13.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Mos luani me kategoritë e luftës

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka thënë se është i papranueshëm kushtëzimi apo ndalja e pensioneve për kategoritë e luftës së UÇK-së, në këtë rast familjeve të dëshmorëve.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se, nëse Qeveria nuk e korrigjon gabimin, reagimi i shoqatave të luftës së UÇK-së do të jetë i ashpër.

“Kjo është e papranueshme dhe e kundërligjshme. Qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës duhet t’i thërrasin mendjes dhe mos të luajnë me kategoritë e luftës së UÇK-së. Për një kohë të gjatë nuk është bërë asnjë përpjekje adekuate për t’i rregulluar të drejtat dhe beneficionet e kategorive të dala nga lufta. Marrja e një vendimi të këtillë është qesharak, i papranueshëm si dhe i kontribuon destabilitetit të vendit”, ka deklaruar Jashari.

Ai ka thënë se të drejtat e familjarëve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës së UÇK-së janë të përcaktuara me ligj të veçantë dhe, sipas Jasharit, Qeveria është e obliguar t’i përmbushë obligimet ndaj tyre.

“Qeveria e Kosovës nuk do të duhej as ta mendonte kushtëzimin e këtyre pensioneve, lëre më ta merrte një vendim të këtillë, sepse të drejtat e familjarëve të dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve të luftës së UÇK-së janë të përcaktuara me ligj të veçantë. Prandaj Qeveria është e obliguar t’i përmbushë obligimet ndaj këtyre kategorive. Vendimi i fundit i Qeverisë, kinse për mungesë të buxhetit, është i papranueshëm. Nga dita e hënë do t’i fillojmë takimet me zyrtarët qeveritarë lidhur me këtë çështje”, ka treguar Jashari.

Sipas tij, nëse Qeveria dyshon në numrin e veteranëve të luftës së UÇK-së, janë organet që duhet të merren me këtë çështje dhe se askush nuk është i paprekshëm kur bëhet fjalë për shkeljen e ligjit.

“Procesi duhet të vazhdojë. Nëse kanë argumente se dikujt i është bërë e padrejtë ose janë fryrë listat, janë komandantët e zonave dhe vartësit e tyre që e kanë bërë verifikimin e tyre dhe ata do të përballen me ligjin. Mirëpo, deri më sot në komisionin qendror nuk më ka ardhur asnjë ankesë për këtë çështje. Qeveria dhe institucionet e tjera nuk e dinë më mirë numrin e veteranëve sesa komandantët e zonave dhe vartësit e tyre. Nëse ata kanë bërë shkelje, duhet të përgjigjen para ligjit”, ka theksuar Jashari. /Epoka e re/

Më Shumë

Protestuesit kërkuan dialog dhe rritje të pagave për së paku 30 për qind

Qindra protestues, kanë marrë pjesë në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, e mbështetur nga sindikata tjera me rastin...

Futbollisti shqiptar futet në historinë e Dinamos së Zagrebit

Mesfushori shqiptar i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Arijan Ademi, është bërë lojtari i dytë me më së shumti paraqitje te skuadra e Dinamos...

Lajmet e Fundit