7.3 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Muhaxhiri: Në rast të zgjedhjeve, VV i jep fitoren LAN-it ose shpresën PDK-së

Artan MuhaxhiriPër sociologun e analistin politik, Artan Muhaxhiri, me bllokadën aktuale politike është duke ndodhur një gjë e pazakonshme për situata të tilla. Sipas tij, në vend se me kalimin e kohës të ketë përafrim të qëndrimeve dhe përshtatje të ofertave politike, në fakt po ngjan e kundërta – hendeku mes VLAN-it dhe PDK-së është duke u rritur, kurse animoziteti duke u shtuar.

Për këtë arsye, Muhaxhiri thotë se zgjedhjet tashmë janë një mundësi reale pasi dy blloqet nuk japin sinjale se mund të arrijnë marrëveshje, e as bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron të ndërhyjë për të ofruar zgjidhje.

“Kjo status-quo është bërë e zorshme për t’u duruar, thotë Muhaxhiri për portalin Koha.net.

Muhaxhiri thotë se zgjedhjet e reja do ta vulosin paaftësinë e politikanëve kosovarë për të bërë politikë normale, të bazuar në realizëm, planifikim dhe vizion.

“Kjo krizë ka mundur të parandalohet që në fillim, por edhe tash do të mund të zgjidhej vetëm nëse do të kishte racionalitet, guxim dhe vullnet politik”, ka thënë Muhaxhiri. “Një gjë e mirë nga kjo bllokadë është fakti se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë paqartësi procedurale – partitë apo koalicionet do të jenë të vetëdijshme se fituesi do ta ketë përparësinë e propozimit të mandatarëve për Kryeministër dhe për Kryeparlamentar”, ka shtuar më tej ai.

E nëse mbahen zgjedhjet e reja, sipas sociologut Muhaxhiri, rrethanat do të jenë të ndryshme nga ato të zgjedhjeve të 8 qershorit, teksa thotë se mund të bëhen disa kalkulime orientuese statistikore duke u mbështetur në gjendjen e tanishme.

“Koalicioni VLAN do të jetë në përparësi evidente, sepse aktualisht i ka 53.4 për qind të votave, në krahasim me 35.1 përqindëshin e koalicionit të nënkuptuar PDK-AKR. Kjo diferencë do të ndryshojë, të rritet apo të zvogëlohet, por sigurisht nuk do të mund të përmbyset. Mirëpo, nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë pjesë e listës së përbashkët, atëherë koalicioni LAN s’do të ketë shumë komoditet, pasi do të hyjë në fushatë me 39.8 për qind të votuesve, pra me 4.7 për qind më shumë se PDK-AKR”, ka thënë Muhaxhiri për koha.net.

Ai është shprehur i bindur se nëse mbahen zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje mund t’ia sigurojë fitoren LAN-it, apo t’i japë shpresë PDK-së.

Muhaxhiri ka thënë se përparësia e VLAN’it do të jetë në faktin se do ta ketë të garantuar fitoren, gjë që do të ndikojë pozitivisht në mobilizimin e strukturave partiake, sepse ardhja në pushtet do të jetë e sigurt, rrjedhimisht edhe avancimet politike dhe përfitimet tjera që ndërlidhen me to.

“Mirëpo, VLAN-i mund të ketë probleme me garën politike brenda llojit, sepse përveç se do të ketë konkurrencë mes katër partive për t’u pozicionuar sa më mirë në koalicion, gjithashtu do të ketë beteja edhe gjatë sistematizimit të numrit të katërfishuar të kandidatëve për deputetë”.

Analisti politik ka thënë se nuk është e qartë se si do të reagojë elektorati kosovar ndaj një oferte të tillë të përbashkët qeverisëse, e cila do të ndodhë për herë të parë në Kosovë – nëse do ta vlerësojë si “evoluim pozitiv”, apo si “hipokrizi meskine”. Fushatat e kaluara zgjedhore janë përshkruar nga akuzat dhe kritikat e ashpra të të gjithëve kundër të gjithëve.

“Dy pikëpyetjet më të mëdha do të jenë për elektoratin e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, sepse LDK-ja nuk do të ketë kandidat të vetin për Kryeministër, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje do të përballet me një pozitë krejtësisht të re, duke u përbashkuar me të kundërtit e deridjeshëm”, ka thënë Muhaxhiri, teksa ka treguar edhe pse do ta kishte vështirë PDK-ja.

“PDK-ja do ta ketë shumë të vështirë të përballet me katër kundërshtarë të unifikuar. Edhe nëse arrin ta ruajë përqindjen e votuesve, apo edhe ta rrisë paksa, fija e hollë e shpresës së saj do të mbetet vetëm mospërfshirja e Lëvizjes Vetëvendosje në listën e përbashkët të (V)LAN-it. Në të kundërtën, opozitën do ta ketë të rezervuar ende pa filluar fushata”, ka thënë Muhaxhiri.

Në fund, Muhaxhiri ka shprehur bindjen se nëse mbahen zgjedhjet e reja do të ketë nivel të lartë të rrezikshmërisë, sepse tensioni politik do të jetë shumë i madh, prandaj mund të ketë konflikte mes militantëve respektivë gjatë fushatës, ose në ditën e zgjedhjeve.

Më Shumë

Haradinaj kujton betejat në Ratkoc, Vrajakë, Bratotin e Malësi të Vogël

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar betejat e Ratkocit, Vrajakës, Bratotit e Malësisë së Vogël, në Ditën e Dëshmorëve në komunën e Rahovecit. Ai...

Prizren/ Aktakuzë për fajde dy personave të cilët u kapën në flagrancë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj E.K. dhe B.K. për fajde, pasi ishin zënë në flagrancë në mars sivjet duke marrë 10...

Lajmet e Fundit