Aktualisht çmimet e tyre janë shumë të larta dhe kjo i ka sjellë kompanitë e ndërtimit në një pozitë jo të mirë të shitjes. Çmimi mund të bie vetëm nëse do të ketë ulje të çmimeve të produkteve bazë të ndërtimtarisë në përgjithësi, thonë ekspertët e patundshmërive.

Sektori i ndërtimtarisë është sektori më i zhvilluar pas atij financiar në Kosovë, mirëpo dy vitet e fundit  ka pasur ngecje në shitje, për arsye të shtrenjtimit dhe krizave të njëpasnjëshme që i ka kapluar qytetarët e Kosovës.

Shpresat që të ulen çmimet e banesave  janë në 6 mujorin e dytë të këtij viti, tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

“Parashikimet janë shumë të mira për këtë vit sidomos për gjysmën e dytë e jo vetëm në Kosovë por edhe në Evropë. Se nëse do të ketë rënie të inflacionit dhe stabilizim të çmimeve, besojmë se do të stabilizohen edhe çmimet e banesave.  Ne brenda Odes Ekonomike kemi Shoqatën e Ndërtuesve dhe pas takimeve me ta, është një pritje nga qytetarët për rënie të çmimeve që më pastaj të blejnë. Ne mendojmë se kjo është e përkohshme. Shoqatat janë duke e përcjellë trendin ndërtues”, tha ai.

Çmimet e mëdha të banesave kanë sjellë një ritëm të ngadalësuar të shitjes,  thotë kryetari i Aleancës Kosovarë të Biznesit, Agim Shahini. Ai tha se janë dëshmitarë se si disa kompani ndërtuese janë në gjendje të keqe financiare për shkak të këtij trendi.

“Pavarësisht kësaj, bizneset kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë me çmime më të larta edhe pse këtyre muajve të fundit ka lëvizje të uljes së çmimit të disa produkteve të ndërtimit, ato çmime ende mbesin të larta për shkak të financimit të mëhershëm. Për këtë arsye, edhe bizneset e sektorit të ndërtimtarisë gjenden në një situatë tepër të rëndë, sepse, ata nuk kanë mundësi dhe nuk guxojnë ta ndalin ritmin e ndërtimit, por ritmi i shitjes është ngadalësuar dhe kjo mund të sjellë në një situatë jo të mirë të disa kompani. Ne jemi dëshmitarë se disa kompani ndërtuese janë në një gjendje jo të mirë financiare për shkak të ndaljes së ritmit të shitjes së banesave dhe lokaleve”, tha ai.

E për ndërtuesin kosovar, Jahir Morina, çmimet e patundshmërive mund të bien nëse do të ketë liberalizim të tregut në Evropë  dhe nëse do të ketë ulje të çmimeve të produkteve bazë të ndërtimtarisë në  përgjithësi. Vetëm 20% mund të jetë një ulje sipas tij, për arsye të rritjes së tokës.

“Megjithatë, nuk pritet të ketë ndonjë rënie të madhe, mund të ketë rënie të lehtë ku shkon nga 15 deri në 20% maksimalisht, sepse kemi edhe një rritje të kostos së tokës e cila secilën herë është duke u rritur në përmasa të mëdha. Rritja e normave të interesit të bankave edhe ky është shqetësim sepse  kjo prapë do të jetë shkak që nuk do të lejojë që të bie çmimi i banesave për blerje”, tha ai.

Prishtina ka tri zona të shitjes. Në qendër çmimi për metër katror shkon nga 1mijë e 500 deri në 2 mijë euro, pastaj zona e dytë siç është Prishtina e re , Rruga B, Drogodan, etj prej 1mijë deri në 1mijë e 200 euro për metër katror dhe në zona të tjera më të thella, çmimi për metër katror shkon nga 800 deri në 1mije euro, ka bërë të ditur ndërtuesi Morina.  /Radio Kosova