20.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Një trashëgimi pa lavd

Imer MushkolajShkruan: IMER MUSHKOLAJ

Një trashëgimi pa lavd është LDK’ja e Isa Mustafës sot. Një parti që dështon në momente historike, nuk mund të bëjë histori. E historia e LDK’së është e mbushur me dështime. Ashtu siç do të jetë edhe qeverisja e Isa Mustafës – nëse nuk ia dështon planet Hashim Thaçi

Pak, shumë pak njerëz publikë zgjodhën që në përvjetorin e lindjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova të flasin me tone kritike për të dhe për periudhën e gjatë të “mbretërimit” të tij në skenën politike kosovare. Gjithë çfarë u tha nuk i kaloi suazat e vendosjes edhe të një guri në kullën e mitizimit dhe profetizimit të tij. Sidomos nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, vepra e tij u çua lart e më lart. Thanë e çfarë nuk thanë ish-bashkëpunëtorë të vërtetë të tij dhe të tjerë që emrin ia përdorin për interesa personale.

Rugova nuk është më ndër të gjallët tash gati nëntë vjet dhe për të e rolin e tij duhet të shkruajë historia. Por trashëgimisë së tij politike, LDK’së, në krye të së cilës një grup intelektualësh e vunë para një çerek shekulli, sot nuk i ka mbetur thuajse asgjë nga lavdi i dikurshëm.

E themeluar si një lëvizje që bëri bashkë popullin gjatë okupimit, LDK nuk ia doli, respektivisht nuk deshi që ta çojë deri në fund vullnetin e qytetarëve për çlirim. Duke bërë gafa të mëdha dhe të pafalshëm politikë, ishte Rugova ai që në momente historike dështoi të bëjë histori. Janë pasuesit e tij ata që vetëm histori nuk dinë të bëjnë, duke e kthyer partinë në strehë njerëzish të cilët qëllim të vetëm e kanë përmbushjen e interesave personale e grupore në emër të Rugovës dhe “frymës rugoviane”, që vështirë dinë ta shpjegojnë çfarë nënkupton. Janë pasuesit e tij ata që pretendojnë të marrin vota në emër të liderit të vdekur shpirtëror, ngase ajo që ofron lideri i tashëm s’është gjë tjetër veçse një farsë. Një farsë që i shitet elektoratit – natyrisht, në emër të Ibrahim Rugovës.

* * *

Por, në të vërtetë, çfarë ka mbetur nga LDK’ja e Ibrahim Rugovës në partinë që e udhëheq Isa Mustafa? Emri, emri dhe lavdia e dikurshme. Plus ndonjë fosil i matufosur që s’e ka idenë çfarë ndodh në realitet, por jeton me famën e së kaluarës. Ashtu siç jetonte lideri i tyre në njëfarë “kulle të fildishtë” atëherë kur duhej vepruar, e jo bërë sehir.

Parakalojnë atypari edhe dezerterë partish tjera që e kanë zbuluar me vonesë “frymën rugoviane”, por edhe lloj-lloj profiterësh. Natyrisht, ka dhe njerëz të ndershëm që për partinë i mban lidhur emri i ish-liderit.

Që nga vdekja e liderit historik, LDK ende nuk ia ka dalë të rikthejë fuqinë e partisë më të madhe. Në vend që të reformohet e forcohet, ajo është stërkequr edhe më, duke vazhduar të mbetet subjekti i dytë politik në vend jo falë punës dhe angazhimit të udhëheqjes së saj, por falë inercionit dhe emrit të Ibrahim Rugovës. Zyrtarë të partisë – që nga më i larti e deri tek më pak të rëndësishmit – vazhdojnë të kërkojnë vota në emër të një lideri që nuk jeton më, ndërkohë që bëjnë pak, shumë pak për të sendërtuar atë që ata e quajnë “filozofi rugoviane”.

Që nga vdekja e Rugovës, LDK nuk ia ka dalë që të vihet në ballë të proceseve, por gjithnjë është gjendur “aty diku”, duke e mbajtur “frontin” shpesh me fjalë të thata e veprime kurrfare, karshi PDK’së së Hashim Thaçit – rivalit të Rugovës që tash i thur elozhe për ditëlindje.

* * *

Gjatë gjithë viteve në qeverisje, LDK i ka lëshuar rastet historike që të ofrojë një model menaxhimi që do të bënte ndryshimin. Që nga koha e Rugovës është luajtur me besimin e qytetarëve, duke iu dhënë poste qeveritare njerëzve prepotentë e arrogantë, veprimet e të cilëve e kanë dëmtuar jo veç partinë, por edhe vendin. Njerëz të paaftë dhe aspak të denjë për postet që i kanë mbajtur janë tallur me qytetarët, me mënyrën që kanë zgjedhur për të qeverisur. Dhe një pjesë të madhe të përgjegjësisë për mjerimin ekonomik, social e politik në të cilin është zhytur vendi e mban pikërisht LDK – pikërisht kjo LDK e cila tash pretendon të bëjë ndryshimin nën diktatin e Hashim Thaçit.

Dhe, paramendoni, ndryshimin pretendon ta bëjë ai që për shtatë vjet qeverisjeje në Prishtinë nuk ia doli ta nxjerr kryeqytetin nga kaosi ku e futën paraardhësit e tij – të gjithë të LDK’së. Ata që ende kanë dilema se si mund të qeverisë Isa Mustafa – nëse Thaçi pajtohet t’ia jep postin, Prishtinën e kanë modelin më të mirë. E ata që te Mustafa shohin shpresën për ndryshim, me siguri kanë problem me perceptimin e shprehjes “ndryshim”. Sepse, ndryshimi nuk bëhet nga njerëzit nuk mund të ndryshojnë për të mirë veten, as shtëpinë e vet.

Mustafa ka dështuar ta bëjë më të mirë LDK’në, ta reformojë e forcojë atë. Me vendimin për t’u bërë bashkë me PDK’në, ai ka varrosur shpresën e qytetarëve për ndryshim. Një trashëgimi pa lavd është LDK’ja e Isa Mustafës sot. Një parti që dështon në momente historike, nuk mund të bëjë histori. E historia e LDK’së është e mbushur me dështime. Ashtu siç do të jetë edhe qeverisja e Isa Mustafës – nëse nuk ia dështon planet Hashim Thaçi./Gazeta Express/

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës pritet të shtohen, ku ka mundësi të sjellin ndonjë reshje të...

Vdes veterani i UÇK-së nga Dragashi, Osman Shala

Ka vdekur veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dragashi, Osman Shala. Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur nga bashkëluftëtarët e tij. “Sot...

Lajmet e Fundit