15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Ndryshohen “rregullat” për emërimin e drejtorit

Biblioteka KombëtareBiblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” vazhdon edhe më tej të jetë me ushtrues detyre. Pas parregullsive të vazhdueshme që e kanë shoqëruar këtë institucion, tashmë ka një tjetër ushtrues detyre të drejtorit. Ka një vit që Tefik Mehmeti nuk është asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, pasi nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për të qenë edhe një tjetër mandat asamblist.

Por, së fundmi Mehmeti është zgjedhur ushtrues detyre i drejtorit të BKK-së, në të cilën punon prej shumë vitesh. “Unë kam qenë asamblist, por nuk paraqet konflikt interesi, sepse unë qe 12 vjet jam zëvendësdrejtor në këtë Bibliotekë. Me ligj më takon”, thotë Mehmeti, i cili tregon se njoftimin për emërimin e tij në këtë pozitë e ka marrë prej sekretarit permanent të Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, por zgjedhjen, sipas tij, e ka bërë Këshilli Drejtues.

Por, në një prej dokumenteve, që ka siguruar gazeta, shkruan se Ministria e Kulturës, përkatësisht sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, duke u bazuar në Nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në Nenin 38 të Ligjit për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, në Nenin 17 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrave, dhe në pajtim me Nenin 5 të Rregullores 2001/19 për Degën e Ekzekutivit, si dhe rekomandimit të Këshillit Drejtues, nxjerr vendimin që Tefik Mehmeti të jetë ushtrues i detyrës së drejtorit të BKK-së. Ky emërim i Mehmetit është bërë, pasi në krye të institucionit më të lartë kulturor në vend ka ardhur Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Megjithatë, po kjo MKRS, e cila tash e ka zgjedhur Mehmetin ushtrues të detyrës së drejtorit të BKK-së, muaj më parë, në kohën kur Memli Krasniqi ishte ministër i Kulturës, sekretari i përgjithshëm nuk e bënte zgjedhjen e drejtorit, përkatësisht të ushtruesit të detyrës së drejtorit. Në një tjetër dokument që ka siguruar “Zëri”, të cilin Këshilli Drejtues ia kishte adresuar MKRS-së, shkruan: “Sipas Ligjit 04/L-097 për Biblioteka, Neni 10, paragrafi 1.7, kjo kompetencë i takon Këshillit Drejtues të BKK-së. Nga kjo del se Këshilli (dhe jo sekretari i përgjithshëm) mund ta emërojë ushtruesin e detyrës së Bibliotekës Kombëtare në mënyrë të njëjtë siç është caktuar kohë më parë Ramize Bajraktari”. Pra, kjo kompetencë, për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës, i ka takuar Këshillit Drejtues e jo sekretarit të MKRS-së. Megjithatë, Tefik Mehmeti thotë se nuk ka konflikt interesi.

“Nuk ka konflikt interesi sepse ajo ka qenë e kaluara. Unë punoj në këtë institucion. Nuk jam i ardhur”, thotë ai, duke shtuar se nuk është asamblist në këtë mandat, por nuk e mohon nëse është pjesë e strukturave të LDK-së. “Kjo është çështje politike. Nuk mund të më pyesni”, shton Mehmeti, i cili, pos që është tash ushtrues i detyrës së drejtorit, është edhe zyrtar në Zyrën e Prokurimit në BKK. “Prej momentit që jam ushtrues detyre i drejtorit më nuk jam në Zyrën e Prokurimit”, ka thënë Mehmeti, i cili nuk e di nëse do të konkurrojë në MKRS, kur ajo të hapë konkursin për drejtor të BKK-së.

Pas disa përpjekjeve që të flasim me Izet Avdylin, sekretar në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, për të marrë informacion nga ai nëse Mehmeti edhe më tutje është zyrtar i Prokurimit në Bibliotekë, ai gjatë ditës ka hezituar të përgjigjet, por në mbrëmje ka dhënë këtë përgjigje: “Për të marrë informacion nëse është edhe më tutje ose ka dhënë dorëheqje nga zyrtari i Prokurimit Tefik Mehmeti, bëni kërkesë në Bibliotekë për qasje në dokumente zyrtare”.

Gazeta ka kontaktuar edhe me kryetarin e Këshillit Drejtues të BKK-së, Sali Bashotën, por ai nuk ka dashur ta komentojë zgjedhjen e Mehmetin ushtrues detyre i drejtorit të BKK-së, duke u shprehur se të gjitha janë thënë në vendimin e pesë anëtarëve të KD-së. E në mbledhjen e 27-të të Këshillit Drejtues të BKK-së, të mbajtur më 19 dhjetor, në procesverbalin e KD-së, është thënë se nga takimi i ministrit të MKRS-së, sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së dhe kryetarit të Këshillit Drejtues, ka dalë si kërkesë që KD-ja t’i rekomandojë sekretarit të përgjithshëm caktimin e një ushtruesi detyre të drejtorit të BKK-së “Pjetër Bogdani”. Pavarësisht këtij mirëkuptimi ndërmjet Këshillit Drejtues, ministrit Shala dhe sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, ushtruesin e detyrës me Ligjin për Bibliotekat obligohet ta zgjedhë Këshilli Drejtues e jo ministri i Kulturës e as sekretari i përgjithshëm, prandaj shihet se zgjedhja e Tefik Mehmetit ushtrues detyre i drejtorit të BKK-së është bërë duke e shkelur Ligjin për Bibliotekat.

Vehbi Miftari, këshilltar i lartë në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se Mehmeti është zgjedhur në këtë pozitë sepse ka qenë për vite të tëra zëvendësdrejtor, kurse zgjedhjen e ish-asamblistit të LDK-së ushtrues të detyrës së drejtorit, e ka quajtur koincidencë. “Koincidencat mund të ndodhin gjithmonë, por unë e tregova parimin mbi të cilin Tefik Mehmeti është zgjedhur ushtrues detyre”, ka thënë Miftari, duke shtuar se me zgjedhjen e tij nuk kanë dashur të shkaktojnë përplasje, qoftë mes të stafit të brendshëm të Bibliotekës, qoftë mes njerëzve që në një mënyrë a në një tjetër janë të lidhur me punën e Bibliotekës Kombëtare. “Nuk ndërlidhet aspak me angazhimet e tjera që ai ka pasur. Nuk është marrë asnjë lloj kriteri tjetër, nuk do të merret dhe nuk do të merrej”, është shprehur Miftari, duke shtuar se Tefik Mehmeti mund të ketë pasur angazhime të tjetra në një kohë të caktuar, por kjo nuk është relevante.

“Nuk ka ndonjë post politik, nuk ka asnjë lloj konflikt interesi, nëse ai është zëvendësdrejtor i Bibliotekës Kombëtare, si i tillë për ta respektuar hierarkinë dhe vazhdimësinë e punëve në Bibliotekë”, ka shtuar Vehbi Miftari, duke thënë se çfarëdo zgjedhje tjetër do të ishte më problematike. Megjithatë, edhe pse MKRS-ja ka zgjedhur ushtrues të detyrës së drejtorit të BKK-së një asamblist të dikurshëm të LDK-së, Tefik Mehmeti, përveç që është ushtrues detyre, është edhe zyrtar i Prokurimit në BKK. Kështu, ai vetë duhet t’i shpallë tenderët e BKK-së, vetë t’i hapë dosjet, t’i nënshkruajë kontratat me operatorët ekonomikë. Por, këto dy detyra të tij bien ndesh me Ligjin për Prokurimin Publik./Zëri/

Më Shumë

Lajmet e Fundit