16.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Në një bar duke u mbyllur

Loer Kume

Çdo herë, në çdo inkursion të mundshëm nëpër botë që ne i quajmë udhëtime, “Dëborat e Kilimanxharos” është një akt tribal personal i imi. Në valixhe të mëdha, ose dhe në qese dore nëpër shëtitje njëditore, krahas librit të radhës, gjithmonë marr me vete përmbledhjen e Hemingway.

Pyetja është thelbi i mendjes. Dhe pyetja e madhe mbushet me dy mënyra. Të udhëtosh. Dhe të lexosh.

Udhëtimi im, është gjithmonë një akt zbulimi. Është përpjekje e gëzuar dhe ekzaltuese për ta parë veten, i pozicionuar në kënde e largësi të ndryshme. Dhe po e njëjta gjë është me leximin, por invers, nëpërmjet leximit shoh botën në kënde dhe distanca të ndryshme. Pika takuese e këtyre dy drejtimeve është vetëm një. Të lexosh në udhëtim.

Nuk e di për çfarë arsye konkrete, cili është tharmi që më ka shtënë në dorë mua për herë të parë ‘Dëborat…’ në ndonjë rrugë për diku. Kujtimi im i largët është plazhi i Dhërmiut, një natë tetori e ngrohtë, gjetja me miq rastësorë nga Prishtina me një kitarë e shishe vere duke kënduar këngë të Pink Floyd e Bad Company. Dhe librin e Hemingway që me priste në kokën e shtratit në një hotel të çuditshëm në breg të detit. Ky kujtim është raporti i vërtetë midis udhëtimit, dhe leximit, midis të parit të vetes dhe botës.

Të merresh me “Dëborat e Kilimanxharos”, dhe me Hemingway-n vetë, do të thotë të ndeshesh me një dem, me vrasës, të shëtisësh në Spanjë, Itali, në Amerikë, në Afrikë, të shkosh për gjueti si Frances Meckomber, të shohësh Kodrat e gjelbra të Afrikës, Liqenet e Michiganit, sheshet e Madridit, arenat e toreadorëve, të merresh me safari nëpër savanë, e plot ngjarje të vogla e të detajuara nga çdo cep i botës. Të kesh përballë përmbledhjen në fjalë, do të thotë të përballesh në Paris, një festë që e ke gjithnjë me vete. Për jetën e shkrimtarit në Paris, për njerëzit, vendet ngjarjet që përbënë jetën e tij dhe vazhdimisht kudo ku shkoj, përballja ime me këtë libër shok e mik të pandashëm është përballja me ngjarjet e mia në të vërtetë. Çdo veprim timin, e regjistroj në kokë, plot detaje, duke e peshuar sa vlere ka, ç’më pasuroi, ç’më shtoi në jetën time? Çdo akt i kryer gjatë çdo udhëtimi sado i thjeshtë e prozaik qoftë, peshohet me gur peshë Dëborat e Kilimanxharos, e me pikë ekuilibri pyetjen e madhe; a po jetoj një moment për vetë, apo çdo personazh në atë libër ma apelon momentin tim.

Dhe çdo herë jam i prirur dhe shtyj veten për të krijuar ngjarje që të shkruajnë jetën time njësoj si një shkrimtar shkruan për dhjetëra jetë të personazheve. Këtë më mëson Hemingway, të gjesh dhe spikasësh ndodhi edhe në një vend të vogël e banal, të dëgjosh e mësosh ndodhi edhe personi më i papërfillshëm sipas ligjeve të zakonshme e banale të shoqërisë, të gjesh një ngjarje sublime dhe te gota e radhës mbase i vetëm, mbase në një bar duke u mbyllur.

Edhe te gjërat e shkuara keq, ka gjithmonë një arsye për një dolli, e ka gjithmonë diçka për të treguar.

“Dëbora e Kilimanxharos” më shtyjnë përherë ndërsa e shfletoj, të përballem me luftën e madhe, të të zbuluarit të botës nëpërmjet faqeve të Hemingway, apo nëpërmjet hapave të mi.

Ja pse ajo natë e largët në Dhërmi para vitesh më është ngulitur në mendje, ndërsa libri rrinte në kokën e krevatit, unë më të dashur e miq në një tarracë buzë detit po krijoja një kujtim timin, për të cilin një ditë do të shkruaj. Ndërsa leximi ishte aty që priste radhën, ku në krye ishte vetë jeta e ndodhur.

Dëborat … edhe vetë si objekt është i shtrenjtë për mua, sepse thërret një kohë të para viteve nëntëdhjetë, dalë nga biblioteka e prindit, me firmën e tim eti brenda, me thërret një kohë ku zbulesat e botës më jepeshin përmes prindërve të mi. E mbase ky atavizëm është gjithashtu, një përbërës i rëndësishëm në atë tharmin magjik të lidhjes time me këtë libër. Për këtë arsye, kur më doli përpara diku nëpër bukinistët e rrugës ky libër e mora sërish, dhe e vendosa në bibliotekën e punës pranë kokës së Aleksandërit të Madh, (një tjetër rit i vogël tribal i imi ky).

Duhet të kisha një libër rezerve, dhe pse jo origjinalin, dhe pse me firmat e të tjerë njerëzve brenda që kushedi për ç’arsye janë ndarë nga libri i tyre. Duhet ta kisha një libër rezervë për kohët që do vijnë, ku ky libër do më shoqërojë në tërë udhëtimet që ende s’kam bërë. Pikërisht ndaj, nuk e kam mbaruar ende sot e kësaj dite. Kam prapë tregime për të lexuar në atë libër. Është libër e mik udhëtimi. Një histori pa mbarim, një festë që e mbaj gjithnjë me vete ndërsa i bëj festen vetes. /Shqip

Më Shumë

Protestë më 1 maj, Jasharaj – Nagavcit: E dimë se ke urdhër nga Kryeministri që të mos na takosh

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj thotë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka urdhër nga kryeministri...

Moti sot i ngrohtë, temperaturat deri në 22 gradë Celsius

Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku gjatë pasdites pritet të ketë reshje të izoluara shiu, kryesisht në zonat...

Lajmet e Fundit