11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Një akademik arrogant

IMER MUSHKOLAJ

Në vend se të tregohet i përgjegjshëm në një situatë mjaft të vështirë, kryeministri Isa Mustafa vazhdon të qeverisë me arrogancë e prepotencë, duke sharë e fyer të gjithë ata që kundërshtojnë demarkacionin me Malin e Zi. Ai duhet të shfaqet kryeministër i përgjegjshëm që i mbron të drejtat e qytetarëve dhe të vendit që udhëheq, e jo si patericë e Hashim Thaçit

Tash katër vjet Isa Mustafa deklaronte se zgjedhjet në Prishtinë do t’i fitonte me duar në xhepa. Plot arrogancë e prepotencë, ai shfaqej i bindur se vetë dhe partia e tij do të vazhdonte ta qeveriste kryeqytetin edhe për një mandat, pavarësisht se për 13 vjet me radhë nën LDK’në Prishtina ishte shkatërruar e shpërfytyruar, plaçkitur e sakatuar.

“Jam shumë i sigurt që edhe nëse i shtimë duart në xhepa deri në fund të vitit të ardhshëm dhe nuk punojmë asgjë, prapë do ta fitonim Prishtinën, sepse çdo gjë që e kemi punuar deri më tash e kemi bërë për interesin e qytetarëve”, thoshte atëherë kryeministri i tashëm.

Por, Mustafa jo vetëm që e humbi Prishtinën, por si kryetar i LDK’së humbi edhe zgjedhjet lokale dhe ato nacionale. LDK doli partia e dytë dhe qytetarët ia besuan votën, sepse i besuan Mustafës kur deklaronte se kurrsesi nuk do të bënte koalicion me PDK’në. “Kurrë nuk do të hyjmë në koalicion me PDK’në… Arsyeja është se kjo qeverisje në një formë e ka ngufatur shtetin, e ka kapur shtetin, e ka lëshuar rrjetin e strukturave aq thellë, nëpër tërë organizmin, edhe në medie, edhe në kompani publike, edhe në institucione qeveritare, edhe në agjenci, edhe në polici, edhe në gjyqësi edhe në prokurori. Nuk do të bëjmë asgjë nëse do të vazhdojmë bashkëqeverisjen me ta, sepse ata do të qeverisin me rrjetin e tyre dhe ne pastaj do të mbesim vëzhgues pasivë. S’mund të bëjmë asgjë, s’mund të bëjmë ndryshime”, deklaronte Mustafa në qershor të vitit 2014.

Por, pas pesë muajsh, sërish me arrogancë dhe prepotencë, ai po e arsyetonte pse iu hodh në qafë Hashim Thaçit e PDK’së. “Kam parë vullnet tek Hashim Thaçi për luftimin e korrupsionit”, fliste akademiku. Hashim Thaçi është bërë president me votat e LDK’së, Isa Mustafa vazhdon qeverisjen me ata që i quante “kapës të shtetit”, ndërkaq arrogancën e prepotencën, fyrjet e sharjet ndaj të gjithë atyre që e kritikojnë, nuk i ka harruar gjatë qeverisjes së tij. Në fakt, gjuha e tij aspak e denjë për një kryeministër dhe një akademik, e ka shquar më së shumti atë në krye të Qeverisë. Më shumë se përmbushja e premtimeve për qindra-mijëra vende të reja pune, luftim të korrupsionit, lëvizje të lirë dhe zhvillimin ekonomik. Më shumë se përmbushja e premtimeve për shtet ligjor – pa SHIK’un në krye.

* * *

Idhnak e demagog, arrogant e prepotent, Isa Mustafa po shfaqet edhe sot. Edhe fyes e injorues, ndaj të gjithë atyre që kanë paraqitur fakte kundër versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi. Akademiku ka deklaruar se ata kanë mungesë të njohurive elementare për këtë çështje. Angazhimin kundër demarkacionit e ka quajtur “kauzë të trilluar politike”, ndërkaq nuk ka hezituar edhe të jep leksione për shkencën.

“Shkenca dhe trillimet politike janë si karriga dhe fizkultura. S’kanë asgjë të përbashkët. Veç se e devalvojmë shkencën… Shkenca definohet si veprimtari njohëse dhe përgjithësim teorik i dijeve objektive për natyrën, shoqërinë dhe të menduarit, të cilat paraqiten në trajtën e sistemeve të njohurive në fusha e degë të caktuara”, ka shitur mend Mustafa.

Por, dilema janë ngritur edhe për “shkencën” e Mustafës, teksa publikisht në media është pyetur se çfarë shkence paska bërë ai dhe si ia ka dalë të bëhet anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës?

Është e ditur se Mustafa u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë… në vitin 2008, duke qenë kryetar i Prishtinës, kurse u avancua në anëtar të rregullt katër vjet më vonë, kur ishte edhe në krye të LDK’së.

Por, kjo nuk e pengon kryeministrin që t’i nënçmojë të gjithë ekspertët që janë marrë me çështjen e demarkacionit, duke thënë se ajo që bëjnë ata nuk përngjan në shkencë dhe se ata po merren me një grumbull hartash që përdoren pa burime empirike dhe pa një metodologji shkencore.

* * *

Në vend se të mobilizohet për ta shpëtuar Hashim Thaçin nga ajo që ka nënshkruar në Vjenë, Mustafa do të ishte më mirë që të reflektojë seriozisht dhe të merret me zgjidhjen e problemit të demarkacionit. Në vend se të shajë e nënçmojë kritikët, Mustafa duhet ta pyesë veten se si dhe pse erdhi kjo situatë, pse u desh që qysh në fillim të procesit të përjashtohen të tjerët nga përcaktimi i demarkacionit, pse u desh që të polarizohet shoqëria për interesa personale të dikujt. Në vend se të shfaqet akademik idhnak, Mustafa duhet të shfaqet si një kryeministër i përgjegjshëm që i mbron të drejtat e qytetarëve dhe të vendit që udhëheq.

Por, Mustafa nuk di ta bëjë këtë. Në njëfarë forme edhe e ka pranuar kur ka thënë se me PDK’në në bashkëqeverisje do të mbetej vëzhgues pasiv. I ka mbetur veç Facebooku për t’i shfryrë frustrimet e veta.

Isa Mustafa vazhdon të jetë më shumë në shërbim të interesave të PDK’së e të Hashim Thaçit, sesa të interesave të vendit dhe të qytetarëve. Tamam vetëdije prej shkencëtari, tamam vetëdije prej akademiku./Gazeta Express/

Më Shumë

Lajmet e Fundit