11 C
Prizren
E premte, 29 Nëntor, 2024

Një kolazh i botës shpirtërore pa kufij imagjinar me autorët më të famshëm

Përgatiti: Kastriot KOTONI

Shumë ndoshta dhe më shpesh kryeqytetet e botës njihen nga arkitektura e shpirtit, e cila projektohet nga njerëzit e famshëm të artit, të letrave dhe shkencës. Hygoi, Tarle, Hopkins, Çaplini, Markez, Bertoluçi, Cvajg, Kavabada, Mastrojani, Deniero, Brando, Spillberg, Monroe, etj., janë pikërisht në memorjen e popujve këta njerëz të cilët vendosin imazhe dhe mbresa të pashlyera, struktura shkencore, integrime, pa kufij imagjinarë dhe ndoshta arritje të pakoncpetueshme të realiteteve njerëzore.

Halil Inalcik, Prof. Emeritus në Universitetin e Çikagos, Perandoria Osmane(Periudha klasike 1300 – 1600) 

Tri ishin rrugët e rëndësishme që lidhnin Ballkanin me Stambollin; rruga Egnatia e lashtë nga portet e Shqipërisë përmes Ohrit, Manastirit dhe Selanikut; rruga e madhe ushtarake përmes Beogradit, Sofjes e Plovdivit; dhe rruga nga rajoni i Danubit të poshtëm përmes luginës së Tunxhesë(Tundza) dhe Edrenesë…Më poshtë profesori Halil Inalcik citon:

“Konstantin Jireceku shkruante për komunikimet osmane “se asnjëherë që prej rënies së Pernadorisë Romake, ndonjë shtet në Europë nuk i kishte kushtuar ndonjë vëmendje të tillë sistemit të tij të rrugëve”. Osmanët e riparonin dhe e mirëmbanin gjithmonë rrugën romake mes Stambollit dhe Beogradit, duke e përmirësuar atë dhe duke rregulluar pjesët e dëmtuara deri në Beograd me gurë të prerë trashë….

Fondacionet e ndërtuara në largësi të barabarta përgjatë rrugëve kryesore të mëdha tregojnë përhapjen e qytetërimit osman. Në periudhën osmane, vetëm në Bosnjë e Hercegovinë u ndërtuan dyqind e tridhjetë e dy hane, tetëmbëdhjetë karvansaraje, tridhjetë e dy bujtina, dhjetë bezistane dhe dyzet e dy ura; këto të fundit përfshinin kryevepra të tilla arkitekturore si: ura e Mostarit e ndërtuar në 1566, ura e Sarajevo Kozjas, aty nga viti 1555, apo ura e Trebinjës…Disa pashallarë ishin shumë të zellshëm në ngritjen e institucioneve të tilla. Kur kryeveziri Mahmut Pasha u shkarkua, më 1637, u akuzua se kishte ndërtuar hane që ishin të panevojshme dhe përbënin një barrë për popullin. Një faktor i rëndësishëm në ngritjen e këtyre vakëfeve ishte institucioni i temllëkut(temlik) – granti sulltanor për të drejtat e pronësisë – sipas të cilit shtetarët apo gratë e Pallatit mund të paraqitnin një kërkesë te sulltani me një projekt për sipërmarrje bamirësie dhe të merrnin prej tij një sipërfaqe toke të çliruar nga detyrimet tatimore, e cila në disa raste përfshinte disa fshatra.

Më pas, ata i linin trashëgim këto sipërmarrje bamirëse që kishin ngritur, për të siguruar kështu jo vetëm shpëtimin në botën tjetër, por edhe një jetesë të gjatë e të sigurt për familjet dhe pasardhësit, duke i emëruar administratorë të këtyre sipërmarrjeve. Zavijet luanin një rol të rëndësishëm në Perandorinë Osmane, veçanërisht në periudhën shumë të hershme dhe ishin një prototip për imaretin. Zavija ishte një fondacion bamirësie, i themeluar nga një sheh a dervish, për t’u siguruar strehë udhëtarëve në qytete apo, më shpesh, përgjatë rrugëve e kalimeve të largëta e të veçuara.

Shehu apo dervishi që themelonte zavijen merrte prej sundimtarit një parcelë të vogël toke si pronësi të çliruar prej tatimeve, që ai ia linte në trashëgim fondacionit të vet. Ai, si dhe dervishët që ishin tubuar rreth tij, punonin tokën, siguronin jetesën dhe përballonin shpenzimet e zavijes, për të cilën shehu dhe pasardhësit e tij ishin administratorë trashëgues, ashtu siç ndodhte në fondacionet e tjera bamirëse. Në periudhën e hershme osmane, zavijet luajtën një rol thelbësor në vendosjen e emigrantëve turq në kufi dhe në zonat që osmanët kishin vënë nën kontroll. Dervishët, ose emigrantët e varfër që paraqiteshin si dervishë, vinin nga Anadolli në një zonë të pushtuar rishtas, zgjidhnin një copë tokë dhe organizonin një zavije, duke siguruar nga sulltani një dokument që vërtetonte se toka ishte vakëf për zavijen. Duke qenë se anëtarët e zavijes përfitonin përjashtime nga taksat, emigrantë të rinj dyndeshin në tokat e saj, që më pas bëheshin bërthama e një fshati të ri turk. Kjo ishte zanafilla e shumicës së fshatrave turke të ngritura në shekullin e XIV në Anadollin Perëndimor dhe në Ballkan. Këto bujtina shërbenin njëkohësisht si streha për emigrantët e sapoardhur e madje edhe për gazitë….

****

Në këto njëzet e tre vite është bërë e modës fjala rishkrim, rishikim i historisë. Tema të tilla si data e çlirimit apo qëndrimi ndaj Ballit Kombëtar e luftës nacionalçlirimtare i shtohet edhe i ashtuquajturi debat, ndofta edhe periferik, me temë “Lindja e qytetit të Tiranës”. Për gati 100 vjet ky debat nuk ka ekzistuar dhe heshtja për këtë edhe gjatë 50 viteve të diktaturës e kishte marrë vulën që nga Rilindja Kombëtare e shumë autorë vendas dhe të huaj. Së pari debati duhet të ishte i hapur e në shkallë shkencore dhe do të ndihmonte që këtë sipërmarrje të rishikimit të historisë t’i jepeshin fakte dhe argumente shkencore. Himnizimi i figurës së Sulejman Bargjinit e ul nivelin shkencor, sepse krijimi i fshatrave me popullsi emigrante të cilët përjashtonin nga taksat për të mirëmbajtur rrugët tregtare, të çon në arsyetimin se fshati Mullet e ka marrë emrin si një vendbanim ose bujtinë e një personaliteti fetar, gjë që të jep të kuptosh që Sulejmani të mos ketë qenë shqiptar. Fermani që merrej nga sulltaneshat jepte dhe statusin e personit që do të krijonte fondacionin për përhapjen e vendbanimeve në territore jashtë Perandorisë, shkurt Sulejmanit i duhej të kishte një status pranë sulltaneshës, pa lënë mënjanë dhe fenomenin  e korrupsionit në Portën e Lartë, siç thotë prof. Inalcik.

Qytetërimi botëror njeh nga 12 qytetërime, 5 prej të cilave janë: qytetërimi kinez-japonez, hindu, islamik, ortodoks, perëndimor. Çdo debat që ka përfshirë botën për termat e qytetërimit që nga 1600 e deri më sot e ka bërë të qartë qytetërimin perëndimor të shqiptarëve. Nuk ia vlen të ridiskutosh këtë temë qytetërimi kulturor shqiptar. Atë e ka zgjidhur Rilindja Kombëtare.

Indro Montaneli

Kjo vlen edhe nga një pikëvështrimi shoqëror: borgjezia tiranase mundohet dhe ia del në krye të vihet në një nivel të barabartë me cilëndo borgjezi perëndimore, a është me të vërtetë përfaqësuese e jetës shqiptare? Kabareja që i ngjan boite-s pariziene, klubi, tenisi, çaji, jazzi, e folura e sjellshme, puthja e dorës, libri francez, flirti, shtëpia me kopsht, automobila luksozë, fraku, guvernantja gjermane, shërbëtori në lirvë; të gjitha këto vogëlsira të komfortit të rikopjuara nga perëndimi janë në Shqipëri të justifikuara dhe të justifikueshme?

Çekuilibrimi është këtu. Dhe unë provoja sigurisht një vuajtje tek shikoja të rinjtë tiranas t’u jepnin të drejtë të huajve, të cilët qaheshin për komfortin e dobët të jetës në kryeqytet. Këto qarje janë fyerje e të pasurit ndaj të varfrit, të pasurit që është i tillë, jo përmeritë të tij, ndaj të varfrit që është i tillë jo për faj të tij. Për zotërinjtë e huaj, të cilët qahen se makinat e tyre nuk mund të ecin njëqind kilometra në orë, por me pesëdhjetë në rrugët shqiptare, janë shumë të lutur të shkojnë në bibliotekë e të lexojnë një libër të historisë, për t’u informuar se si e kanë trashëguar shqiptarët vendin e tyre, më pak se tridhjetë vjet më parë nga pushtuesi turk. Dhe zotërinjtë shqiptarë janë dhe po aq fort të lutur të mos kenë turp nga faji që ata nuk kanë bërë. Tirana është një kryeqytet modern gati i shpikur, si një qytet amerikan që do të mund të kishte zëvendësuar gradaçelat me minaretë. Koha e saj ka vetëm dy masa: të tashmen dhe të ardhmen. E kaluara nuk ekziston. E kaluara është përfaqësuar vetëm me një pazar që gjithnjë e më shumë po zvogëlohet i shtypur siç është nga një plan rregullues i vendosur të zhdukë çdo mbeturinë orientale.

Por e gjithë pjesa tjetër e vendit nuk ndjek këtë sforcim modernist, ose të paktën nuk e ndjek në të njëjtëin hap. E bojkotuar nga një traditë shekullore e feudalizmit turk evoluon edhe ajo, por me një ritëm shumë të ngadaltë gjithnjë e më të ngadaltë hap pas hapi që largohesh nga qendra drejt periferisë dhe kërcënon të lërë të izoluar Tiranën si metropol evropian i improvizuar në mes të shkretëtirës afrikane, si një Romë ose Paris të rënë për mrekulli hyjnore në mes të Kinës.

Tirana një qytet që s’ka qenë kurrë i vjetër

Tirana është një qytet që nuk ka qenë kurrë i vjetër, sepse edhe në kohët antike ka qenë moderne. Këtu banonin pothuaj vetëm zotërinj të mëdhenj, plutokracia e kohës e përfaqësuar nga bejlerët latifondistë që vinin të kërkonin freskun dhe shëndetin e verës duke i ikur malaries, vapës së Durrësit dhe fushave përreth. Ishte pak a shumë Merano e zonës. E ky karakter aristokratik, pak për plazhin e pak për kolonial ku ka mbetur? Në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë, me qytete të tjera, Tirana është kopshti i mbretërisë, sqimatarja e thelbit të saj. Ndoshta sot, me morinë e njerëzve që i ka ardhur në ndihmë për forcimin e centralizimit ministreal është borgjezuar dhe rënduar ca. Më shumë se të bukurën, synon të madhen; më shumë se qëllimet, ruan komoditetin.

E si mund të jetë ndryshe? Ka një jetë aktive tregtare, shoqërisht të fortë, ka hotele të kënaqshme, ka shërbime të mira. Natyrisht është një botë e përzier në mënyrë piktoreske: gjen toskun, tregtar dinak i shtyrë këtu për të shitur prodhimet e tij veshur me kostumin e tij elegant bardh e zi; epirotin me fustanellën e tij; mirditorin e ashpër dhe aristokratik të veriut; jevgun; maqedonasin; malazezin; sllavin; gjen borgjezinë e Tiranës vetëm për rrethana të çastit, sepse do të mund të gjeje identik edhe në Romë ose në Milano; gjen zonja të veshura me peliçe, vendase dhe të huaja; gra fshatare zbathur e me rrecka; automobila luksi e karroca prehistorike të gatshme për t’i rënë borisë si të ishin automobila, që lënë vragën e vizatimit si lëvizje gjarpri në rrugë, sepse karrocierët shqiptarë kanë një gjeometri të tyren personale dhe një pengesë instiktive për rrugën e drejtë.

E pastaj, bota ndërkombëtare, ajo e llojit diplomatik, që është këtu, si në çdo kryeqytet tjetër, gjithnjë e njëjtë, me bridge-in e saj e me the-en e saj, por me këtë dallim: që këtu duke qenë ambient i ngushtë bie në sy shumë dhe i jep tonin e jetës mondane.Tirana nuk shkëlqen për argëtimet, kjo jo. Ka tri kinema të shëmtuara, shumë të shëmtuara dhe asnjë teatër. Por rrethi italo-shqiptar që po ngrihet monumental(monumental ndoshta është shumë) në krah të Pallatit të Vjetër Mbretëror, do të mbushë boshllëkun bashkë me anë të pishinës, të tenisit me fushë të mbuluar, të restoranteve luksoze.

Ditari i një gazetari

Petro Marko

Tirana shembull i jetesës sonë shoqërore. Si rron njerëzia? Ku ha, ku dëfren, ku shkon? Si fitohet dhe si prishet paraja, cmimet e sendeve të para. Vëzhgime të përgjithshme mbi mënyrën e rrojtjes sonë.

Beqar apo familjar?

-Meshkuj! Kudo meshkuj! Tirana është mashkullore!

-Apo s’është kështu?

-Ku janë gratë?

-Në shtëpi? Të burgosura? Të skllavëruara? Të sëmura? Të dënuara?

-Apo gjithë burrat që të zë syri nëpër rrugët e mbushura të kryeqytetit janë beqarë?

-Kjo s’është e vërtetë, se në çdo kënd të çdo ndërtese sheh edhe nga katër a pesë çiliminj…..

-Atëherë pse nuk dalin edhe femrat të marrin erë të lirë, të shikojnë dynja, të lëvizin, të zbukurojnë rrugët mashkullore të Tiranës?

-Fajin e kanë vetë burrat. Kushedi mbase përtojnë, s’e kanë zakon që të dalin një ose dy herë në javë me bashkëshortet e tyre, me motrat dhe bijat e tyre në bulevardet aq të bukura, që gjallërojnë prej pemëve të shumta, që rëndohen prej këpucëve të forta të ushtarakëve dhe që ankohen se nuk janë shkelur prej takave të lehta të femrës. Dëgjoni kambanën e re që ju shurdhon:

“Po këputen hekurat e skllavërisë për femrën. Dilni përjashta o gra shqiptare dhe merrni pjesë siç  e meritoni në shoqërinë e porsa përgatitur të kombit tonë. Ferexheja ra përgjithmonë! Ç’prisni më, ndonjë urdhër që t’ju nxjerrin me zor nga shtëpia?”

-Po le të themi copë që faji është i burrave. Doemos i atyre që kanë familje. Se beqarët ç’të nxjerrin përjashta?

-Sytë e tyre? Ata sy që u thanë duke vërtitur kot andej-këndej për të parë ndonjë ….. lanete?

Shumica është beqare. Janë mbushur kazerma, institute, ndërtesa të mëdha e të vogla me beqarë. Nëpunës të ndryshëm, shumë ushtarakë, arsimtarë, që kanë familjet në vendlindjet e tyre, bëjnë një jetë beqare.

Një jetë për lumë!

Se për te një rrogëtar, daç qeveritar ose privat, cila jetë është më e mirë, beqare apo familjare? Cila jetë është më e mirë edhe nga pikëpamja ekonomike edhe në atë shoqërore?

Si jetojnë beqarët? Ku e shkojnë kohën? Ku e prishin paranë? Doemos për këtu në Tiranë flasim, se këtu është foleja qendrore e beqarllëkut…Shumica e tyre, përveç që të prishë tërë rrogën në kafenetë, në shtëpitë publike, që do t’i shohim të përshkruara së afërmi në këto shtylla, po janë kredhur në borxhe po aq thellë, sa zor të shpëtojnë. Zor të ngrenë ndonjë ditë kryet lirisht. Zor të ecin pa frikë nëpër rrugët e Tiranës. Punojnë pa shpresë, rrojnë beqarë dhe beqarë do të vdesin, se e shkreta martesë do para, do shpenzime. Do shtëpi të re. Do fole të përgatitur. E çnuk do kjo martesë e uruar!

Po familjarët si rrojnë?

Duke udhëtuar nëpër kryeqytet sheh shtëpi, shtëpi shumë të përhapura, të rrethuara me mure, kanë oborr, kanë puse, kopshtia furriqe. Tamam si në fshat. Se brenda jetojnë qytetarë-fshatarë. Familjarët që kanë ardhur nga të tërë vendet e atdheut, të shpërndarë në të katër anët e kryeqytetit të gjerë. Të trazuar rrush e kumbulla. Sheh në një lagje, në një rrugë afër e afër, dibranë, vlonjatë, gjirokastritë, korçarë. Përveç jevgjve që kanë zënë ekstremet e Tiranës dhe që rrinë të grumbulluar që defi i tyre të dëgjohet prej të gjithëve.

Përballë pasqyrës së një gruaje

Ismail Kadare

Lidhja e Shkrimtarëve kishte qenë në rrugën Carnavon, në një oborr të brendshëm, që mbyllej prej Bibliotekës Kombëtare dhe prej ish pallatit të princeshave. (Më pas kur ajo do të shpërngulej përsëri, këtë herë në rrugën e Kavajës, në ndërtesën ku më 1938 ishte bërë martesa e Mbretit Zog, në mendjen e shumë njerëzve kaloi mendimi se një hije misterioze mbretëronte ndiqte pas institucionin stërkomunist, mendim që u tret ashtu siç lindi, ngaqë s’mbështetej në kurrfarë logjike.)

Që e njoha Margaritën për arsyen e thjeshtë, se Lidhja e Shkrimtarëve ndodhej pikërisht kundruall rrugicës së saj, kjo ishte jashtë çdo dyshimi. Në trotuarin e djathtë të rrugës së Dibrës ishte një mëngjesore e vogël, ku në ditët e nxehta gazetarët e rinj, që punonin në Lidhje, merrnin zakonisht ndonjë gotë birrë. Ngjitur me të ishte një tregtizë private frutash. Aty për herë të parë e pashë Margaritën. Ishim duke dalë nga lokali, ku dikush nga ne tha me zë të ulët: “Kjo është Marga, që banon përballë”

Nëntori i një kryeqyteti

-Ç’sjellin vallë me vete mendoi ai.

-Ç’drama mbajnë të lidhura vallë në ato boç dhe batanije sipër shpinave të tyre?

Për një sekondë, fragmentare, e pikëzuar nga faret e makinave, iu vizatua në mend. Rruga Mbretërore, ashtu siç e pa në çastin e fundit, me ata që iknin me dramat e tyre të mbështjella nëpër peliçe, nëpër kularë sixhadesh. Që nga tarraca e ndërtesës së Radiostacionit dukej pothuaj krejt bulevardi, “Musolini” me atë harkimin e tij të lehtë që të jepte përshtypjen se i kishte kthyer shpinën Rrugës Mbretërore. Nga lart, çdo gjë dukej ndryshe: rrugë të tendosura, si gratë që kanë vënë korse, njerëz të shtypur, lëvizje të largëta e të lehta si pupla.

Rrugët e Tiranës në prag pranvere

Kapërcej urën e rrugës mbi kanal dhe kthehem majtas për në rrugën “Bajram Curri”. Në këtë rrugë të njohur, me dyqanin e akullores dhe dyqanin që e ngre muzikën në kupë të qiellit. Por kur fillon t’i njohësh disa rrugë dhe një zonë të caktuar, mësohesh me një vend dhe me tingullin e një gjuhe, lidhja jonë ndryshon krejtësisht. Tani i kuptoj disa fraza që i dëgjoj – “nuk ka dit”, “mijdas na rego”, “faleminderit”, “mira pashim”, “shum mir”. Unë vesh ndërtesën e madhe prej xhami në kahun e majtë të Bajram Currit dhe ajo reflekton ndërtesat e vjetra të verdha e suva të lëshuara përballë me ato rrjetat e tyre të hekurta italiane mbi ballkone, me grila e mbulesa të pjerrëta, të çngjyrosura që zgjaten jashtë dritareve mbi ballkone. Aromat e mistravet të pjekur valëzohen në trotuar kur u kalon pranë. Dal në rrugën e Kavajës dhe kthehem djathtas. Trafiku është i mbingarkuar dhe ajri plot me tym prej makinave. Sa më shumë i afrohesh qendrës së qytetit, aq më shumë njerëz u bien borive. Pluhuri më hyn në sy teksa eci gjatë rrugës Abdyl Frashëri tek FEFAD Bank.

Morlie Smith

Shkrimtare Norvegjeze

Më Shumë

27 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë

Sot u bënë 27 vjet nga dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). 28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës...

Dëshmitari Çadraku: Në Rahovec e Prizren të gjithë pjesëtarët e UDB-së kanë qenë shqiptarë

Dëshmitari Halil Çadraku foli të hënën në Hagë për rolin e tij si pjesë e G2-shit apo sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit në Zonën Operative të...

Lajmet e Fundit