19.8 C
Prizren
E hënë, 13 Maj, 2024

Mbyllini “organizatat humanitare”!

Agim MuhaxheriShkruan: Agim Muhaxheri

Ujin e turbulluan ekstremistët e huaj. Derdhën mjete në Kosovë, formuan “shoqata humanitare”, hapën “shkolla” për t’ua mësuar islamin nxënësve shqiptarë. Për “arabizimin” e Kosovës bën luftë të madhe Serbia armike. Ajo përmes vëllezërve arabë jep mjete të mëdha për të arritur qëllimin e saj. Jo rastësisht Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri nuk e tha se gjendet në vendin e shqiponjave se Shqipëria është vend evropian, jo mysliman. Ky ishte një flakaresh për Serbinë dhe vendet e tjera që nuk ia duan të mirën Kosovës. Tjetër është islami hyjnor, tjetër islami politik.
Presidenti i superfuqisë botërore, i SHBA-së, Barack Obama në OKB bëri apel që të luftohet terrorizmi si e keqe botërore. E vuri theksin tek ISIS-i.
Pjesëtarët e kësaj organizate terroriste që i presin kokat e të tjerëve, të atyre që s’janë me ta, i kanë punët ngushtë. Këtyre ua mbylli derën Turqia.

E vetmja derë për “hyrje-dalje” ishte Turqia.
Tash i kanë izoluar. Caqet e tyre i bombardojnë amerikanët, francezët. Më vonë pritet t’u bashkohen edhe britanikët.
Aleatë të SHBA-së për luftimin e terrorizmit janë 56 shtete, pos Turqisë, Shqipërisë është edhe Kosova.
Kambana bie për atë që ka vesh.

Debati për ekstremizmin fetar u bë në emisionin “Rubikon” të KTV-së, më 24 shtator. Në siklet u ndie deputeti i PD-së, në koalicion me PDK-në, Gëzim Kelmendi. Ky bëri vërejtje: “S’po më leni të flas, unë s’mund të luftojë ndaj të pesëve”. Në këtë pesëshe e futi edhe drejtuesin e emisionit Adriatik Kelmendin.

Ndonëse Gëzimi (Kelmendi) pjesëtarët e ISIS-it i quajti terroristë, për shumë çështje nuk u pajtua me folësit tjerë. Këtij ia “hëngri shpirtin” deputetja e LDK-së Alma Lama.

Alma Lama tregoi linçimin që i kanë bërë ata me “mjekra”, të cilët kanë kërkuar të dëbohet nga shteti i Kosovës. Gëzimi (Kelmendi) dhe të tjerët si ky kanë heshtur, tha ajo. Foli ajo edhe për gjuhën e urrejtjes. E përmendi Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën. Pas polemikës “inter partes”, ndërmjet Gëzimit dhe Almes, kjo e dyta i tha rivalit të saj politik: “Ti je ai që në ‘Facebook’ ke shprehur urrejtje ndaj meje…”.

“Macja e kuta” kanë hyrë në Kosovë.
Në emër të bamirësisë, humanitetit, ekstremistët e jashtëm kanë hapur “organizata humanitare”, “shkolla” për t’u dhënë dije nga islami të rinjve shqiptarë. Fukarenjve u kanë dhënë ndihma.
Një nga “shkollat” ku u ndoq mësimi fetar ishte ajo në Prevallë të Prizrenit.
Islami i tyre, me prapavijë të caktuar, është politik, jo islami hyjnor.
Kosova e ka medresenë dhe Fakultetin e Studimeve Islame.
Përse hapja e “shkollave” të reja?

Lexuesve u kujtohet bastisja gjatë muajit gusht që u bë në “Kullën e jetimëve” në Prevallë të Prizrenit. Gjatë kohës së bastisjes, 70 vajza të moshës 8-16 vjeç nga anë të ndryshme të Kosovës, kanë qenë në gjumë. Operacioni policor u bë për shkak të dyshimit se këtu përhapej ideologjia ekstremiste.

Pushtetarët e Skenderajt e mbyllën xhaminë në fshatin Marinë. Hoxhës së kësaj xhamie Xhemail Dukës nga Elbasani i thanë shko nga ke ardhë. Xhemati e donte këtë hoxhë, i cili i paska ndihmuar fukarenjtë. Kush i ka dhënë mjete Dukës? Për të është shkruar se ka qenë katolik, i konvertuar në mysliman.

Serbia armike e cila nuk fle as natën, ka dhënë shumë mjete, është bërë bashkë me vëllezërit e saj arabë që ta “arabizojë” Kosovën, t’i thotë botës: Unë ju kam thënë se Kosova është vend mysliman, ju po e pranoni pavarësinë e saj…
Këtë politikë primitive të Serbisë e përgënjeshtroi Papa Françesku gjatë vizitës së tij që i bëri Shqipërisë. Ai tha se gjendet në vendin e shqiponjave. Shqipëria është vend evropian, jo mysliman, tha ai.
Mesazhin e Papa Françeskut e mori bota.

Imamët e Kosovës në xhami mbanin ligjëratat, hynin në politikë. Xhematit ua mbushnin mendjen se si islami është i rrezikuar nga shejtani. Shejtani, sipas tyre, doli të jetë shteti i Kosovës që “po ua privon te drejtat besimtarëve myslimanë”. E përmendnin kushtetutën, ligjin. Ngrisnin zërin përse të ndalohet shamia në shkollat tona. Shamitë i përmendnin edhe politikanët tanë, sidomos ata të Partisë së Drejtësisë, por edhe kreu i LISBA-s, Fuad Ramiqi.
Nëna ime, nana Nurije (e lindur Rrecaj) ka qenë bijë e Llaushës së Skenderajt. Ajo ka veshur shaminë dhe mantelin. Nuk e ka veshur xharrën e zezë, nuk ka dalë në qytet e veshur me perde në sy, siç po dalin sot të rejat, të veshura si “ninxhat”.

Veshja me shallvare, me xharra të zeza, si “ninxhat” është uniformë e arabëve.
Ne s’jemi arabë.

Shamia nuk është uniformë vetëm e arabëve. Shamitë i veshin edhe anglezet, francezet, italianet. I veshin edhe serbet. Por për dallim nga të tjerët, serbet i bartin shamitë e zeza.
Dhe revolta: Pse nuk i lejojnë nxënëset e besimit islam të bartin shami në shkolla?
Arsyetimi është i thjeshtë. Jo veç me shami, po as me “kryqa të mëdhenj” nuk lejohet t’i ndjekin mësimet. Këtë mund ta bëjnë vetëm në shkollat fetare.
Kosova nuk është as Egjipt, as Kuvajt, as Katar…
Kosova është shtet laik. Feja është e ndarë nga shteti.
Xhaxhi Enver (Hoxha) me Kushtetutë e ka ndaluar fenë. Këtë s’e ka bërë Josip Broz Tito. Në kohën e Titos disa aktivistë politikë, krye në vete, për të treguar se e donë shumë Titon, Marksin, Engelsin, Leninin, ua kanë prishur agjërimin mësuesve. Me bokalla të mbushur me ujë kanë hyrë në mësonjëtoret e shkollave.
Në vitet e tetëdhjeta në Kosovë shqiptarët s’janë marrë me shamia. Nuk ka qenë preokupim i tyre shamia. Atëbotë kishte zgjim kombëtar. Shqiptarët fëmijët e tyre i pagëzonin me emrat shqip…

Sot ekstremistët fetarë kanë aversion ndaj kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e quajnë “shka”. Skënderbeun e rrahin “shpulla gojës”. Nobelistën tonë Nënë Terezën (Gonxhe Bojaxhiun) e quajnë kurvë.
Nënë Terezën, siç dihet, kurvë e ka quajtur edhe imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, i cili sot mbahet brenda grilave, i dyshuar për veprat penale – nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor e fetar, i dyshuar për shpëlarje të parave dhe shtytje për kryerjen e veprave terroriste.
Nënë Tereza, në 6 njerëzit e vetëm në botë, që kanë pasaportë nderi të SHBA-së.
Ata që s’kanë ndjenjë kombëtare e shajnë, ia bëjnë rrafsh me tokë përmendoren. Sot e asaj dite nuk dihet se kush e rrëzoi përmendoren e saj në Mitrovicë.

I pandehuri Shefqet Krasniqi dyshohet të ketë përfituar nga fondet që kanë lidhje me Al-Qaiden.
Kur e arrestuan herën e parë Shefqet Krasniqin, kreu i LISBA-s Fuad Ramiqi i doli në mbrojtje. Ky në një televizion tonin u shpreh, qiti flakë prej goje: “Nuk do të rrimë duarkryq”.
Shteti nuk ndenji duarkryq, e arrestoi për veprën penale – thirrja për rezistencë.
Për një llaf goje zotëri Ramiqi shkoi në burg.

Një ditë para se të arrestohen imamët, grupi i 15-ve, në “Rubikon” të KTV-së gazetari i “Indeksonline” Artan Haraçija foli për ekstremizmin fetar, e zuri në gojë edhe Shefqet Krasniqin. Ditën e furtunës, kur ndodhi arrestimi, këtij në “Facebook” iu kërcënuan me vdekje, prerje të kokës. Policia po i bën hetimet.
Shantazh i bënë edhe gazetarit të “Zërit” Liridon Llapashticës. Para këmbëve të tij e ndalin makinën dy “persona zyrtarë”, iu kërcënuan. Policia e di kush janë ata “zyrtarë”.

Për sulmin që iu bë këtyre gazetarëve e ngriti zërin ombudspersoni, jo edhe politikanët dhe organizatat tjera joqeveritare. Politikanët kanë punë më të mëdha, nuk merren me “cikërrime” !
Kështu ngjet në jetë. Disa tipa sheshin e bëjnë përshesh.

Përshesh e bëjnë edhe “Facebook”-un, nuk vrasin mendjen se shkelin në zonën kriminale. Pastaj kur i arrestojnë bëhen pula, shprehin zhgënjimin dhe pendimin, i thonë vetes: Isha në ëndërr, apo zhgjëndërr.
Në skenë i ke kundërshtarët e imamëve dhe ithtarët e tyre, të parët kërkojnë dënimin, ndërsa të dytët janë kundër dënimit.

Gjyqet s’merren me thashetheme.
Vendosin në bazë të provave e fakteve juridike, të fajësisë, apo pafajësisë.
Ke faj, dënohesh.
S’ke faj, lirohesh.
Askush nuk është kundër islamit hyjnor.
Tjetër është islami hyjnor, tjetër islami politik.
Kush i hy aventurës së islamit politik e pret burgu.
Një nga zgjidhjet për ta goditur virusin e keq, ekstremizmin fetar, është mbyllja e “organizatave humanitare”.
Nuk guxojmë si komb të lejojmë që në shtëpinë tonë të hedhin vallen djajtë.

Më Shumë

Dita e Martirëve në Korishë të Prizrenit, Kurti: Vrasjet pa dallim moshe e gjinie, dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vrasjet e Serbisë pa dallim moshe dhe gjinie në vend janë dëshmi e gjenocidit serb. Kurti ka...

Selmanaj viziton pensionistët dhe invalidët e punës në Prizren

Kryetari i LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, vizitoi pensionistët dhe invalidët e punës . Ai dhe ekipi i tij u takuan me përfaqësuesit e Organizatës...

Lajmet e Fundit