Dikur Nasheci i Prizrenit ishte vendi më i bukur për pushime verore dhe gjatë vikendeve, kurse tani është shndërruar në një fshat, ku as banorët lokalë nuk preferojnë të qëndrojnë aty. Krejt kjo vjen si rezultat i derdhjes së ujërave të zeza nga gjithë qyteti i Prizrenit. Banorët ankohen se jeta është bërë e padurueshme. Shukri Quni, kryetar i fshatit, shprehet se kanë bërë disa ankesa, por pa sukses.
“Kjo pjesë e fshatit është duke pasur probleme me ujërat e zeza, si dhe me shtratin e lumit, i cili po mbushet nga të reshurat e ku si rezultat e kësaj lumi po del nga rrjedha normale e tij”, shpjegon Shukri Quni, i cili është edhe asamblist në Kuvendin Komunal të Prizrenit. Ndërkohë, pas inspektimit të gjendjes së lumit, komuna ka ndërmarrë veprime në sanimin e gjendjes së krijuar në atë pjesë, duke ndarë 20 mijë euro, por nevoja është shumë e madhe dhe banorët e fshatit Nashec lusin zyrtarët komunalë që ujërat e zeza të Prizrenit nga Arbana të drejtohen drejt Vlashnjes atje, ku po ndërtohet impianti i ujërave të zeza. Deri atëherë ujërat e zeza do të derdhen në shtratin e lumit Drini i Bardhë, të cilat edhe do të sjellin probleme për banorët e kësaj zone.
Mbeturinat e ngurta hedhen në shtratin e lumit
Në kilometrin gjashtë të Prizrenit në perëndim të Prizrenit, breg Drinit të Bardhë është fshati Nashec. Dikur ky fshat ishte me një atmosferë të bukur e të pastër, që përmbushte me plot kuptimin e fjalës idilin e jetës së qetë fshatare. Shukri Quni shprehet se ka ekzistuar një iniciativë, që sivjet Nasheci të shpallet fshat turistik, por, sipas tij, me gjendjen e krijuar një gjë e tillë është e pamundur dhe thjesht e pakuptimtë.
“Për çudi, Nasheci gjatë këtij viti vazhdoi të mbetej vendtubimi i mbi 70 për qind të ujërave të zeza të Prizrenit te Livadhet e Egra, e që ka ndotur fshatin dhe Drinin e Bardhë”, ka thënë Quni. Sipas tij, gjatë tërë vit për fat të keq, nga qytetarë të papërgjegjshëm të Prizrenit, fshati është bërë edhe vend për hedhjen e mbeturinave të ngurta. “Sado që komuna pikërisht në grykën e quajtur Tyrbja e Soziut ka bërë investime duke rregulluar ambientin, aty ka lloj-lloj mbeturina të ngurta, deri eshtra bagëtish të ngordhura e të cilat edhe i hedhin vetë thertoret e Prizrenit. Kështu fshati dikur i pushimit tash është shndërruar në fshat të papastërtisë dhe fshat i kundërmimit”, tregon për “Kosova Sot” asamblisti Quni. Ai kujton se madje edhe kryeministri i parë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, kishte një shtëpi të tijën pikërisht tek tyrbja e Soziut. Sipas tij, “çdo gjë e bukur po zhduket”.
Ai rrëfen se, në këtë rrugë pastaj, gjatë viteve 1960 deri para luftës fundit, shumë veta atje ndërtuan edhe shtëpi verore. “Ata atje krijuan një vend të bukur me pushimoret e Nashecit, sepse ajri i pastër pastaj lumi afër, burimet e tjera të shumta të pastra krijonin një pamje të bukur, por nga paslufta e këtej në këtë fshat tashmë është bërë një tmerr të jetohet”, tregon Shukri Quni.
Sipas tij, tash tek vendi i quajtur “Lugu i Gradinës” derdhen të gjitha ujërat e zeza të pjesë veriore të Prizrenit. “Derdhja është pak mbi fshat dhe e gjitha përfundon në Drin. Por, aq ndyrësira ka tash atje sa fshati Nashec prej një fshati të pushimeve tash është shndërruar një në fshat të mbeturinave dhe ujërave të zeza dhe era e keqe të zë frymën që në mëngjes e deri në orët e vona të natës”, shprehet Quni. Zhdukja e peshkut Nasheci aktualisht ka 230 shtëpi dhe mbi 1800 banorë rezidentë dhe ata që jetojnë jashtë këtij fshati.
“Nashecasit dikur këtu jetonin mirë, por kushtet aktuale vërtet e kanë bërë të vështirë jetën”, tregon Feim Krasniqi, i cili ankohet për erën që vjen nga ujërat e zeza. Ai shpreh brengën se edhe peshku i Drinit, i njohur në këtë pjesë, është zhdukur gati në tërësi. “Këto ujëra të zeza, që aktualisht derdhen këtu, për të gjithë këta banorë kanë krijuar kushte të rënda banimi dhe jetese në Nashec”, tregon Krasniqi. Sa i përket ish-pushimores së Nashecit, atje ku pas lufte ishte e vendosur Brigada e TMK-së, shprehet se tani kjo pushimore është Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Ne nuk e dimë se çka po ndodh aty. Ajo ka vetëm katër roje”, shprehet Krasniqi. Ndryshe, infrastruktura në fshat është e rregulluar mirë, kurse shtëpitë e pushueseve, që ishin kryesisht të prizrenasve, tani ende shfrytëzohen si shtëpi pushimi. Por, Drini i Bardhë më nuk mund të shfrytëzohet as për t’u larë e as për t’u freskuar, ngase ujërat këtu tashmë duken skëterrë të zeza dhe kanë filluar të vrasin gjithë faunën e Drinit.
Kryetari Quni shprehet ndërkaq se ajo që brengos këtë fshat, është edhe trendi i ikjes në kurbet. Sipas tij, shumë prej banorëve të fshatit ushtrojnë zejen e bukëpjekësit qoftë në Prizren apo gjetiu. Sipas tij, fshati ka edhe objekte me vlerë siç është Tyrbja e Soziut në Nashec, atje ku është një gur përbirues dhe ku vizitorët shkojnë atje për pjellshmëri. Lidhur më këtë tyrbe banorët tregojnë se që me shekuj këtë vend të shenjtë e kanë nderuar banorët e këtushëm, sepse ata mendojnë se kjo tyrbe u jep shëndet dhe është vend për plleshmëri. Mirëpo, ky vend vizitohet nga njerëz jo vetëm të Prizrenit e Hasit, por nga shumë vende të Kosovës. Këtu njerëzit vijnë dhe ziejnë diçka, pastaj e ndajnë me ata që qëllojnë këtu. Ndërsa besimi në gurin përbirues ka një histori të lashtë sa vetë ky fshat, tregojnë banorët e fshatit.
Apeli i banorëve
Nasheci tash ka 320 nxënës dhe ka një objekt të bukur shkollor. Drejtoresha e kësaj shkolle, Merita Mazrreku, tregon se kuadri i kësaj shkolle është mjaft punëtor. “Domosdo se puna dhe angazhimi i këtyre mësimdhënësve ka bërë që rezultatet e nxënësve mos të mungojnë. Sidomos dallohen në garat komunale dhe ato në nivel të Kosovës”, shprehet Mazrreku. Kryetari Shukri Quni, derisa flet për “Kosova Sot”, tregon se Nasheci është në hall të madh sidomos nga ujërat e zeza. “Drini i Bardhë nga këtu është ndotur në masë që peshqit nuk jetojnë aty, është ndotur dhe jeta po vështirësohet në këtë fshat”, potencon ai. Banorët e fshatit Nashec kërkojnë që ujërat e zeza të Prizrenit nga Arbana të drejtohen drejt Vlashnjes atje ku pritet të ndërtohet Impianti i ujërave të zeza. Kurse apel i përbashkët i të gjithë banoreve të këtij fshati ishte.
“Mos na i sillni të gjithë mbeturinat këtu, sepse edhe ne kemi fëmijë, kemi nxënës e kemi frymë njerëzish. Ato tashmë janë vendet ku mund të dërgohen në Zhur, ku atje ka deponi pikërisht për këto mbetje inerte”, thonë banorët, të cilët shtojnë se vështirë mund të vazhdojnë të jetojnë në kushte të tilla.
(Kosova Sot)