dhe të pranojnë rezultatet e punës hulumtuese dhe shkencore që bëhen në institucionin e Seminarit, pasi, siç ka thënë ai, në botë nuk ka një institucion më serioz që merret me shkencat albanologjike dhe nuk ka një revistë më përfaqësuese se kjo e Seminarit, ku botohen të arriturat në këto fusha./zeri/

Më Shumë

Kanosi dhe fyu policët, arrestohet një person në Prizren

Një person është arrestuar në Prizren pasi që i njëjti gjatë shqiptimit të një tikete kundërvajtëse në trafik, ka kanosur dhe fyer zyrtarët policorë. Në...

Prizren: Kanosi me armë dy persona, arrestohet i dyshuari që iu sekuestruan edhe 96 fishekë

Të premten në Prizren është arrestuar një person pasi i njëjti kishte kanosur me armë zjarri dy meshkuj kosovarë. Policia e Kosovës në raportin 24...

Lajmet e Fundit