Miratohet MSA-ja për Kosovën, nënshkrimi në qershor

Komisioni Evropian ka miratuar sot me procedurë të shkruar, tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Me këtë hap, KE ka përmbyllur procedurën e saj, e cila tani do t’i kalojë Këshillit, gjegjësisht shteteve anëtare për të marrë vendim për nënshkrimin e marrëveshjes.

Pasi Këshilli, me pajtimin e të gjitha 28 shteteve anëtare, të marrë vendimin, pritet që shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ta nënshkruajë marrëveshjen në emër të BE-së, ndërsa në emër të Kosovës, i takon vetë Qeverisë që të caktojë se kush do të jetë nënshkrues.

Burime të BE-së thonë se marrëveshja ka karakter evropian, që do të thotë se nuk ka nevojë të nënshkruhet nga të gjitha shtetet anëtare, por në emër të BE-së e nënshkruan përfaqësuesja e lartë.

Në këtë mënyrë edhe janë evituar bllokadat që do të mund t’i bënin kësaj marrëveshjeje shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Po ashtu thuhet se teksti i kësaj marrëveshjeje e bën të qartë se Bashkimi Evropian mbetet neutral ndaj statusit të Kosovës dhe nuk paragjykon në asnjë mënyrë qëndrimin e shteteve anëtare ndaj statusit.

Në anën tjetër, Marrëveshja për Stabilizim-Asociim konsiderohet si kyçe në raportet e Kosovës me BE-në, si për bashkëpunimin politik, ashtu edhe për shkëmbimin tregtar.

Sipas BE-së, synohet që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të bëhet gjatë verës, përkatësisht muajit qershor, ndërsa hyrja në fuqi e saj parashihet për fillimin e vitit që vjen. Kurse, në Kosovë, marrëveshja duhet të ratifikohet nga Kuvendi. /REL/

Më Shumë

Totaj për përfshirjen e Limajt në listën e PDK-së: Nuk është çështje personale e imja, vendos kryesia

Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj para fillimit të mbledhjes së kryesisë së kësaj partie ka deklaruar se nuk e ka pare agjendën se çka...

Kurti viziton Kalanë e Prizrenit, prezanton projektin 450 mijë eurosh

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit vizitoi Kalanë e Prizrenit, me ç’rast njoftoi se Qeveria...

Lajmet e Fundit