Në marsh morën pjesë mijëra qytetarë nga qytetet e Kosovës, nga Shqipëria dhe hapësira të tjera të viseve ku banojnë shqiptarët.

Nga marshi u dhanë mesazhe se liria e Kosovës është falë luftës së UÇK-së.  Përmes këtij marshi po ashtu u kërkua drejtësi për shqiptarët që janë vrarë në luftën e vitit 1998-1999, e për të cilët ende nuk ka dënuar dhe se kriminelët sot gjenden të lirë në Serbi, raporton RTKlive.

Po ashtu u kërkua që të zbardhet fati i të zhdukurve që ende mbahet i fshehtë fati i tyre, nga Serbia dhe ende pas 24 viteve familjarët presin me ankth ndonjë lajm për ta.

Në marsh po ashtu morën pjesë edhe familjarët e të akuzuarave të cilët nga të pranishmit u mirëpriten me duartrokitje.

E plotësuar

Po mbahet marshi në Prishtinë, në të cilin po marrin pjesë mijëra qytetarë nga të gjitha pjesët e Kosovës.

Krasniqi: Ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se me këtë marsh u tregojnë atyre në Hagë se janë me ta.

“Sot, ballëlartë e me zemër plot, marshojmë krenarë, për ata që dikur marshuan drejt lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë, që përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç pavarësisë, s’kanë pasur një projekt rezervë. Sot, ne solidarizohemi me ta, sepse ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar, demokratik e qytetërues, por që s’ka përfunduar akoma”, theksoi Krasniqi.