Në 24 orët e fundit, në Shqipëri janë testuar 112 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 27 raste të reja me COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë thotë se deri në këto momente janë testuar 2031 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 304 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.
Ndërkaq, lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit ka 13 pacientë që janë shëruar duke e çuar kështu numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 89.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, po trajtohen 4 pacientë, 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar). Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” do të ndiqen rastet e rënda me insufiçencë respiratore covid pozitiv, janë 4 pacientë të shtruar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 77 pacientë.
Këtë të premte, një tjetër pacient ( A.C- 75 vjeç) në Shërbimin e Infektivit ka humbur betejën me COVID-19. Ai vuante edhe nga sëmundje bashkëshoqëruese. 17 pacientë kanë vdekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Kavajë, Lezhë, Mirditë dhe Shkodër.
Nga rastet e reja të 24 orëve të fundit, Shkodra ka numrin më të lartë me 12 raste. Këto raste janë identifikuar në dy rrethe familjare, mes tyre është dhe një fëmijë 13-vjeçar, që janë identifikuar falë gjurmimit të rasteve të kryera nga epidemiologët ne terren. Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike.
Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik.