7.8 C
Prizren
E premte, 1 Nëntor, 2024

Me ‘Bunar Fest’ nis sezoni i festivaleve në Prizren

Për herën e 13-të në qytetin e Prizrenit do të organizohet njëri nga festivalet më atraktive të këtij qyteti.

Siç tregon për gazetën “Zëri” koordinatori i “Bunar Fest”, Lis Dorambari, atje po finalizohen përgatitjet për festivalin e rrëshqitjes me goma në lumin Lumbardhë, i cili mbahet këtë fundjavë.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Jemi organizuar dhe shpresojmë të shkojë gjithçka në mënyrë perfekte”, thotë ai.

Sipas Lisit ata sivjet kanë pranuar një numër të madh aplikimesh për pjesëmarrje, në të cilat veçojnë edhe aplikime nga vendet tjera.

“Ka gati dy javë që e kemi hapur thirrjen për aplikim si garues dhe tashmë numri i aplikuesve ka tejkaluar numrin maksimal të garuesve. Në garë do të jenë afërsisht 50 garues, ndërsa sivjet interesimi është shtuar dukshëm edhe nga gjinia femërore dhe pjesëmarrësit nga jashtë vendit”, bën të ditur për “Zërin” koordinatori Dorambari.

Misioni kryesor i festivalit “Bunar Fest” është vetëdijesimi i qytetarëve për ta mbajtur lumin të pastër dhe për të pasur kujdes për të. Për këtë arsye një ditë para garës organizatorët planifikojnë edhe aktivitetin e pastrimit të shtratit të lumit me ndihmën e vullnetarëve dhe organizatave të tjera.

Për t’u bërë pjesë e këtij festivali pjesëmarrësit paguajnë një shumë simbolike për shfrytëzimin e pasjeve të sigurisë, e cila rimbursohet në fund.

“Për të qenë pjesëmarrës në garë kushti i vetëm është që pjesëmarrësit të jetë në moshën mbi 18 vjeç. Ndërsa para fillimit të garës garuesit duhet të bëjnë pagesë prej 10 eurosh për shfrytëzim të pajisjeve (goma, helmeta, jeleku i sigurisë), të cilat pasi të kthehen në gjendje të rregullt pagesa rimburësohet”, tregon Dorambari.

Ndryshe nga edicionet e kaluara kur festivali është organizuar në gjysmën e parë të muajit qershor, sivjet festivali do të organizohet më 20 dhe 21 maj. Kjo do të ndikojë edhe në garë, pasi që niveli i ujit do të jetë më i madh.

“Për këtë arsye ne i kemi rritur edhe masat e sigurisë për garuesit, duke arritur marrëveshje me klubin e zhytjes ‘Prishtina’, të cilët do të jenë në gjendje gatishmërie për intervenim”, thekson koordinatori.

“Bunar Fest” nuk ka karakter garues. Organizatorët thjesht do t’i shpërblejnë me medalje ata që tregohen më kreativë gjatë rrëshqitjes.

“Lëshimi me goma nuk ka karakter garues. Kjo për arsye që t’i iket rivalitetit mes garuesve të cilët mundohen të përfundojnë të parët, pasi që shtegu i ka vështirësitë e veta dhe në njëfarë forme edhe garuesit po e fusin veten në rrezik. Ne gjithsesi do të organizojmë ceremoni të medaljeve dhe podium, por këto medalje do t’ua japim atyre që do të jenë më atraktivë në garë”, shpjegon Lisi.

Si për të gjitha festivalet tjera, edhe për “Bunar Fest” çështja e buxhetit mbetet njëra ndër problemet kryesore. Ata sivjet nuk kanë marrë asnjë ndihmë financiare nga Komuna e Prizrenit, madje as nuk kanë kërkuar një ndihmë të tillë, duke e konsideruar si një derë të mbyllur për ta.

“Përkrahja e vetme për këtë edicion vjen nga sponsorët tanë si Bioblas, Birra Peja, KFC dhe Ipko, falë të cilëve po bëhet e mundshme organizimi i festivalit. Ndihma financiare nga Komuna ka munguar edhe sivjet. Në fakt sivjet ne nuk kemi kërkuar fare mbështetje financiare nga Komuna, duke pasur parasysh mosgatishmërinë e tyre për mbështetje në edicionet të kaluara. Kështu që e kemi parë të arsyeshme të mos trokasim edhe njëherë një derë që gjithmonë ka qenë e mbyllur për ne”, thotë Dorambari.

Përveç aktivitetit të lëshimit me goma, dy ditë sa zgjat festivali do të ketë edhe mbrëmje muzikore. Më 20 maj tek “Andrra” në Marash do të ketë ndejë me Big Bud dhe #SHP kurse të dielën do të interpretojnë reggae-grupi Raggalution dhe DJ Positive Cut’s./zeri/

Më Shumë

Në Malishevë nuk shënohet asnjë gol

Në ndeshjen ndërmjet Malishevës dhe Dritës, nuk u shënua asnjë gol. Portierët e dyja skuadrave nuk u dashtë asnjëherë ta nxjerrnin topin nga rrjeta në...

Gjykimi ndaj ish-drejtorit të Komunës së Prizrenit, eksperti thotë se pagesa u realizua në bazë të tri dokumenteve

Në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ndaj ish-drejtorit të shërbimeve publike në Komunën e Prizrenit, Osman Krasniqi, eksperti Visar Bibaj ka deklaruar se...

Lajmet e Fundit