Shkruan: Adrian Çollaku
Besoj ju kujtohet fushata elektorale e vitit 2007. Partia Demokratike e Kosovës, e drejtuar nga Hashim Thaçi pati një fushatë shumë të fuqishme. Prapa thuajse i kishte të gjithë. Mediet, gazetarët, analistët politik, intelektualët…, e deri të nëntoka, nga e cila e merrte edhe fuqinë më të madhe, të cilën thuajse e kontrollonte edhe atë kohë, ndonëse nuk ishte “formalisht” në pushtet.
Të zhgënjyer me qeverisjen e atëhershme të Bajram Kosumit e Agim Çekut, dhe me ndarjen e LDK-së në dysh, PDK doli si partia e parë. Thaçi erdhi në skenë si kryeministri më i fuqishëm deri në atë kohë, pra që nga periudha e pasluftës. Pra, po të krahasohej me paraardhësit e tij, Bajram Rexhepi, Ramush Haradinaj (mund të përjashtohet për faktin se i kishte vetëm 100 ditë në krye të qeverisë), Bajram Kosumi e Agim Çeku ishte shumë më i fuqishëm.
Pritjet ishin shumë të mëdha. Madje, shumë të mëdha. Por çka ndodhi në fakt. Thuajse asgjë.
Në tri prioritetet kryesore të kësaj qeverisjeje: arsimi, energjetika dhe rrugët, dy të parët dështuan si mos më keq.
Arsimi në krye me Enver Hoxhajn u shkatërrua. Hoxhaj është ai i cili do të bartë përgjegjësinë e shkatërrimit të arsimit në Kosovë. Për të dëshmuar këtë po e tregoj vetëm rastin e një udhëheqësi të arsimit se me çfarë fjalë i ishte drejtuar ministri Hoxhaj: “Neve nuk na intereson cilësia, por na interesojnë votat. Andaj, duhet të pranohen sa më shumë studentë. Kaq. Pikë”.
Gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit për këto shtatë vjet jo që nuk e krijuam “Shtetin e dijës”, por i shkatërruam edhe shkollat edhe universitetet. Ato që i kishim i shkatërruam, ndërkaq, ato që i krijuam, i partizuam.
Thjeshtë, u hapën disa universitete të reja për dy qëllime kryesore: për sistemimin e militantëve partiak si staf akademik e administrativ dhe kësisoj të ruajnë bazën e votave, dhe së dyti, duke regjistruar sa më shumë studentë të ulin numrin e të papunëve, sepse studentët nuk konsiderohen të papunë.
Prioriteti i dytë- energjetika, dështoi si mos më keq.
Ndonëse po hyjmë në vitin 2015, Kosova, sot, përballet me një situatë të tmerrshme energjetike. Gjatë dy ditëve të fundit, e tërë Kosova ishte në terr absolut. Reduktimet ishin aq të ashpra edhe në Kryeqytet, saqë një gjë e tillë thuajse ka një dekadë që nuk ka ndodhur.
Dhe kjo falë “biznesit” që Hashim Thaçi me kompani kanë bërë në shitjen- gjegjësisht faljen e distribucionit. Pra, u shit tërë kjo pasuri shtetërore me vetëm 26.3 milionë euro. Mos të harrojmë që falë kësaj qeverisje sot edhe rrymën e kemi shumë më të shtrenjtë, pra më të shtrenjtën në regjion, por edhe kemi më së paku rrymë, ndërkohë që flemë në thëngjill.
Me të gjitha të këqijat që i kishte qeveria LDK- AAK e kishte përfunduar thuajse projektin për Termocentralin Kosova e Re. Me gjasë, sot do të ishte përfunduar ai projekt dhe Kosova më nuk do të kishte telashe të tilla, të cilat pos që e shkatërrojnë ekonominë aktuale e të lodhur kosovare, në të njëjtën kohë na i tremb të gjithë investitorët e mundshëm.
Dhe pak shkurt po flasim për prioritetin e tretë- rrugët. Këtu Kosova ka shënuar një progres, ndonëse faturat për rrugët tona janë jashtëzakonisht të shtrenjta, e natyrisht se edhe këto po i paguajmë ne. Madje, këto miliona që u dhanë Bechtelit për autostrada, po mundohet Hashim Thaçi & Co. t’i shfrytëzojë për të lobuar që ai edhe më tutje të mbetet në pushtet.
Duke i pasur parasysh se si dështuan prioritetet e Hashim Thaçit për dy mandate, çfarë Misioni të Ri po deshka të na ofrojë? Me gjasë do të mundohet të na ofrojë një Mision edhe më të Zi si ky që e provuam për më shumë se shtatë vite?!/Gazeta Blic/