14.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Mbrëmë nisi festivali ‘Hasi jehon’

Mbrëmjen e të enjtes në Gjonaj të Hasit nisi edicion i 29-të i festivalit “Hasi jehon”. Edhe këtë vit hapësira përpara Shtëpisë së Kulturës ishte e mbushur me dashamirë të folklorit burimor.

Ekspozita e prodhimeve të bukës dhe ekspozita e fotografive të aktivitetit të ShKA “Malësori” i paraprinë programeve të organizmave kulturor që e ruajnë folklorin burimor.

Haziz Hodaj, drejtor i Festivalit, në hapje të ekspozitës tha para të pranishmëve se para fillimit të programeve të ShKA-ve që do të performojnë në skenën e festivalit, tashmë tradicionalisht pjesë e festivalit janë edhe ekspozita e prodhimeve të bukës, dhe ekspozita e fotografive të aktivitetit të “Malësorit”.

“Ekspozita e prodhimeve të bukës si zeje tradicionale me të cilën mbijetojnë hasjanët, dhe sofra e shtruar si virtyt i mikpritjes hasjane janë pjesë e pandashme e festivalit. Janë prodhime që nënat tona që i kanë gatuar në shtëpi e deri te prodhimet më moderne të furrave. Ekspozita tjetër është e fotografive të aktivitetit të të ShKA Malësori që nga viti 1975 deri në edicionin e fundit të vitit të kaluar si dhe pjesëmarrja nëpër festivale deri te ato ndërkombëtare” tha Hodaj.

Në ekspozitën e prodhimeve të bukës dhe ekspozitën e fotografive të aktivitetit të ShKA “Malësori” morën pjesë: kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, zv.ministri Bujar Nerjovaj, kryesuesi Artan Abrashi, nënkryetari Eshref Memaj, prokurori Sylë Hoxhaj dhe shumë mysafirë të tjerë.

Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka premtoi mbështetje më të madhe për rritje të festivalit “Hasi jehon”

Kryetari i Komunës së Prizrenit në hapje të edicionit të 29 të festivalit “Hasi jehon” premtoi mbështetje edhe më të madhe që tha ai “festivali të rritet edhe më shumë”.

“ Është nder i madh të jesh në një ngjarje që ka lindur në vitin 1976. Në atë vit unë kam qenë vetëm tre vjeçar, prandaj me të vërtet është një nder i madh të bësh hapjen e një manifestimi që ka traditë kaq të gjatë artistike dhe që mbledh në këtë skenë rreth 20 ansamble folklorike që vijnë nga të gjitha trojet shqiptare. Ansamblet nga Shkupi e Kumanova, Mati e Gjirokastra, Peja e Gjilani, nga të gjitha trojet shqiptare bashkohen në Hasin e Prizrenit dhe tregojnë se trashëgiminë e kemi të përbashkët dhe na obligojnë që ta ruajmë sepse vjen nga paraardhësit tanë”, tha Haskuka.

Ai duke e përgëzuar organizatorin për punën e madhe që ka bërë tha se do ta mbështes festivalin më shumë në vitet e ardhshme.

“Zotohem që do ta mbështesim festivalin “Hasi jehon” sepse mendoj se ky festival duhet të rritet edhe më shumë sepse i ruajmë dhe kultivojmë vlerat e popullit tonë.

Shaqir Hoti: “Këta tinguj i kam marrë në Has dhe po i kthej në vendin e vetë”

Pas paraqitjes së ShKA “Malësori”, drejtori i festivalit Haziz Hodaj duke e ftuar Shaqir Hotin për ta marr mirënjohjen për vepër jetësore tha se Shaqir Hoti është hasjani më të cilin krenohet i gjithë Hasi.

“Jam këtu për një arsye, për ta ftuar para jush profesorin e muzikës, Shaqir Hotin njeriun që tërë jetën ia ka kushtuar folklorit burimor, ruajtjes dhe kultivimit të tij, përpunimit të instrumenteve frymore, dhe nxjerrjes nga ato të tinguj të magjishëm. Shaqir Hoti është hasjani me të cilin krenohemi” tha Hodaj.

Shaqir Hoti, pasi e pranoi mirënjohjen për vepër jetësore, i emocionuar, në fjalën e tij të shkurt por shumë domethënëse tha “këta tunguj i kam marrë në Has dhe po ua kthej këtu në vendin e vet”.

Në vazhdim ai bashkë me ShKA “Malësori” me tingujt magjik të instrumenteve që i ka punuar vetë e hapën edicioni e 29-të të festivalit “Hasi jehon”.

Në natën e parë përveç ShKA “Malësori” me programet e tyre u paraqitën: Pallati i Kulturës “Pjetër Bogdani” nga Kruma e Hasit të Shqipërisë, ShKA “ Bajram Curri” nga Krusha e Madhe, ShKA “Zëri i LLapushës” nga Carralluka e Malishevës, ShKA “Jonuz Ramadani” nga Vitia, ShKA “Bajram Shabani” nga Kumanova, ndërsa mbrëmjen e parë do ta mbyll AAF “Rugova” nga Peja.

Më Shumë

8 vjet nga pranimi i Kosovës në UEFA, Ademi: Aty filloi një epokë e re për FFK-në

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka kujtuar 8-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA. Ademi ka thënë se ky vendim i...

Zhduket policja nga Rahoveci

Një zyrtare policore nga Rahoveci, është larguar nga shtëpia e saj të dielën. Të marten, ajo u raportuar e zhdukur nga familjarët. Rasti u konfirmua për...

Lajmet e Fundit