Në Hoqë të Vogël të Komunës së Rahovecit, sot kujtohen të rënët për liri gjatë luftës së fundit në Kosovë. 13 banorë të këtij fshati ishin vrarë nga një bombë që kishte goditur një shtëpi në fshatin Nagavc, ku ata ishin të strehuar.
Në mesin e viktimave, 12 prej tyre ishin fëmijë, 8 nga të cilët ishin të motrave Sebahate dhe Zyrafete Berisha. Ato thonë se për krimin e bërë 24 vite më parë, ende nuk është ndëshkuar askush.
Mesnata e 2 prillit 1999, ishte natë tragjedie jetësore për motrat Sebahate e Zyrafete Berisha nga Hoqa e Vogël e Komunës së Rahovecit.
Një bombë serbe që rrënoi deri në themel një shtëpi në fshatin Nagavc, ku ishin strehuar dy motrat, ndali frymimin e të gjithë fëmijëve të tyre. Sebahates iu vranë 5 vajzat.
“Më janë vrarë pesë vajzat: Adelina Berisha 9-vjeçe, Njomza 7-vjeçe, Shkurtesa 5-vjeçe. Lezija 2-vjeçe dhe Elhame Berisha që i kishte veç gjashtë muaj”, rrëfeu nënë Sebahatja.
Një fat të zi si të Sebahates, e pati edhe motra e saj më e vogël, Zyrafetja, e cila ishte 29 vjeçe, kur bomba ia mori jetën 3 fëmijëve që kishte.
“Mua më janë vrarë tre fëmijët: Shqipëroni 12-vjeç, Dafina 9-vjeçe dhe vajza e vogël, Valmira Berisha 7-vjeçe. Atë natë, isha pa gjumë. Për një moment veç kur e kam pa se u zdrit fort bodrumi, edhe veç kur më ka ra krejt shtëpia përmbi. Atë natë ka qenë tmerr i madh, jo veç për mua e fëmijët, por për krejt që kanë qenë aty”, tha ajo.
Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë e ish-Jugosllavi, Sebahatja, bashkë me fëmijët dhe familjarë të tjerë kishin kaluar edhe net në mal, rrëfen ajo, teksa tregon për Radio Kosovën pjesë nga historia e trishtë e natës që për të keq ia ndryshoi jetën
“Dy ditë përpara patën ardhur serbët. Na kontrolluan. Na këqyrën ku jemi t’u nejtë. E panë që jemi në bodrum. Na nxjerrën përjashta krejtve; burra, gra e fëmijë që ishim. Na i morën me letërnjoftime, me para e çka patëm, krejt i mblodhën. Tani na thanë mirë qenkeni, rrini këtu. Kur u bë ora 2 e natës së 2 prillit na kanë bombarduar. Nga sulmi mbetën të vdekur Hirishahe Berisha me dy vajzat, djali i Masarit, 9-muajsh. Djali i kunatës, 13-vjeçar, tre fëmija e motrës, Zyrafetes, edhe pesë vajzat e mia. Pra, 12 fëmijë u vranë”, tha ajo.
Sebahatja, tregon se asnjë lodër e vajzave nuk i mbeti si kujtim.
“Lodra nuk më ka mbetur asnjë. Rroba, të këtyre katër të mëdhave më kanë mbetur nga një palë trenerka – veç të epërmet. Prej vajzës së vogël, që e kisha në djep, kujtim më kanë mbetur veç një palë të brendshme, asnjë gjë tjetër”, tregon ajo.
Gjëra të fëmijëve që iu vranë ka edhe Zyrafetja, disa prej të cilave i ka dhuruar për një ekspozitë në Prishtinë për përkujtimin e fëmijëve.
“Pas bombardimit, i pata gjet patikat e Shqipronit. Njëra i ka pasur tojat e lidhura – tjetra të zgjidhura. Këto, por edhe disa fletore të tij i kam çuar për një ekspozitë në Prishtinë. Edhe motra i ka dhuruar disa rroba të fëmijëve dhe djepin e vajzës së vogël”, pohon ajo.
Për krimin e bërë sot 24 vite më parë në Nagavc të Rahovecit, ku u vranë shqiptarë civilë të pafajshëm, nuk është dënuar askush. Teksa ajo lutet që gjaku i fëmijëve njomakë të mos humbet e kriminalët të gjenden dhe ndëshkohen një ditë, Zyrafetja shprehet e mllefosur me drejtësinë ndërkombëtare, që sipas saj, nuk po i dënon serbët që bënë gjenocid.
“Ne që u sulmuam kemi luftuar për vendin tonë, e sot, s’po gjykohet Serbia, por po gjykohen çlirimtarët tonë. Ne nuk shkuam të luftojmë në Serbi, por e kemi mbrojtur tokën tonë. Ushtria jonë nuk ka shkoi atje me vra gra e fëmijë të pafajshëm. E sot, krejt të mëdhenjtë tanë po i marrin e po i çojnë në Gjykatë të Hagës. Të Serbisë as nuk i çuan në gjykatë e as nuk po dënohen si shqiptarët”, tha ajo.
Pas çlirimit të Kosovës, dy nënat që humbën të gjithë fëmijët në luftë u bënë sërish nëna. Disa nga fëmijët që erdhën në jetë pas luftës, të cilët i dhanë gjallëri jetës në familjen Berisha, janë pagëzuar me emrat e vëllezërve e motrave që u vranë 24 vite më parë.
Përveç se disa janë rivendosur, emrat e 12 fëmijëve që humbën jetën nën rrënojat e shtëpisë së bombarduar mesnatën e 2 prillit, janë të përjetësuar dhe gdhendur edhe në një pllakë përkujtimore, e vendosur skaj rrugës pranë xhamisë së fshatit Hoqë e Vogël. Në këtë monument, janë plot 34 emra shqiptarësh, gra, burra e fëmijë, të vrarë në këtë fshat nga regjimi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë./radio kosova