16.8 C
Prizren
E hënë, 25 Gusht, 2025

Në Prizren shtohen rastet e sëmundjes me kancer të gjirit

Zyrtarët shëndetësorë në Prizren tërheqin vërejtjen për shtimin e rasteve të të prekurve me kancer.

Mehmedali Gashi, drejtor i Shëndetësisë primare në Prizren, shprehet se kanceri është një term i përgjithshëm për një grup të madh të sëmundjeve, pasi ka më shumë se 100 lloje të kancereve.

“Kanceri njihet edhe me terma të tjerë si tumore malinje dhe neoplazma. Kanceri është rritja e pakontrolluar e qelizave dhe përhapja e tyre përtej kufijve të tyre të zakonshme, të cilat pastaj mund të pushtojnë pjesë të tjera të trupit dhe të përhapen në organe të tjera nëpërmjet sistemeve të qarkullimit të gjakut dhe limfatike”, tregon Gashi.

Sipas tij, kanceri mund të prekë pothuajse çdo pjesë të trupit.

“Kanceri i prek të gjithë, të rinj dhe të vjetër, të pasur dhe të varfër, burra, gra dhe fëmijë, dhe paraqet një barrë të madhe për pacientët, familjet dhe shoqëritë në mbarë botën dhe llogariten rreth 7.6 milionë vdekje apo rreth 13 për qind të të gjitha vdekjeve për vitin 2015”, shprehet Gashi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Sëmundja që godet pa dallim

Ndërsa, Shpresa Goçaj shprehet se në mbarë botën, llojet kryesore apo më të zakonshme të kancerit që vrasin njerëzit janë: kanceri i mushkërive, stomakut, mëlçisë, i zorrës së trashë, i gjirit dhe kanceri i qafës së mitrës. Llojet më të shpeshta të kancerit ndryshojnë midis burrave dhe grave.

“Në shumë vende në zhvillim, kanceri i qafës së mitrës është kanceri më i zakonshëm. Rreth 70 për qind e të gjitha vdekjeve nga kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, shpjegon Shpresa Goçaj.

Sipas saj, vdekjet nga kanceri, në mbarë botën janë parashikuar të vazhdojnë të rriten në mbi 13.1 milionë në vitin 2030. Rreth 30 për qind e vdekjeve nga kanceri ndodhin për shkak të rreziqeve kryesore të mënyrës së jetesës dhe sjelljes, si: mbipesha e obeziteti, konsumimi i pakët i frutave e perimeve, mungesa e aktivitetit fizik, përdorimi i duhanit, përdorimi i tepruar i alkoolit. Përdorimi i duhanit është faktori më i rëndësishëm i rrezikut për shkaktimin e kancerit; shkakton 22 për qind të vdekjeve në tërësi nga kanceri dhe 71 për qind të vdekjeve nga kanceri i mushkërive.

“Një e pesta e të gjithë kancereve në mbarë botën janë të shkaktuara nga një infeksion kronik, për shembull virusi i papillomës njerëzore (HPV) që shkakton kancerin e qafës së mitrës dhe virusi i hepatitit B (HBV), që shkakton kancerin e mëlçisë. Kanceri i shkaktuar nga infeksione virale të tilla si virus i hepatitit B e C dhe virusi i papillomës njerëzore janë përgjegjës për deri në 20 për qind të vdekjeve nga kanceri në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Rreth 70 për qind e të gjitha vdekjeve nga kanceri në vitin 2015 kanë ndodhur në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, tregon Goçaj.

Vizitat falas për gratë

Vdekjet nga tumoret zënë vendin e dytë në strukturën e vdekshmërisë së përgjithshme me 16 për qind, dhe format më të shpeshta janë tumoret malinje të aparatit tretës, të frymëmarrjes dhe urogjenitale. Gjithashtu 87.8 e vdekjeve nga tumoret janë mbi moshën 50 vjeç. Tumoret malinje të aparatit tretës janë 2 herë më shumë tek meshkujt se tek femrat dhe zënë 32 për qind të vdekshmërisë brenda grupit të tumoreve. Tumoret malinje të aparatit të frymëmarrjes janë 4 herë më shumë tek meshkujt se tek femrat. Tumoret malinje të gjirit janë 4 herë më shumë tek femrat se tek meshkujt. Tumoret malinje të organeve urogjenitale janë 1.6 herë më shumë tek meshkujt se tek femrat. Vdekjet nga tumoret në fshat zënë 46 për qind. Kurse në Prizren si në gjithë Kosovën ky numër është në shtim e sipër.

Vitin që shkoi deputetja Duda Balje, pos angazhimit në Kuvendin e Kosovës, ka realizuar edhe projekte të tjera që ishin në interes të shërbimit të nënës kosovare. Ajo së bashku me Ambasadën e Francës dhe atë të Gjermanisë në Kosovë, organizoi në kuadër të projektit ‘Mos u vono!’, në Prizren dhe në Sharr në QKMF vizita mamografike dhe vizita të kontrollit të gjoksit falas. Ky projekt financohej me mjete nga Fondi kulturor franko-gjerman. Përmes këtij projekti u bënë vizita të këtilla tek mbi 120 gra në dy komuna. Ajo theksoi se projekti pati mbledhur rreth vetes një ekip multietnik të studentëve nga mbarë Kosova, të cilët në këtë rajon zhvilluan edhe një studim rreth rreziqeve dhe trajtimit të kancerit të gjirit. Derisa kontrolle mjekësore preventive falas nga shërbimet mjekësore të Prizrenit morën qindra gra.

“Këtë vit mund të themi se kanceri i gjirit ka numër të shtuar”, pohon dr. Shpresa Goçaj radiologe, e cila njëherësh është edhe drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetësisë në Prizren.

Ajo për “Kosova Sot” tregon se ka pasur 300 ekzaminime të gjirit, nga këto ka pasur 15 raste të dyshimit të lartë, ku pastaj, për fat të keq, shtatë raste janë konstatuar me këtë sëmundje.

“Prizreni ka një fat që për një fazë të gjatë mamografinë e kryen falas për gra. Prizreni si gjithë Kosova po atakohen nga sëmundje të rënda”, tha ajo. /Kosova Sot/

Më Shumë

Zjarr në tokat përreth Mamushës

Në Komunën e Mamushës, për shkak të motit të nxehtë, kanë shpërthyer zjarre në tokat përreth. Zjarrfikësit e Mamushës intervenuan menjëherë. Raportohet se zjarri ka...

Durrës: 7 vjeçarja nga Prizreni kërkon prindërit e saj

Një 7 vjeçare nga Prizreni ka humbur në Durrës.   Bëhet fjalë për Alina Tafajn, e cila po kërkon prindërit e saj. “7-vjeçarja nuk mban mend ku...

Lajmet e Fundit