Sado që në Kosovën e pasluftës, në një sistem të ri demokratik, janë mbajtur zgjedhjet e rregullta, qoftë për nivelin lokal dhe atë qendror, është vërtetuar e po vërtetohet katërçipërisht, se sidomos në 10 vitet e fundit, se pa marrë parasysh se kush i fiton zgjedhjet dhe formon qeverinë, qoftë në nivel komunal apo në atë qendror, realisht pushtetin e udhëheq dhe komandon vetëm “nëntoka” e korporatës se zbardhur kohë më parë ‘PRONTO’, zhvatëse dhe e inkriminuar deri në metastazë, vrasëse e kriminale për vendin, për qytetarët dhe bizneset e ligjshme, që nuk u binden. Kjo situatë, sipas disa përfaqësuesve të partive politike, pozitë dhe opozitë, dhe analistëve politikë, e bën qytetarin e Kosovës të pashpresë dhe ia humb besimin edhe në raport me subjektet politike, programet e tyre elektorale që paraqiten gjatë fushatave zgjedhore.
“Në Kosovë që nga përfundimi i luftës sundon nëntoka, e cila ka depërtuar deri në nivelet më të larta të shtetit, kështu që të gjitha institucionet e Kosovës, pa përjashtim, janë të kapura dhe punojnë sipas diktatit të saj. Krimi i organizuar në Kosovë ka arritur që të ketë fuqi aq të madhe, saqë tashmë vepron publikisht dhe nuk brengoset për asgjë. Ai është bashkëpunues me bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë, kështu që bashkëveprojnë pa asnjë problem.
Krimi i organizuar në Kosovë ka bekimin e plotë të bashkë- sisë ndërkombëtare, pavarësisht faktit që bashkësia ndërkombëtare gjoja angazhohet për luftimin e tij në Kosovë. Sa i përket qeverisjes në Kosovë, pavarësisht kush e ka udhëhequr qeverinë dhe parlamentin, krimi i organizuar ka mbetur i pa prekur”, është shprehur deputeti Adem Salihaj për “Kosova Sot”. Sipas tij, këtij krimi askush nuk ka guxuar t’ia turbullojë ujin. “Afera ‘Pronto’ është vetëm një formë e nëntokës dhe i paraqet disa krime shumë sipërfaqësore, ajo është shumëfish më e rrezikshme sesa duket aty”, theksoi deputeti Adem Salihaj nga LDK-ja.
Berisha: Çmontimi i krimit të nëntokës është një sfidë e madhe
Deputeti Ali Berisha nga AAK thotë se rrjeti kriminal ‘Pronto’ është bërë pjesë e sistemit, prandaj vetëm një ndryshim rrënjësor në mentalitetin politik qeverisës të vendit dhe me krijimin e një sistemi efikas të sundimit të ligjit do të mund të lirohet shoqëria e Kosovës nga një rrjetëzim i tillë mafioz. “Rrjeti i nëntokës kriminale në jetën politike të Kosovës ka shtrirë rrjetin e vet të ndikimit qoftë te bizneset, qoftë te politika, qoftë edhe te institucionet, në çdo pore të jetës në Kosovë dhe duke pasur një shtrirje të tillë e ka krijuar edhe bazamentin e vet, përmes të cilit i ka kontrolluar edhe qeverisjet në nivelin lokal, por edhe në atë qendror. Duke pasur një kontroll të tillë ka krijuar edhe një klientelë të fuqishme, e cila edhe sot e kësaj dite e ka ndikimin e madh në jetë politike dhe institucionale të Kosovës”, theksoi Berisha për “Kosova Sot”.
Sado i fuqishëm që është ky rrjet i klanit ‘Pronto’, Berisha thotë se nuk është i pacenueshëm dhe i paprekshëm përjetësisht. “Nevojitet një ndryshim i madh politik në Kosovë, dhe vetëm ardhja e një mekanizmi të ri qeveritar në Kosovë që nuk e ka ndikimin e këtij rrjeti kriminal, dhe të një sistemi paraprak të krijuar, dhe krahas këtij edhe sigurimi i mekanizmave të fuqishëm veprues të sistemit të drejtësisë, sistemit ligjor dhe të sigurisë, besoj që do të mund ta çmontojë suksesshëm këtë sistem të rrjetit kriminal, pavarësisht që nuk do të jetë punë e lehtë, sepse është një sistem mirë i konsoliduar, i shtrirë dhe mirë i financuar, që zhvendosja dhe çmontimi i tij i plotë është sfidë, që do kohë për disa vjet veprimi të guximshëm dhe me instalim të shtetit ligjor në shtetin e Kosovës”, theksoi Berisha.
Analisti politik Shefqet Dibrani thotë se në vendet e zhvilluara dhe ato me demokraci të zhvilluar, ndryshimi i pushteteve nuk reflektohet në standardin dhe mirëqenien e qytetarëve, por se ndryshimi i pushteteve në vendet perëndimore dhe në Amerikë, lidhet kryesisht me industrialistët e mëdhenj, të cilët i kuptojnë përparësitë dhe pasojat e njërit pushtet karshi tjetrit, qoftë përmes taksave apo tatimit mbi vlerën e shtuar. Këtë mendim ai e ilustron edhe me rastin e Italisë, e cila në gjysmëshekullin e kaluar, që nga Lufta e Dytë Botërore, njihet si vendi me zgjedhje të zakonshme dhe aso të jashtëzakonshme, që i bie mesatarisht gati në çdo gjashtë muaj atje janë ndërruar qeveritë, ndërsa vendi i tyre është zhvilluar dhe ka përparuar duke e shndërruar Italinë në pesëshen a gjashtëshen më të industrializuar dhe me ndikimin më të madh në Evropë.
“Mirëpo, në shtetin tonë nuk po ndodhin ndryshime të tilla, sepse shteti është thellë i kapur vetëm nga grupet e interesit kriminal, që nuk shohin përtej interesave të tyre. Por, për fat të keq tek ne ka ndodhur e kundërta jo duke e përparuar Kosovën, por duke e varfëruar atë dhe duke ia sjellë jetesën edhe qytetarit në buzë të greminës. Kosova si projekt amerikan është sulmuar dhe shantazhuar nga të katër anët, nga shërbime të huaja që kanë punuar në tokë, mbi tokë dhe në nëntokë, por pse luftohet dhe shantazhohet kaq shumë edhe nga vetë shqiptarët askush nuk ka mundur ta mendojë, kuptohet përveç mafisë së nëntokës, e cila tashmë e ka kapur Qeverinë dhe shtetin në të gjithë segmentet e saj, prandaj s’ka gjë nëse mbahen zgjedhje, aq më pak kush i fiton ato, pasi nëntoka prapë udhëheq e drejton Kosovën”, theksoi Dibrani.
Sipas tij, sikur oligarkët dhe grupet e interesit të ishin të arsimuar sigurisht shumë segmente do të zhvilloheshin dhe do të përparonin si duhet, por kështu siç është nisur fundi i Kosovës do të jetë tragjik dhe anarkia duket e pashmangshme. Ai konsideron se tani po të bëjmë me gisht kah shkaktarët, të cilët tashmë dihen, në kohën kur siguria dhe drejtësia udhëhiqet dhe drejtohet nga kjo strukturë kriminale është më shumë sesa vetëvrasje individuale, pasi secili që flet izolohet, shantazhohet, kërcënohet, qoftë me vendin e punës ose me pengim në karrierë profesionale, duke mos e hequr nga mundësia as metodën për likuidime fizike, prandaj edhe nuk ka ndryshime.
“Për personat që janë pa ndikim të dhunës së tillë mafioze, përdoren shantazhet duke ua dëmtuar bizneset, nëse kanë, duke ndikuar drejtpërdrejt në zvetënimin e karrierës profesionale, ose duke ua larguar fëmijët ose të afërmit nga puna, kurse në raste të rralla, për individët jashtë këtyre sferave, linçimi, izolimi dhe censura mediatike janë mjete tashmë në duart e sistemit të kriminalizuar, i cili as nuk ka ndjeshmëri dhe përgjegjësi morale, por përgjegjësi shtetërore e të mos flasim për përgjegjësitë kombëtare dhe ato historike”, theksoi Dibrani për gazetën./Kosova Sot/