Seksi mes motrave dhe vëllezërve mbi 18 vjeç në Gjermani nuk duhet të ndëshkohet. Një gjë e tillë i është sugjeruar qeverisë gjermane nga një panel etike. Pjesa më e madhe e 25 anëtarëve të panelit, të cilët ekzaminojnë çështje etike delikate, me të cilat përballen politikëbërësit, thanë se ligji penal është instrumenti i gabuar për “të ndaluar një tabu sociale”.
Ligjet gjermane aktualisht e dënojnë deri në dy vjet burg ose gjobë marrëdhënien seksuale mes motrave dhe vëllezërve. Bordi i përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme, diskutoi këtë çështje duke pasur parasysh rastin e një çifti nga Lajpcigu, motër e vëlla, të cilët kishin katër fëmijë së bashku.
Patrick Stuebing dhe motra e tij më e vogël Susan, e cila është diagnozuar me çrregullime të personalitetit, u takuan kur ishin adultë për shkak të një rritjeje kaotike. Ata luftuan deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në vitin 2012 në mënyrë që të njihej lidhja e tyre.
Gjykata la në fuqi vendimin e qeverisë gjermane për dënimin me gjashtë muaj burg të burrit për shkak se kreu marrëdhënie seksuale me motrën e tij, duke theksuar se nuk ka asnjë marrëveshje mes Këshillit të Europës dhe shteteve anëtare për këtë çështje.
Sidoqoftë duke parë vendimin, paneli etik gjerman mendon se qëllimi i ligjit penal “nuk është të vendosë standarde morale apo të kufizojë dëshirën seksuale të qytetarëve”. Ligji sipas tyre “duhet të mbrojë individët nga dëmtimet serioze apo ngacmimi dhe të mbrojë rendin social të shoqërisë nga çrregullimet”. Sipas tyre abuzimi seksual, përdhunimi dhe ngacmimi mbulohen nga ligje të tjera.
Sipas rekomandimeve të tyre “edhe frika e pasojave negative për familjen dhe fëmijët me probleme nga inçesti nuk justifikojnë një ndëshkim penal”. “E drejta themelore e motrave dhe vëllezërve për zgjedhjen e partnerit për marrëdhëniet seksuale në raste të tilla duhet të shihet më e rëndësishme se objekti abstrakt i ligjit për mbrojtjen e familjes”, shkruajtën ata.
Ekspertja ligjore e Kancelares Angela Merkel, Elisabeth Winkelmeier-Becker, kritikoi rekomandimet e panelit duke thënë se dërgojnë një “mesazh të gabuar”.
Ndërsa zëdhënësi i politikave të brendshme të CSU, Stephen Mayer, në një intervistë gazetën Bild e quajti skandaloz dhe të papranueshëm rekomandimin e panelit të etikës. “Inçesti mes motrave dhe vëllezërve jo pa arsye është objekt dënimi”. Sipas Meyer, sëmundje të rënda dhe fëmijë me zhvillim jo të duhur janë pasojë e këtyre lidhjeve. /DW/