Kryetari i PDK-së në Prizren, Minir Krasniqi ka gjetur heshtjen për skandalet e arsimit në Prizren. Ai deri më tash nuk e ka thanë së paku një fjalë për hetimet e reja që Policia e Kosovës ka filluar t’i zhvillojë për punësimet e parregullta të Drejtorisë së e Arsimit, edhe pse udhëhiqet nga PDK-ja.
Burimet e “PrizrenPress”-it brenda PDK-së në Prizren bëjnë të ditur se kryetari Minir Krasniqi ka zgjedhur heshtjen për shkak mungesës së fuqisë politike për të kërkuar llogari nga drejtori i Arsimit, Nexhat Çoçaj.
Sipas burimit kjo ka ndodhur për shkakun se drejtorët nga radhët e PDK-së janë zgjedhur me rekomandim nga Kryesia Qendrore e PDK-së.
“Miniri nuk ka fuqi politike për t’i kërkuar llogari drejtorit Çoçaj, sepse ai është zgjedhur me rekomandim të Kryesisë Qendrore”.
“Kryesia e PDK-së në Prizren ka qenë në fillim kundër zgjedhjes së Çoçajt në postin e drejtorit të Arsimit, por Kryesia Qendrore ka vendosë kundër vullnetit të kësaj në Prizren”, tregon burimi i PrizrenPress-it.
Se në përzgjedhjen e drejtorëve për qeverisjen në Prizren ka ndikuar edhe Qendra në Prishtinë, ditë më parë nuk e ka mohuar as Sekretari i Degës së PDK-së në Prizren, Nijazi Kryeziu.
Sipas tij, përzgjedhja e drejtorëve komunal është bërë pas propozimeve të kryesive te degëve nga Prizreni, Zhuri dhe Hasi, ku për secilën drejtori ka pasur nga tre e më shumë kandidatë.
“I gjithë procesi është përcjell me debat në strukturat e degëve ne organet vendimmarrëse. Ka pasur edhe konsultime e bashkëshqyrtim me qendrën e partisë”, ka thënë Kryeziu.
Kryeziu e ka arsyetuar konsultimin me qendrën në Prishtinë.
“Natyrisht konsultimet me strukturat qendrore të partisë e ka bërë të domosdoshëm jo vetëm përzgjedhja e drejtorëve nga radhët e PDK por nga detyrimet prej partnerëve te koalicionit. Pas emërimit të drejtorëve qeveria lokale e ka mbështetjen e plotë te strukturave të partisë në nivele dege”, ka thënë Kryeziu.
Por, sipas tij, vendimi final i emërimit ka qenë në kompetencat e kryetarit të komunës Ramadan Muja.
Gazetari Rami Berisha ditë më parë në një letër publike dërguar Kryeministrit, Kryeparlamentarit dhe Ministrit të Arsimit, ka bërë një varg akuzash në drejtim të Drejtorisë së Arsimit në Prizren.
Sipas tij, çmimi për një vend pune në Arsim ka arritur në 6000 mijë euro dhe se po përdoret edhe emri i Kryeparlamentarit Kadri Veseli.Rasti ka filluar të hetohet edhe nga Policia e Kosovës. /PrizrenPress.com/