8.8 C
Prizren
E hënë, 28 Tetor, 2024

Muzeu Etnologjik i Prizrenit rihap dyert për vizitorë

Drejtuesit e Komunës së Prizrenit të martën kanë vizituar shtëpinë e Musa Shehzades, përkatësisht Muzeun Etnologjik të qytetit pas intervenimeve të fundit për sanimin e dëmtimeve në këtë ndërtesë të trashëgimisë kulturore. Ata kanë vlerësuar se projekti i realizuar nga Drejtoria e Turizmit ka pasur vlerë të vogël monetare, porse ka qenë i madh për nga rëndësia, raporton KOHA.

“Në shtëpinë e Musa Shehzades është realizuar një projekt i vogël nga ana e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, por i rëndësishëm për arsye se ka pasur rrjedhje të ujit nga kulmi. Këtu është bërë riparimi i kulmit, suvatimi i disa pjesëve të mureve nga jashtë, rregullimi i nyjave sanitare, rregullimi i ngrohjes qendrore”, ka thënë kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.

Ai ka përkujtuar se në këtë ndërtesë është vendosur Muzeu Etnologjik i Prizrenit, me eksponatet nga jeta e qytetarëve të Prizrenit dhe gjithë Kosovës, nga veshjet, armët, e të tjera. Sipas tij, kjo vlerë e trashëgimisë kulturore duhet të ruhet dhe të bartet tek brezat e ardhshëm.

Drejtoresha e Turizmit, Sevil Kazaz, ka pohuar se Muzeu Etnologjik i Prizrenit është funksionalizuar nga shoqata numizmatike “Demastion”, ku anëtarët e saj kanë kontribuar me eksponate.

“Kemi marrë kërkesë nga shoqata për intervenim dhe kemi intervenuar. Shuma është e vogël, por besojmë se ndikimi ka qenë i madh”, është shprehur zyrtarja e lartë komunale.

Ndërkaq Kujtim Gërmizaj nga shoqata numizmatike “Demastion” ka theksuar se kërkesa e kësaj shoqate, gjegjësisht e Muzeut Etnologjik, për intervenim nga Komuna është bërë para dy vjetësh, kur ka filluar rrëshqitja e tjegullave.

“Mirëpo nuk është intervenuar me kohë. Dhe pas reshjeve atmosferike, kur filloi të pikojë kulmi, atëherë është dashur të ndërmerren masa dhe u bë një kërkesë tjetër në DTZHE dhe u bë sanimi i gjendjes”, ka thënë Gërmizaj, duke shtuar se vite më parë punimet restauruese në kulmin e kësaj ndërtese nuk janë kryer si duhet.

Image

Një muaj më parë, KOHA kishte raportuar se si autoritetet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore patën konstatuar se Komuna e Prizrenit kishte realizuar ndërhyrje të paautorizuar në Shtëpinë e Musa Shehzades në Prizren, aset ky që mbrohet nga shteti. Për këtë arsye Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në muajin nëntor pati urdhëruar ndalimin e punimeve, duke obliguar organet komunale që për realizimin e tyre të marrin aprovim nga Qendra Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Zyrtarët komunalë të Prizrenit patën pranuar se punimet kanë qenë të karakterit urgjent dhe se kanë aplikuar për marrjen e pëlqimit përkatës. Për këtë çështje pati reaguar edhe organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, duke kërkuar që të marrë fund praktika e ndërhyrjes në aset të trashëgimisë kulturore pa pëlqimin e autoriteteve.

Kryetari Haskuka të martën ka theksuar se është dashur reagimi i shpejtë në këtë ndërtesë të trashëgimisë kulturore.

“Kulmi është faktor që rrezikon më së shumti strukturat e vjetra, se nëse hyn uji dëmtimet bëhen shpejt… Prandaj është dashtë të reagohet shpejt”, ka thënë Haskuka, duke shtuar se Komuna i përfill procedurat dhe se pajiset me leje nga institucionet përkatëse.

Sipas të dhënave në databazën e trashëgimisë kulturore të MKRS-së, shtëpia e Musa-Efendi Shehzades është ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe është restauruar në vitin 2013, për t’u vendosur aty Muzeu Etnologjik i Prizrenit.

Drejtuesit e këtij muzeu kanë deklaruar se sivjet shkaku i pandemisë ka rënë edhe numri i vizitorëve.

“Sivjet, si në të gjithë muzetë, edhe në këtë muze ka pasur ndikim pandemia. Vizitat kanë qenë të pakta, mund të numërohen me dhjetëra vizitorë gjithsej. Në vitet e shkuara kemi pasur më shumë vizitorë, edhe aranzhmane me guida”, ka thënë Gërmizaj. Ndërkaq Haskuka ka theksuar se është njëri prej muzeve me më së shumti eksponate.

“Por është shumë pak i njohur. Ftoj të gjithë qytetarët që ta vizitojnë këtë vend të bukur dhe të shohin se si është jetuar më përpara”, ka thënë Haskuka.

Image

Shtëpia e Musa-Efendi Shehzades është ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe është restauruar në vitin 2013, për t’u vendosur aty Muzeu Etnologjik i Prizrenit /KOHA.net

Më Shumë

247 blegtorë të Komunës së Rahovecit përfitues të mbështetjes komunale

Përmes një njoftimi Komuna e Rahovecit ka bërë të ditur që po vazhdon të mbështesë blegtorët e kësaj komune. Sipas njoftimit të bërë nga Komuna...

Ministria e Mbrojtjes shpall konkurs për kadetë në Akademinë WEST POINT

Ministria e Mbrojtjes njofton se ka shpallur sot konkurs për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake të SHBA-së, WEST POINT. Në njoftim bëhet e ditur se...

Lajmet e Fundit