Në mesin e viktimave, 12 prej tyre ishin fëmijë, 8 nga të cilët ishin të motrave Sebahate dhe Zyrafete Berisha. Ato thonë se për krimin e bërë 24 vite më parë, ende nuk është ndëshkuar askush.

Mesnata e 2 prillit 1999, ishte natë tragjedie jetësore për motrat Sebahate e Zyrafete Berisha nga Hoqa e Vogël e Komunës së Rahovecit.

Një bombë serbe që rrënoi deri në themel një shtëpi në fshatin Nagavc, ku ishin strehuar dy motrat, ndali frymimin e të gjithë fëmijëve të tyre. Sebahates iu vranë 5 vajzat.

“Më janë vrarë pesë vajzat: Adelina Berisha 9-vjeçe, Njomza 7-vjeçe, Shkurtesa 5-vjeçe. Lezija 2-vjeçe dhe Elhame Berisha që i kishte veç gjashtë muaj”, rrëfeu nënë Sebahatja.

Një fat të zi si të Sebahates, e pati edhe motra e saj më e vogël, Zyrafetja, e cila ishte 29 vjeçe, kur bomba ia mori jetën 3 fëmijëve që kishte.

“Mua më janë vrarë tre fëmijët: Shqipëroni 12-vjeç, Dafina 9-vjeçe dhe vajza e vogël, Valmira Berisha 7-vjeçe. Atë natë, isha pa gjumë. Për një moment veç kur e kam pa se u zdrit fort bodrumi, edhe veç kur më ka ra krejt shtëpia përmbi. Atë natë ka qenë tmerr i madh, jo veç për mua e fëmijët, por për krejt që kanë qenë aty”, tha ajo.

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë e ish-Jugosllavi, Sebahatja, bashkë me fëmijët dhe familjarë të tjerë kishin kaluar edhe net në mal, rrëfen ajo, teksa tregon për Radio Kosovën pjesë nga historia e trishtë e natës që për të keq ia ndryshoi jetën

“Dy ditë përpara patën ardhur serbët. Na kontrolluan. Na këqyrën ku jemi t’u nejtë. E panë që jemi në bodrum. Na nxjerrën përjashta krejtve; burra, gra e fëmijë që ishim. Na i morën me letërnjoftime,  me para e çka patëm, krejt i mblodhën. Tani na thanë mirë qenkeni, rrini këtu. Kur u bë ora 2 e natës së 2 prillit na kanë bombarduar. Nga sulmi mbetën të vdekur Hirishahe Berisha me dy vajzat, djali i Masarit, 9-muajsh. Djali i kunatës, 13-vjeçar, tre fëmija e motrës, Zyrafetes, edhe pesë vajzat e mia. Pra, 12 fëmijë u vranë”, tha ajo.

Sebahatja, tregon se asnjë lodër e vajzave nuk i mbeti si kujtim.

“Lodra nuk më ka mbetur asnjë. Rroba, të këtyre katër të mëdhave më kanë mbetur nga një palë trenerka – veç të epërmet. Prej vajzës së vogël, që e kisha në djep, kujtim më kanë mbetur veç një palë të brendshme, asnjë gjë tjetër”, tregon ajo.

Gjëra të fëmijëve që iu vranë ka edhe Zyrafetja, disa prej të cilave i ka dhuruar për një ekspozitë në Prishtinë për përkujtimin e fëmijëve.

“Pas bombardimit, i pata gjet patikat e Shqipronit. Njëra i ka pasur tojat e lidhura – tjetra të zgjidhura. Këto, por edhe disa fletore të tij i kam çuar për një ekspozitë në Prishtinë. Edhe motra i ka dhuruar disa rroba të fëmijëve dhe djepin e vajzës së vogël”, pohon ajo.

Për krimin e bërë sot 24 vite më parë në Nagavc të Rahovecit, ku u vranë shqiptarë civilë të pafajshëm, nuk është dënuar askush. Teksa ajo lutet që gjaku i fëmijëve njomakë të mos humbet e kriminalët të gjenden dhe ndëshkohen një ditë, Zyrafetja shprehet e mllefosur me drejtësinë ndërkombëtare, që sipas saj, nuk po i dënon serbët që bënë gjenocid.

“Ne që u sulmuam kemi luftuar për vendin tonë, e sot, s’po gjykohet Serbia, por po gjykohen çlirimtarët tonë. Ne nuk shkuam të luftojmë në Serbi, por e kemi mbrojtur tokën tonë. Ushtria jonë nuk ka shkoi atje me vra gra e fëmijë të pafajshëm. E sot, krejt të mëdhenjtë tanë po i marrin e po i çojnë në Gjykatë të Hagës. Të Serbisë as nuk i çuan në gjykatë e as nuk po dënohen si shqiptarët”, tha ajo.

Pas çlirimit të Kosovës, dy nënat që humbën të gjithë fëmijët në luftë u bënë sërish nëna. Disa nga fëmijët që erdhën në jetë pas luftës, të cilët i dhanë gjallëri jetës në familjen Berisha, janë pagëzuar me emrat e vëllezërve e motrave që u vranë 24 vite më parë.

Përveç se disa janë rivendosur, emrat e 12 fëmijëve që humbën jetën nën rrënojat e shtëpisë së bombarduar mesnatën e 2 prillit, janë të përjetësuar dhe gdhendur edhe në një pllakë përkujtimore, e vendosur skaj rrugës pranë xhamisë së fshatit Hoqë e Vogël. Në këtë monument, janë plot 34 emra shqiptarësh, gra, burra e fëmijë, të vrarë në këtë fshat nga regjimi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë./radio kosova