16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

“Në Kosovë ka drejtësi selektive”

Gjykata-qekiqiMasa të shumta janë ndërmarrë për zbulimin e vrasësit të zyrtarit doganor të EULEX-it, lituanezit, Audrius Shenavicius. Përderisa Policia e Kosovës dhe EULEX-i, kanë marrë masa të tilla për këtë rast, zbulimi dhe kapja e vrasësve të policit të Kosovës, Enver Zymberi, vazhdon edhe më tej të zvarritet. Derisa autoritetet përgjegjëse për zbardhjen e këtij rasti, hezitojnë të flasin. Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi thotë se në Kosovë ka drejtësi selektive

Një numër telefoni është vënë në dispozicion për qytetarët që kanë ndonjë informacion për vrasësin e zyrtarit doganor të EULEX-it, Audrius Shenavicius. Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it, kanë shpallë zyrtarisht apel për informacion lidhur me vrasjen e lituanezit, cili ishte vrarë gjatë rrugës për të shkuar në punë. Po ashtu është ndarë një shpërblim deri në 27 mijë e 500 euro për informatat të cilat do të çojnë tek arrestimi i autorit ose autorëve të vrasjes.

Por, e njëjta nuk ka ndodhur me zbulimin e autorëve të vrasjes së policit të Kosovës, Enver Zymberi. Janë bërë më shumë se dy vjet nga vrasja e tij, dhe nuk ka asgjë konkrete për zbulimin e vrasësve, përveç urdhërarrestit për gjashtë serbë nga Zubin Potoku, të cilët janë shpallur persona në kërkim.

Zëvendëskryetari i Komisionit parlamentar për punë të brendshme, Rexhep Selimi thotë se as drejtësia e EULEX-it, as drejtësia e Kosovës nuk e ka bërë as hapin më të vogël për zbulimin e këtij rasti. Sipas tij, në Kosovë ka drejtësi selektive.

“Sidomos në rastet me të cilat merret EULEX-i dhe deri diku edhe hetuesia e Kosovës janë një dimension i kësaj drejtësisë selektive. Jetët njerëzve, jetët e policëve, do duhej që të përjetoheshin njëjtë dhe qasja për zbulimin e tyre të ishte e njëjtë. Ne nuk themi pse po kërkohen vrasësit e doganierit lituanez, por themi pse nuk po kërkohen edhe vrasësit e Enver Zymberit dhe familjes Haradinaj në pjesën veriore të Mitrovicës”, tha Selimi për Radio Kosovën.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili në shumë deklarata më herët ka thënë se shumë shpejt vrasësit e Enver Zymberit do të dalin para drejtësisë, tani nuk ka dashur të flas për këtë çështje. Të vetmen përgjigje që ka dhënë ka qenë kjo:

“Lajmëroni në zyrën për informim, pastaj shohim”, tha ai, i kontaktuar nga Radio Kosova.

Në Zyrën për informim e Ministrisë së Punëve të Brendshme, thanë se me këtë çështje merret Prokuroria e Shtetit, ndërsa zyrtarë nga kjo e fundit theksuan se kjo është çështje e EULEX-it. Ndonëse premtuan, zyrtarët e EULEX-it, nuk dhanë ndonjë përgjigje lidhur me këtë.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi thotë zbulimi i vrasësve të Enver Zymberit mund të bëhet shumë lehtë, pasi që sipas tij, pista e parë ku do duhej të kërkoheshin këta vrasës është lista e policëve të MUP-it serb e cila është bërë gati t’i dorëzohet Policisë së Kosovës për t’u integruar. Ai shprehet i habitur pse Ministria e Punëve të Brendshme nuk po bën shtytje për zbulimin e vrasësve të Enver Zymberit, ndërsa kritikoi edhe EULEX-in lidhur me këtë rast.

“Ose bëhet fjalë për pazotësinë e tyre, ose bëhet fjalë për një farë përgjegjësie në mes, për shkak se vrasës nuk janë Ministria e Punëve të Brendshme, por përgjegjës të drejtpërdrejtë janë për shkak se e kanë rrezikuar jetën e policëve të vetë duke mos pasur asnjë plan operacional. Në anën tjetër edhe misionit të EULEX-it, nuk do duhej t’i dhembte vetëm kur i prek ata, por do duhej t’i dhembte kur preket çdo qytetar i Kosovës, çdo polic i Kosovës”, tha Selimi.

Enver Zymberi ishte pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Ai u vra gjatë aksionit të 25 korrikut të vitit 2011, në përpjekje për shtrirjen e autoritetit të shtetit në pjesën veriore të Kosovës. Enver Zymberi është shpallur Hero i Kosovës nga presidentja e vendit.

Më Shumë

Suharekë: Kontrollohen dy shtëpi, sekuestrohet arma

Në fshatin Nishor të Suharekës janë kontrolluar dy shtëpi të dy të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, 16 fishekë me gaz...

Tri vjet nga vdekja e Cimës – përkujtohet me mall nga Adelina: U zgjova me dhimbjen e njëjtë si kur u ndave nga ne...

Janë bërë tri vite që kur u nda nga jeta legjenda e humorit shqiptar, Rasim Thaçi – Cima. Artisti i mirënjohur ndërroi jetë më 26...

Lajmet e Fundit