22.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Mustafa shpall publikisht betejën e radhës

Kryeministri Isa Mustafa, në Ditën e Europës, ka deklaruar se pas rekoamndimit për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimit të Kosovës në UEFA, shpall publikisht betejën e radhës: atë të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka shkruar se Qeveria e koalicionit që ai drejton është e gatshme për të prirë në këtë rrugëtim.

Ky është postimi i plotë i Kryeminstrit:

Të dashur miq,

66 vjet më parë, Evropa u ngrit mbi të kaluarën e saj dhe filloi një rrugëtim të ri, të ndërtuar mbi parimin e bashkimit të vlerave.

Kosova, ka vlerat e saj për t’ia bashkuar këtij bashkimi shtetesh e kombesh të lira.

Për t’i rivendosur vlerat e shteteve dhe kombit tonë aty ku e kanë vendin, ne duhet të dëshmojmë se kemi vullnet e fuqi për ta vendosur ligjin mbi të gjithë. Ne duhet të dëshmojmë me vendosmërinë tonë për ta luftuar e çrrënjosur korrupsionin e krimin e organizuar dhe të zbatojmë standardet e demokracisë.

Tash që kemi nënshkruar dhe kemi filluar të zbatojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe, pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, kemi marrë rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave e presim të marrim datën e lirisë së lëvizjes në Zonën Schengen, aspiratat tona shkojnë duke u rritur.

Këtë Ditë të Evropës, ne e shënojmë me disa rezultate të prekshme. Përveç MSA-së dhe liberalizimit të vizave, edhe në fushën e sportit kemi mbërritur të thyejmë barriera të mëdha. Tashmë talentët e shumtë në sporte të ndryshme, kanë fituar mundësinë për të garuar me konkurentët e tyre evropianë, duke përfaqësuar me dinjitet simbolet e shtetit të tyre, Republikës së Kosovës. Kosova është tashmë pjesë e UEFA dhe shpejt edhe e FIFA.

Unë e shpallë sot publikisht betejën e radhës, atë të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Qeveria e koalicionit që unë drejtoj është e gatshme t’u prijë në këtë rrugëtim. Është rruga e ndërtuar edhe nga paraardhësit tanë. Procesi i integrimit evropian të Kosovës është agjenda më unike, e cila i bashkon të gjitha partitë politike, komunitetet e ndryshme etnike dhe shoqërinë në përgjithësi.

Qeveria ka një agjendë të qartë zhvillimore, me parametra të matshëm dhe një agjendë evropiane që synon bashkëpunimin me fqinjët, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe zbatimin e reformave rrënjësore që afrojnë vendin me Bashkimin Evropian (BE).

Kosova po prodhon stabilitet në rajon, ka marrëdhënie të mira me fqinjët. Ne e kemi të qartë se BE-ja nuk pranon në gjirin e saj vende me probleme fqinjësore, prandaj për të ecur përpara, Kosova dhe Serbia kanë zgjedhur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit. Marrëveshjet me Serbinë dhe fqinjësia e mirë, si parakusht për integrim në BE, përkrahet nga shumica e qytetarëve të Kosovës dhe më tepër se 2/3 e Kuvendit, i cili në vitin 2013 ka vendosur kornizat e këtij dialogu.

Nëpërmes dialogut, ne kemi arritur integrimin e komunitetit serb në Kosovë, edhe në veri të vendit, dhe tani po punojmë së bashku që agjenda jonë politike të jetë ekonomia dhe integrimi Euro-Atlantik.

Kjo gatishmëri dhe përkushtim i Kosovës për të ecur përkrah vlerave evropiane, jam i bindur se do të ndikojnë tek 5 shtetet hezituese ta njohin Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Rezultatet e reformave të Qeverisë dhe këtij përkushtimi janë të dukshme dhe të matshme. Institucionet financiare ndërkombëtare kanë konstatuar një rritje ekonomike gjatë vitit 2015, rreth 3.6%, por ne jemi fort të përkushtuar që kjo rritje të jetë më e madhe.

Duke u bazuar në luftën tonë kundër evazionit fiskal, kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kundër keqmenaxhimit, por edhe duke kursyer mjete, ne kemi arritur që ta rrisim asistencën sociale për 25%, ndërsa janë rritur edhe pensionet, pa i prekur parametrat buxhetor, për të cilët jemi dakorduar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Për të inkurajuar investimet e jashtme dhe për të forcuar sektorin e brendshëm privat, ne kemi ndërmarrë një reformë rrënjësore fiskale, që e bën më të favorshme klimën e të bërit biznes.

Kosova ka resurse të mëdha njerëzore, energjetike, minerare dhe turistike. Jemi duke negociuar me kompani nga BE dhe SHBA që këto resurse t’i aktivizojmë në shërbim të zhvillimit të vendit.

Ne kemi popullatën më të re në Evropë, prandaj jemi duke ndërmarrë reforma që sektorin e arsimit ta ndërlidhim me tregun e punës. Zhvillimi ekonomik i Kosovës, ngritja e standardit jetësor të popullatës dhe integrimi Euro-Atlantik janë synimet tona strategjike, por në këtë rrugëtim kemi nevojë për përkrahje nga miqtë evropianë dhe SHBA.

Më Shumë

Rexhaj i VV-së ankohet për kushte të padrejta në KiE, e përmend “thirrjen e arsyes”

Arbër Rexhaj, deputet i VV-së, ka folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Në fjalën e tij në KTV, Rexhaj ka...

Moti sot me diell dhe vranësira

Për të dielën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku pritet kryesisht orëve të pasdites dhe mbrëmjes të ketë kohë pas kohe...

Lajmet e Fundit